Kënga e mjellmës
• Edmond TupjaSipas një gojëdhëne, mjellma na këndoka vetëm një herë gjatë tërë ekzistencës së saj: para se të mbyllë sytë përgjithmonë. Villiers de l’Isle-Adam, shkrimtar francez i shekullit XIX, në njërën prej rrëfenjave të tij mizore, tregon historinë e një borgjezi me jetë shumë të rregullt gjatë ditës, por që natën shkonte diku buzë një liqeni për të vrarë mjellma me synimin e vetëm të dëgjonte këngën e tyre. Fatkeqësisht, unë nuk e mbaj mend fundin e kësaj novele, por më lind e drejta të shtroj një seri pyetjesh duke iu referuar realitetit të sotëm shqiptar:Në një kohë kur tek ne vriten njerëz, për arsye të ndryshme sigurisht, një vrasës i tillë mjellmash do të merrej për të çmendur, vrasja e kryer prej tij do të konsiderohej si diçka e paparë, e padëgjuar, pra, si risi, ndërsa, paradoksalisht, ajo ose ai që vret fëmijën, të ëmën ose të atin, burrin apo gruan, vëllanë apo motrën, kunatin apo kunatën (për të qëndruar vetëm brenda familjes), pra, thjesht një njeri, do të merrej për... kriminel dhe vrasja e kryer prej asaj ose prej atij do të konsiderohej si krim tashmë i njohur, pra, si diçka e vjetër sa vetë njerëzimi. Gjithsesi, për ta siguruar lexuesin tim të cilit i dhimbsen mjellmat e pafajshme, le të më lejohet t’i them atij që një vrasës mjellmash në Shqipëri ka pak mundësi të arrijë qëllimin e tij muzikor e makabër njëkohësisht. Kjo, për një arsye të thjeshtë: brigjet e liqeneve, gjoleve apo pellgjeve ku ende ka mjellma nuk para janë të ndriçuara natën, kështu që në vend të mjellmave mund të vriten rosa apo pata (me përjashtim, deri diku, të netëve me hënë pesëmbëdhjetëshe). Sidomos tani që energjia po kthehet në një mall të rrallë e të shtrenjtë. Prandaj, me sa duket, shteti, përballë problemeve energjetike, duke e rritur çmimin e energjisë elektrike, po u shpëton jetën mjellmave shqiptare. Unë shpresoj se së shpejti do të dalë një Çajkovsk shqiptar që do të kompozojë një “Liqen mjellmash” të ri me një muzikë të veçantë që do të mund të kërcehet nga trupa edhe më e veçantë e balerinëve më të mëdhenj të politikës shqiptare, pozitë e opozitë shkartisur. Përfytyrojini, të dashur lexues, këta balerinë në skenë duke bërë piruetat e tyre të zakonshme e të jashtëzakonshme si në kuptimin e mirëfilltë të fjalës (rrotullim që bëhet duke u mbështetur në njërën këmbë), ashtu edhe në atë të figurshëm (ndryshim prej 180° në qëndrimin që mbahet lidhur me një çështje); përfytyrojini gjithashtu duke kërcyer në çifte për një kohë të gjatë apo të shkurtër (pra, duke krijuar aleanca të qëndrueshme apo të paqëndrueshme), duke kërcyer me njëri-tjetrin herë dorë për dore, herë kurriz më kurriz dhe, pse jo, herë bark më bark; përfytyrojini duke kërcyer të veshur me ngjyrat e partisë së cilës i kanë përkitur para disa kohësh e asaj së cilës i përkasin sot ose të asaj së cilës mund t’i përkasin nesër: klounë të vërtetë! Gjithsesi, interesant do të më dukej kërcimi i tyre në çifte: cili do të luante rolin e kavalierit dhe cili rolin e damës? Më thjesht: cili do të ishte mjellma mashkull dhe cili mjellma femër? Nga ana tjetër, duke qenë se partitë më në zë të spektrit politik shqiptar kanë strukturat e tyre rinore, a do të kishim nderin dhe kënaqësinë të shihnin në skenë mjellmushet dhe mjellmushët e tyre? Problemi i mjellmave të politikës shqiptare me siguri do të koklavitej sikur, larg qoftë, një ditë ose më saktë një natë të bukur, të rishfaqej personazhi i Villiers de l’Isle-Adam-it që e adhuronte aq shumë këngën e mjellmës: jeta e tyre do të vihej seriozisht në rrezik nëse nuk do të dilte dikush t’i shpjegonte atij që mjellmat e politikës shqiptare nuk këndojnë para se të vdesin, jo, ato këndojnë tërë kohën e kohës që nga dalja e tyre në skenë. Për hir të së vërtetës, do të ishte e këshillueshme të sqarohej personazhi i lartpërmendur se këto mjellma shqiptare të një soji tejet të veçantë, me qind për qind, vetëm një gjë do të dinë ta bëjnë shumë mirë para se të japin shpirt (nëse, gjithsesi, e kanë një të tillë): të heshtin. Dhe heshtja e tyre nuk do të ketë të paguar. Pse? Sepse është kapak floriri.