Fajësi e dyanshme
Artikull në LA Times për ngjarjen (foto A.Babani)
Teksa prokuroria nis hetimet per tragjedine e Farkes, Sollaku e Rakipi në cilësinë e dy ish-kryeprokurorëve tregojnë si do ta konsideronin ata këtë çështje nëse do ta kishin në duar
Dy ish-Prokurorët e Përgjithshëm, Arben Rakipi dhe Theodhori Sollaku, nuk mohojnë se tragjedia e Farkës “ngarkon” me përgjegjësi strukturat e shtetit për sa i përket kryesisht kontrollit të veprimtarive. Ish-Prokurori e Përgjithshëm, Rakipi, mendon se shkaktar për tragjedinë e së premtes në liqenin e Farkës, ku humbën jetën 16 persona, ishin masat e sigurisë, verifikimi i përdorimit të licencës dhe dhënia e saj, po ashtu dhe aftësitë e personit që drejtoi mjetin. Në bisedë me “Korrierin”, Rakipi, i shkarkuar nga Kuvendi pa u dëgjuar sipas rregullores dhe me të drejtë të mohuar, edhe pse fitoi në Gjykatën Kushtetuese, komentoi dy ngjarjet më të rënda të ditëve të fundit, vdekjen e 16 personave në Farkë dhe plagosjen e agjentit të antikrimit, Bledar Haxhimali, gjatë operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit për vrasje, Ilir Paja. I pyetur fillimisht lidhur me shkakun e tragjedisë së rëndë të Farkës, ish-kryeprokurori tha se nga informacionet paraprake, pos përgjegjësisë që kanë strukturat shtetërore në kontrollin e veprimtarive, rasti është “tipik”, sikurse u shpreh, i “pakujdesisë” së drejtuesit të mjetit dhe i personave që pranuan të lundrojnë në ato kushte. “Nuk kam informacione të sakta për të gjykuar, por nisur nga informacionet që kam mësuar nga shtypi, del që është një rast tipik pakujdesie i personit të ngarkuar për të drejtuar mjetin. Sigurisht që është edhe i të tjerëve që kanë pranuar të udhëtojnë në ato kushte. Është si të thuash, një rast kur të bën të mendosh gjatë lidhur me sigurinë që jep personi i autorizuar për të drejtuar mjete që janë burime rreziku, me aftësitë e tyre për të menaxhuar këtë mjet ditë-natë, në kushte normale apo festash”. Ai shton se strukturat shtetërore duhet të tregojnë kujdes edhe me mbikëqyrjen e aktivitetit. Në krahun tjetër, për të shmangur rrezikun Rakipi propozon: “Duhet ndarë administrimi i barkave nga ai i aktivitetit tjetër. Të lejosh administrimin e objektit dhe njëkohësisht të transportit nga një subjekt i vetëm, lë shteg për të shtuar rrezikun. Dyshoj që kjo mënyrë lëvizjeje ka qenë e shpeshtë”. Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme thekson se nuk është në dijeni të procedurës konkrete për dhënien e licencës. Megjithatë, paraardhësi i Theodhori Sollakut, shton se në të tilla raste duhet dhënë leje e posaçme. “Jam i bindur që duhet leje e posaçme, dhe për sa kohë rreziku është i pranishëm, duhen aftësi të posaçme. Kjo tragjedi mund të ndodhë gjithandej, në ujë, në tokë, në qiell”, - nënvizoi Arben Rakipi. Sipas tij, për çështje sigurie mjetet për këto lloj aktivitetesh duhet të ushtrohen nga persona të aftë, të përgjegjshëm për të drejtuar në çdo rast, qoftë dimër, verë, natë apo ditë. Në krahun tjetër, ai propozon edhe disa masa të tjera që mund të ruajnë ekuilibrin ndërmjet sigurisë dhe nevojës për përfitim nga ai që administron biznesin. Lidhur me mundësinë e përsëritjes së rasteve të tilla edhe në sezonin turistik, kur mjeti dhe barkat drejtohen jo nga persona të paspecializuar, ai thekson: “Duhet të ketë edhe kontroll teknik, pasi rreziku është i përhershëm e i gjithë pranishëm”. “Duhet verifikuar gjendja e mjeteve. Edhe mjetet duhet të jenë brenda kushteve teknike. Testimet për sigurinë dhe mënyrën sesi ushtrohet aktivitet strukturat shtetërore duhet ta kenë në qendër të vëmendjes. Masa duhet të merren në sistemin e verifikimit tërësor dhe licencës që ata kanë marrë”. Ndërkaq, pasardhësi i Rakipit, i shkarkuar gjithashtu si ai, por duke u dëgjuar në Kuvend dhe me dy komisione hetimorë befasues në shpejtësinë e dhënies së përfundimeve, Theodhori Sollaku, i tha shkurtimisht “Korrierit”, se fillimisht duhej të shihej legjislacioni i fushave. Sollaku kur u pyet për ndarjen e përgjegjësive që lidhen me dhënien e lejes për veprimtarinë, përfshi elementet e sigurisë së mjeteve apo të llojit të biznesit, theksoi se, ndonëse nuk kishte dijeni të sakta për ngjarjen, meqenëse ndodhet jashtë vendit, mendon se duhet parë kuadri ligjor për ato veprimtari.