"Na zunë me gurë"
Qyteza e Budvas
Një autobus shqiptar me targa të Tiranës që transportonte një grup turistik grash, u sulmua në mënyrë burracake gjatë natës në qytetin Budva të Malit të Zi.
“Nuk është hera e parë që një incident i tillë ndodh me autobusët që shkojnë nga Shqipëria. Ka ndodhur dhe herë të tjera. Por, fatmirësisht, nuk kemi asnjë të lënduar në njerëz”. Sipas shefit të Komisariatit të Shkodrës, Nikolin Bala, konfirmohet lajmi se para dy ditësh, një autobus i linjës “Albania Interlines” i Tiranës është sulmuar në Budva të Malit të Zi. Bala pohon se është ushtruar dhunë mbi autobusin, janë thyer pasqyrat e xhamat, është shkatërruar kondicioneri, është prishur pjesa e jashtme e tij, por në momentin e dëmtimit asnjë person nuk është gjendur në të. “Autobusi është dëmtuar në kohën që ka qenë i parkuar pranë një rruge në Budva. Ai i përket linjës “Albania Interlines” dhe ka qenë duke transportuar disa pasagjere që kanë vendosur të kalojnë festën e 8 Marsit në Mal të Zi. Asnjë nuk është dëmtuar dhe nuk ka asnjë incident”, - përfundon kreu i komisariatit. Ndërkohë që sipas burimeve të tjera zyrtare, bëhet e ditur se ngjarja ndodhi në kohën kur një grup grash, të cilat kanë shkuar për të festuar, kanë qenë duke fjetur në një hotel në Budva, kur dhe ka ndodhur incidenti dhe asnjëra prej tyre nuk është e dëmtuar. Ditën e djeshme reagoi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Tiranës, që nëpërmjet zëdhënësit të saj sqaroi dhe qetësoi opinion publik, duke bërë të ditur se incidenti është shumë i zakonshëm dhe se asnjë nga personat e autobusit nuk është lënduar. Policia malazeze ka nisur punën për të gjetur autorët e incidentit. Ndërkohë që administratorja e agjencisë, Ana Preka, sqaron për “Korrierin” ankthin që përjetoi pas marrjes së lajmit, se autobusi i tyre me targë TR 0722 E është sulmuar në Budva të Malit të Zi. Menjëherë pas publikimit të lajmit, Ana Preka, e cila prej një viti e gjysmë administron këtë agjenci në Tiranë, është nisur drejt pikës së kalimit kufitar të Murriqanit, aty ky hyri dhe autobusi dy ditë më parë. “Pas kontakteve të vazhdueshme me autoritetet policore dhe shoferin e autobusit, gjithçka u sqarua dhe rezultoi se 50 gratë që udhëtuan për festën e 8 Marsit drejt Malit të Zi janë shëndoshë e mirë”, - tha administratorja. Flet administratorja e Agjencise Turistike Ana Preka -Çfarë ndodhi me autobusin tuaj zonja Ana? “Sipas shoferit të autobusit, Gëzim Xhepi, me të cilin unë mbajta kontakte të vazhdueshme gjatë gjithë ditës, rezulton se autobusi është sulmuar në parkingun e hotel “Skanata”, gjatë kohës që gratë ndodheshin në brendësi të hotelit”. -Kur e morët lajmin për sulmin ndaj autobusit? “Rreth orës 8.15 të mëngjesit shoferi më merr në telefon dhe më thotë se ishte dëmtuar autobusi. I janë thyer xhamat, fenerët dhe pasqyrat. Menjëherë mendja më shkoi tek njerëzit që udhëtonin me të. E pyeta për udhëtarët dhe më tha të mos shqetësohesha, pasi të gjitha gratë ndodheshin në hotel në momentin e ngjarjes”. Çfarë bëtë më pas? “Nga momenti që mora lajmin e deri tani kam bërë mbi 150 telefonata, për të mësuar më shumë mbi shëndetin e udhëtarëve. Të gjithë personat që komunikova, nga autoritete policore e deri tek shoferi që flas vazhdimisht, më thanë që pasagjerët janë shumë mirë dhe kanë filluar shëtitjen në Budva. Vetëm autobusi ka pasur disa dëmtime. Për të qenë më e siguritë u nisa drejt doganës së Murriqanit, ku mora kontakte me forcat policore, të cilat më konfirmuan sërish të njëjtën gjë. Kam folur vazhdimisht dhe me vajzën që shoqëronte gratë, e cila më tha që janë shumë mirë”. -Sa gra udhëtonin në autobusin tuaj? Mëngjesin e djeshëm (e premte) u nisën drejt Malit të Zi 50 gra për të festuar 8 Marsin. Më vjen keq që nuk u kënaqën aq sa duhet, por e rëndësishme është që janë mirë. I presim të kthehen nesër (sot)”.