E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë/ Flet deputeti demokrat Aleksandër Biberaj

Aleksandër Biberaj thotë se as nuk guxon ta mendojë se ç’mund të ndodhë nëse Shqipëria nuk merr ftesën për anëtarësimin në NATO. “Kjo është pyetje hipotetike”, tha ai teksa refuzoi qoftë edhe ta çojë nëpër mend një skenar të tillë. Deputeti demokrat tha ndërkohë se vetëm Maqedonia po i prish punë grupit të vendeve të Adriatic 3 ku bën pjesë edhe Shqipëria.   Si e vlerësoni vendimin e marrë në mbledhjen e fundit të NATO-s, për dhënien e mundshme të ftesës për tre vendet e Kartës së Adriatikut? “Mbledhja ka qenë një zhvillim pozitiv dhe në drejtimin e duhur, pasi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë diskutuar për ftesën për vendet e Kartës A3, pra për Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Mendoj se janë të gjithë shanset dhe të gjitha premisat që vendet e A3-it të marrin ftesën për në NATO. Natyrisht është një problem akoma i pazgjidhur, që ka të bëjë me problemin e emrit të Maqedonisë, por shpresoj që politika maqedonase dhe ajo greke të arrijnë një kompromis, pra një zgjidhje kompromisi deri më datë 2 prill. Por duhet të kemi parasysh edhe faktin, se politika amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian u ka bërë thirrje këtyre dy vendeve për të gjetur kompromisin dhe po i ndihmon për ta arritur këtë. Njëkohësisht i ka bërë thirrje politikës greke që të mos përdorë votën e saj në samitin e Bukureshtit për të penalizuar Maqedoninë. Mendoj se politika greke me pjekurinë që ka, duhet të reflektojë pozitivisht”. Meqenëse u vendos mundësia e dhënies së ftesës, porse në letër nuk u shkrua asnjë emër i tre vendeve, a mund të shprehemi skeptikë për marrjen e ftesës zyrtare për anëtarësim në Aleancë? “Mendoj se i vetmi problem është emri i Maqedonisë, pasi akoma nuk është arritur kompromisi midis këtij vendi dhe Greqisë. Uroj që kjo pengesë të kapërcehet. Por edhe në rast se nuk do të mund të kapërcehet, uroj që të tre vendet të marrin ftesën. Gjithashtu, nëse Maqedonia nuk do të mund të marrë ftesën për në NATO, nuk dëshiroj dhe nuk do ta quaja zhvillim pozitiv penalizimin e Shqipërisë për këtë arsye, pasi Shqipëria me ecurinë e reformave dhe me rolin paqësor dhe stabilizues që ka luajtur në Ballkan gjatë viteve të fundit, me ecurinë e reformave në fushën politike, legjislative, por edhe në ekonomi, mendoj se e meriton ftesën për në NATO. Kjo do të përbënte me të vërtetë një zhvillim historik për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Zyrtarë të lartë të NATO-s janë shprehur se tre vendet do të vlerësohen individualisht. Në rastin tonë, dy janë reformat më të rëndësishme: ajo në sistemin e drejtësisë dhe reforma zgjedhore. “Mirë do të ishte që të tre vendet të marrin ftesën. Natyrisht, ne si shqiptarë jemi të interesuar për vetveten, pra anëtarësimin e Shqipërisë. Mendoj se ecuria e reformave ka qenë pozitive. Konsensusi që mazhoranca me opozitën kanë arritur gjatë kohëve të fundit për reformën në sistemin zgjedhor dhe për reformën në drejtësi, është një zhvillim shumë pozitiv. Reforma në drejtësi po ecën dhe është në rrugë të mbarë, pasi kemi një vullnet politik të shprehur nga Parlamenti, kemi vullnetin e Presidentit të Republikës, që është kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, angazhimin e vetë KLD-së, si dhe të të gjithë institucioneve vendimmarrëse që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Mbetet për të vazhduar negociatat nëpërmjet partive politike shqiptare për reformën në sistemin zgjedhor. Natyrisht, Partia Demokratike ka qenë e hapur, është fleksibile dhe do të synojë të arrijë një kompromis sa më të gjerë për reformën zgjedhore. I rëndësishëm është vullneti politik i shprehur nga partitë politike shqiptare. Shprehja e këtij vullneti është i rëndësishëm që të na lejojë për të marrë ftesën për në NATO”. Me gjithë shpresën për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, sipas jush, cila është përgjegjësia e qeverisë dhe çfarë duhet të bëjë ajo më pas? “Mendoj se do të marrim ftesën për në NATO. Kështu që pyetja më duket hipotetike dhe nuk do të dëshiroja që ne të mos marrin këtë ftesë. Do të qëndroj në atë anë që mbështet idenë marrjen e ftesës së anëtarësimit”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›