E Diel, 1 Nëntor 2026

Franko sjell sihariqin

Franco Frattini

Frattini vjen në Tiranë, hapen diskutimet me BE-në për liberalizimin e vërtetë të vizave për shqiptarët

Bashkimi Evropian ka hapur dialogun me vendin tonë për liberalizimin e regjimit të vizave. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini, në takimin që zhvilloi me kreun e qeverisë shqiptare, Sali Berishën, ka dhënë lajmin. Sipas tij, hapja e dialogut për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian vendos kushtet dhe standardet kryesore që duhet të plotësohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e vizave. Fratini ka bërë të ditur se elemente bazë janë siguria e dokumentacionit, lufta kundër emigracionit ilegal, lufta kundër krimit të organizuar, si dhe kriteret në lidhje me marrëdhëniet me jashtë. Fratini tha se ishte në Tiranë për t’i dhënë personalisht një mesazh të fortë politik pozitiv besimi Shqipërisë dhe shqiptarëve nga BE-ja, të cilët janë në rrugë të drejtë në zbatimin e reformave ekonomike e sociale dhe në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave me të. Por ai ka deklaruar edhe kushtet për liberalizimin e plotë të regjimit të vizave. “Sa më shpejt të zbatohen reformat e të përparojë progresi, aq më shpejt do të shkohet drejt liberalizimit të vizave. Ky vlerësim i reformave do të jetë një vlerësim vend për vend, pra jo rajonal”, tha Fratini. Nga ana e tij, kryeministri Berisha theksoi se hapja e dialogut merr një rëndësi edhe më të madhe për shqiptarët, duke qenë se ata vijnë nga një izolim nga më të hekurtit në botë, si dhe për faktin tjetër, se janë një popull me emigracion të madh në numër. Ai ka siguruar zyrtarin e lartë të BE-së, se qeveria do të firmosë çdo marrëveshje bashkëpunimi, ekstradimi dhe të çdo lloji me vendet anëtare të BE-së, si dhe do t’i zbatojë ato me seriozitetin më të madh. Për të vërtetuar angazhimin serioz të qeverisë, Berisha dha si shembull ngjarjen e dy dytëve më parë, kur një nga të konsideruarit “vrasës i shumëfishtë Ufo”, nga më të rrezikshmit në Itali, Shqipëri e rajon, u kap në rrugët e Tiranës. Gjatë vizitës së djeshme, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini, ka zhvilluar një takim edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›