Kosovarët nxitojnë të blejnë toka të lira anës luginës së Fanit
Intuita se rruga e re piktoreske, me ura mbi lumin Fan dhe gjelbërimin e kodrave dhe majat e maleve sipër tyre me pisha, do të jetë një burim i ri pasurie, duket se ka orientuar kosovarët që të parët të kërkojnë në këto zona, toka të lira për t'i blerë, për të ndërtuar bare dhe restorante, apo edhe shtëpi të reja. Automjete me targa të Kosovës qarkullonin në këtë zonë, megjithëse rruga është mjaft e dëmtuar. Kosovarët, mbas përfundimit të rrugës së re, do ta shkurtojnë kohën për të ardhur në Tiranë nga Kukësi nga 6 orë sot, në 2 orë. Duket se në verën e 2010-s, qindra mijë pushuesit nga Kosova do ta kenë shumë më të lehtë për të ardhur në plazhet e Durrësit. Edhe nxitimi i tyre për të ndërtuar në rrugën e re objekte shërbimi apo magazina grumbullimi produktesh bujqësore dhe industriale, është i kuptueshëm. Fluksi i madh i turistëve në kohën e verës, por dhe zgjerimi i tregtisë me Kosovën, falë marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e bën mjaft atraktiv këtë segment të ri rrugor.
26 Shkurt 2008