Autostrada Tiranë – Elbasan, në fund të vitit të ardhshëm hapet për automjetet tuneli i Kërrabës

Brenda 10 muajsh tuneli i autostradës Tiranë – Elbasan do arrijë të shikojë dritën. Punimet në ndërtimin e veprës infrastrukturore më të rëndësishme në vend aktualisht, janë duke ecur me ritme tepër të larta. Punimet kanë avancuar në të katërta galeritë. Sipas të dhënave në galerinë e djathtë gërmimet kanë avancuar deri në 90 metra, ndërkohë që në galerinë e majtë punimet kanë shkuar deri në 100 metra. Paolo Orsini, drejtor i punimeve në tunelin e Kërrabës, shprehet se puna po ecën mirë sipas programit. “Sipërmarrja greke ka marrë urdhrin të nisë punimet në 5 maj. Mobilizimi ka nisur në një kohë të shkurtër dhe jemi duke gërmuar në të katër portalet. Aktualisht kemi gërmuar rreth 200 metra në total nga të dyja krahët. Janë ndërtuar hyrjet e tuneleve dhe nëse vazhdohet me ritmin e deritanishëm do të respektohet koha e kontratës që është parashikuar 18 muaj për përfundimin. Kështu që, në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit të vitit të ardhshëm tuneli do të jetë funksional. Brenda dy javësh do të punohet me një regjim gërmimi deri në 500 metra në muaj”- u shpreh eksperti italian, Orsini. Në të dy kantieret për hapjen e galerive punohet 24 orë pa ndërprerje. Sipas drejtuesit të punimeve në kantier, Paolo Orsini, vështirësi ka patur në hapjen e portaleve të galerive, për shkak se terreni nuk ka qenë shumë kompakt. “Kemi patur pak vështirësi në hapjen e hyrjeve, pasi materiali që gërmohet nuk është kompakt kështu që janë realizuar vepra mbrojtëse, por ditë pas dite do të hasim në një terren më të qëndrueshëm dhe besoj se nuk do të kemi surpriza”- thekson Orsini. Pas hapjes së portaleve në katër galeritë dhe gërmimet të kenë avancuar, do të fillohet me procesin e veshjes përfundimtare të tunelit me beton. “Kur gërmimet të kenë arritur një farë thellësie do të vijohet me procesin e veshjes që do të vijojë njëkohësisht me gërmimet. Presim që pas dy muajsh sipërmarrja të jetë gati me makineritë e veshjes së tuneleve që janë të gatshme dhe po presin në Greqi. Nëse gërmimi vijon siç e kemi parashikuar, mendojmë se punimet mund të përfundojnë sipas kohës së parashikuar në kontratë”- thotë ai.
Gjatësia e dy tuneleve së bashku është afërsisht 5 km. Galeria e djathtë është 2 578 metra, ndërsa e majta është 2 320 metra. Tunelet do të kenë një lartësi prej 8 metra dhe gjërësi 12 metra. Me ritme të shpejta po punohet edhe në Unazën e Madhe, e cila do të lidhet me autostradën Tiranë-Elbasan.
Traseja e njërit krah është gati e përfunduar.