E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavdekshmëria e një kolosi të thjeshtë

Me rastin e përkujtimit të 90-vjetorit të lindjes së Papës Gjon Pali II

Janë dy data historike që duhet të kujtohen gjithmonë, 18 Maji që përkon me ditën e lindjes së Karol Vojtilës dhe 2 prilli ajo e vdekjes së tij. Lindi më 18 maj 1920 në Vadovicë të Polonisë, 50 km larg nga Krakovia dhe u rrit jetim që nga mosha 8 vjeçare, me një disiplinë të rreptë, marrë nga i ati, ushtarak i lartë në ushtrinë polake, dhe nga nëna që ishte mësuese. U pagëzua me 20 qershor 1920 dhe në vitin 1938 mori sakramendin e parë. Mësimet e tij, urtësia, thjeshtësia, dhe dituria triumfuan dhe do të mbeten në historinë e njerëzimit.
Për 26 vitet e shërbimit si Papë ka bërë ndryshime të mëdha në ndërgjegjen e shumë njerëzve. Karol Jozef Vojtila është i pari Papë që mbas 400 vitesh zgjidhet nga një vend joitalian. Eshtë pasardhësi i 263-të i Shën Pjetrit dhe Papa 264 i kishës katolike. Gjatë pontifikatit të tij 1978-2005 ka bërë 617 vizita pastorale, njëra ndër këto edhe në vendin tonë. Ka kaluar të gjitha kontinentet e botës dhe ka mbajtur 2382 fjalime. Vdiq më 2 Prill të vitit 2005. Kjo datë është dhe lamtumira e tij. Një lamtumirë e thjeshtë e nderuar që iu dha këtij kollosit të mendjes, këtij shërbëtori të Zotit, një shpirti dhe trupi. Mendja e tij u ngrit në lartësinë qiellore. Me shprehjen e tij “Mos kini frikë, se keni Zotin gjithmonë pranë” tregon se ai që do të jetë i madh, le të bëhet i vogël për t’i shërbyer njerëzimit.
Unë që kam jetuar në Romë për shumë kohë, jam e lumtur që isha bashkudhëtare e kohës kur jetoi ky humanist i madh, ky njeri kaq i devotshëm, që flet me shembëlltyrën e tij për të edukuar njerëzit e gjithë rruzullit tokësor me thjeshtësinë e tij. E gjithë bota e nderoi dhe e respektoi ashtu siç e meritoi.
Unë s’do ta harroj kurrë atë ditë të 1 prillit kur e gjithë bota e dinte që ky kollos mori rrugën e pakthyeshme. Mbarë njerëzimi ishte përqendruar në lajmet e herëpashershme që jepte Vatikani atë natë nga dritarja e Selisë së Shenjtë, aty ku për shumë kohë ai jepte meshën e tij aq të dobishme për të gjithë. Dhe kur u dha lajmi se mbylli sytë përgjithmonë, të gjithë e kuptuan se kjo ishte vullnesa e Zotit që duhet pranuar.
Kujtoj lotët dhe trishtimin e mbarë njerëzimit, kujtoj të gjithë burrat dhe njerëzit më të fuqishëm të këtij globi që përuleshin para arkivolit të tij aq të thjeshtë, siç e kishte lënë ai porosi me librin e Biblës mbi atë dërrasë të thjeshtë aq të çmueshme për të, ku era e asaj dite shfletonte fletët duke treguar se ai libër aq i vlefshëm i dha atij vlerën që meritonte. Atë ditë të gjithë i dhanë lamtumirën e fundit. Kujtoj radhët e gjata pa mbarim që mbajtëm për gjithë natën duke shkuar në Vatikan për ta përshëndetur për herë të fundit. Kujtoj vajin e të varfërve, të sëmurëve dhe të atyre që ishin pa njeri, që qanin për shenjtin e tyre të thjeshtë, që u ishte gjendur gjithmonë afër dhe i kishte mbrojtur me fuqi hyjnore.
Ai vdiq. Jeta vazhdon. Ta çojmë pajtimin dhe thirrjet e Tij kudo që mungon, sepse njeriu që krijoi Zoti, është i shenjtë. Ai jetoi denjësisht me plot përvujtni, me butësi dhe durim, ai bëri çmos të ruajë njësinë e shpirtit me atë të paqes. Për sa jetoi, udhëtoi kudo nëpër botë për t’ia shtrirë dorën e pajtimit dhe vëllazërimit gjithë popujve, duke dëshmuar se jemi vellezër. Duhet të falim dhe të kërkojmë falje – këto fjalë gjallëruan dhe emocionuan çdo njeri që i dëgjoi. Kjo ishte madhështia e këtij kollosi që u mundua të ndërtonte vetëm “bashkësinë”.
Dita e lindjes dhe e vdekjes së Tij duhet të kujtohen gjithmonë. Këto pak radhë që shkrova, s’janë gjë tjetër veçse një shenjë nderimi e respekti për këtë njeri të madh. çdo njeri frikësohet nga vdekja, sepse “vdekje” do të thotë lamtumirë dhe ndarje. Kjo “gjithçka” përbën jetën e njeriut, që lind e vdes i vetëm dhe duarbosh. Por jeta e këtij njeriu i bëri njerëzit që t’i gëzohen festës së jetës. Ai thonte se duhet të jemi të lirë, ta shohim dhe ta duam jetën, por dhe duhet ta falënderojmë atë duke e përsosur. Duke e kujtuar këtë ditë le të përulemi me respekt para këtij kollosi të njerëzimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›