A quhet grevë, me turne?
Zyrtarizohet pazari i fundit i dëshpërimit që ka mbërthyer partinë e Kullës së Pezës, njoftohet se po mendohet vijimi i “grevës” me turne. A mund të quhet protestë dhe sakrificë një kamping me turne, që veç sa turpëron Shqipërinë dhe s’ndihmon as ambiciet e PS për të ardhur në pushtet? Pajtimi i grevistëve të rinj po trajtohet si një programim punësimi prej ylberistëve, duke mos marrë parasysh çudinë që lëvizjet e Edvinit po shkaktojnë në kancelaritë perëndimore
Partia Socialiste pritet të nisë fazën e dytë të grevës së urisë, duke pajtuar të tjerë qytetarë dhe deputetë, në këmbim të një pagese të majmë. Pas dështimit të grevës së urisë, pasi një pjesë e mirë e të ngujuarve bojkotuan grevën duke dalë prej çadrave pa dëshirën e Edvinit dhe duke shpërfillur forcat e sigurisë të kontrolluara prej Endri Fugës, ylberisti zyrtarizoi dje propozimin e pak ditëve më parë nga Eduart Shalsit (zbuluar për mediat, së pari nga gazeta 55), për ngujimin e të tjerë qytetarëve dhe deputetëve, për të mbajtur kështu gjallë zërin e trashë të të tjerë socialistëve, të cilët do të buçasin përmes mikrofonëve të partisë.
Pajtimi i grevistëve të rinj, bëhet pak ditë pas zbulimit të aferave financiare që lakuriqi i socialistëve po shpenzon, duke paguar protestuesit dhe grevistët. Dhjetëra video qarkullojnë tashmë në internet dhe arkivat e një pjese të mirë të mediave shqiptare, por edhe më gjerë, ku shihet qartë se njerëz të afërt të Edvinit dhe partisë, shpërndajnë të hollat sipas listës shumë emërore, të siguruara nga servilët e rretheve që mbajnë poste të rëndësishme në njësitë vendore të drejtuara nga PS-ja. “Greva jonë e urisë nuk do të ndalet nuk do ndalet me shterim fuqish, por do intensifikohet pasi shumë të tjerë kanë shprehur gatishmërinë për tu bërë pjesë e asaj çadre”- tha Rama, duke anashkaluar kështu se pse duhet të futen të tjerë në grevë urie, në një kohë kur aty vazhdojnë të qëndrojnë 18 deputetë dhe 100 socialistë.
Sigurisht, zanafilla e këtij optimizmi të ylberistit të socialistëve, vjen nga shumat milionëshe që janë shpërndarë nëpër njësitë vendore të drejtuara nga njerëz të PS-së.
Ajo që përpiqemi është që ta zgjidhim më forcën e arsyes këtë krizë. Apeli për ta zgjidhur në interes të të gjithëve këtë krizë, dhe jo në pozicionin kokëfortë, pasi është një pozicion që s’i shërben askujt. Zgjidhja është forca e arsyes dhe jo arsye e forcës, që me anë të transparencës, t’i hapim rrugë çlirimit të zgjedhjeve, t’i hapim rrugë demokracisë, një perspektive të re, pa krijuar plagë të reja të panevojshme” - u shpreh më tej ai.
Megjithatë, nuk përbën më surprizë zëri i ngjirur dhe thirrjet anarshiste të Edvinit, pasi këto po dëgjohen prej muajsh të tërë, por surprizues vazhdon të mbetet veprimtaria e Prokurorisë, për të hetuar shumat e mëdha të parave që eksponentë të PS-së kanë vënë në shërbim të reprezaljes kundër pushtetit, në një kohë kur burimi i të cilave është gjithnjë e më shumë enigmatik. I gjithë opinioni publik bën pyetjen e thjeshtë: “A ka grevë me turne?”. është një pyetje që e vështirëson edhe më tej pozicionin e Partisë Socialiste, por edhe që mund të orientojë hetimin e pritshëm të institucionit të akuzës.