Pawlenty sfidues i Obamës?

Si republikani i parë, Tim Pawlenty ka sinjalizuar interesimin e tij për të kandiduar për president të SHBA-së, në zgjedhjet që zhvillohen në vitin 2012. Por, ai megjithatë nuk konsiderohet si favorit.
Ish-guvernatori i Minnesotas tashmë ka formuar një Komitet, për të vlerësuar gjasat e tij, nëse vendos të sfidojë presidentin aktual të SHBA-së, Barack Obamën.
Formimi i Komitetit konsiderohet si hapi i parë, në parapërgatitje për të hyrë në garë me kandidatët tjerë republikanë, për përzgjedhjen e kandidatit të partisë për zgjedhjet në vitin 2012.
Zgjedhjet presidenciale zhvillohen në nëntor të vitit 2012, ndërsa fushata për zgjedhjet brenda-partiake fillon në fillim të vitit të ardhshëm.
Në anketat e bëra në radhët e republikanëve, Pawlenty nuk konsiderohet si favorit.
Gjasa më të mëdha për të ngadhënjyer vlerësohet se kanë ish-guvernatorët Mike Huckabee dhe Mitt Romney, si dhe ikona e lëvizjes “Tea Party”, ish-guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin.