“Virusi A”, qeveria s’ka para për blerjen e vaksinave
Qeveria parashikon çdo vit në buxhetin e shtetit një fond kontigjence për t’u paraprirë ngjarjeve të paparashikuara, si fatkeqësitë e mëdha natyrore apo epidemitë masive. Në buxhetin 2009, fondi i kontigjencës ishte më i madhi ndonjëherë me rreth 15.7 miliardë lekë. Nga këto pjesa dërrmuese prej rreth 9.2 miliardë lekësh ishin të përcaktuara si rezerva për rritjen e pagave dhe për investimet publike. Por edhe pse fondet dukeshin të mjaftueshme, shpenzimet pa kriter të muajve të fundit që prej fushatës zgjedhore e deri tani, e kanë boshatisur edhe fondin e emergjencave. Sipas zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, ky fond nuk mund të prekej pasi paratë ishin të rezervuara për çdo rast të rënies së të ardhurave. Por në fakt fondi jo vetëm që është prekur nga qeveria, por është ezauruar i gjithi, në një kohë që tani që nevoja e kërkon që një pjesë e tij të përdoret për masat ndaj gripit të derrit, qeveria ngre duart dhe thotë që nuk ka para. Për blerjen e vaksinës qeveria shpreson të sigurojë fonde nga organizmat ndërkombëtare por ende nuk ka konfirmime zyrtare dhe të gjitha burimet e mundshme për gjetjen e parave deri tani mbeten vetëm hipotetike. “Ne kemi përdorur deri tani vetëm kontigjencën e pagave dhe pensioneve. Kemi përdorur rreth 92 për qind të kontigjencës në përputhje me realizimin e të ardhurave”,- shprehet Shehu. Tashmë qeveria ka në buxhet nga fondi i kontigjencave vetëm 6 miliardë lekë të paalokuara, por edhe këto nuk mund t’i përdorë dot për shkak të ecurisë së dobët të të ardhurave nga taksat. Ndaj në skenarin e një epidemie masive shpresat për të gjetur paratë për blerjen e vaksinave të gripit mbeten tek të huajt, ose në rastin më të keq përmes borxhit tregtar. “Ne kemi një kontigjencë që nuk është në buxhet por që është në projektin e gripit të pulave dhe janë 2.5 milionë dollarë të premtuara nga Banka Botërore. Mundësia e dytë është buxheti dhe e treta OBSH-ja”,- thekson numri dy i Financave. Por tkurrja e të ardhurave dhe shpenzimet e larta kanë sjell thellimin e mëtejshëm të deficitit buxhetor, i cili në korrik arriti 40 miliardë lekë ose 22 për qind më shume nga plani i miratuar nga parlamenti.
20 Gusht 2009