Pazaret e drogës nga qelia e burgut, arrestohen 4 persona
Pazaret e drogës që çuan në organizimin e operacionit “Pirro” nga policia, ku u vunë në pranga katër persona dhe u sekuestrua 2 kg e 15 gramë heroinë, bëheshin nga qelia e burgut. Fakti bëhet i ditur nga burime policore, ndërkohë që bëhet e ditur se i dënuari kishte kohë që përgjohej për aktivitetin e drogës të drejtuar nga burgu. Madje, përmes këtyre përgjimeve, u arrit të zbardhej jo vetëm vendi ku do të bëhej shkëmbimi i drogës, por edhe përfshirja e një prokurori si ndërmjetës për uljen e viteve të dënimit për shokun e tij të qelisë, kundrejt shumës prej 5 milionë lekëve. Operacioni i koduar “Pirro” u zhvillua vetëm pak orë pasi prokurorit dhe dy personave të tjerë u ishte komunikuar akuza dhe masa “arrest shtëpie”, ndërkohë që katër personat e përfshirë në trafikun e drogës janë arrestuar në orët e vona të mbrëmjes në Isull, Lezhë. Pas një hetimi të kryer prej disa muajsh, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda organizuan këtë operacion në Lezhë, duke vënë në pranga shtetasit Pëllumb Jakupi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Fier, Angjelin Ujka, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër dhe Agim Kashari, 46 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Koplik, Shkodër dhe ndalimi i 23-vjeçarit Arbri Jakupi, lindur e banues ne Fier. Sipas burimeve nga policia, pazaret e drogës bëheshin nga qelia e burgut dhe kanë qenë pikërisht përgjimet e telefonatat në lidhje me këto pazare, që çuan në arrestimin e grupit. Gjatë arrestimit, agjentët e policisë kanë arritur që të bllokojnë edhe një armë pistoletë të tipit “Beretë”, e cila ishte e pajisur edhe me antizhurmues, si dhe katër kilogramë pluhur, që dyshohet se do përdorej si përzierës për drogat. Sipas burimeve nga policia, kanë qenë përgjimet telefonike ato që kanë çuar në realizimin këtij aksioni. Të katër të arrestuarit janë shoqëruar për në qelitë e komisariatit, ku pritet të dalin përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.
Zbulimi dhe hetimet
Agjentët e policisë kishin nisur hetimet në lidhje me grupin kriminal. Punonjësit e policisë arritën tek zbardhja e aktivitetit të tyre, pas përgjimit të telefonatave të një tjetër pjesëtari të grupit, i cili ndodhet në burg. Burime nga policia shprehen se i dënuari, pjesë e grupit, bisedonte me pjesëtarët e tjerë, në lidhje me detajet e “kryerjes së biznesit” që nga qelia. Sapo kanë arritur të konstatojnë si funksiononte shitja e drogës, grupi hetimor filloi nga përgjimet, si të telefonatave të të dënuarit, shok i Besnik Brakës, ashtu dhe të personave jashtë burgut. Pas marrjes së informacioneve për lëvizjen e radhës së këtij grupi, u realizua operacioni “Pirro”, ku u vunë në pranga katër shtetas dhe u bllokua një sasi droge e llojit heroinë. Operacioni është realizuar në orët e vona të natës dhe vendi ku pritej të bëhej shkëmbimi ishte në Ishull, Lezhë. Në momentin që shkëmbehej droga, policia ndërhyri dhe vuri në pranga shtetasit Pëllumb Jakupi, 50 vjeç; Angjelin Ujka, 50 vjeç; Agim Kashari dhe Arbri Jakupi, 23 vjeç.
Sipas burimeve nga policia, arrestimi i tyre u bë pasi, në vendin e quajtur fshati Ishull-Shëngjin, Lezhë, në afërsi të rotondës, gjatë kontrollit të automjetit të markës “Mercedes Benz”, me targa MA 2171 B, u gjenden të fshehura në pjesën e bagazhit të tij 4 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë 2 kg e 15 gramë dhe një sasi prej 4 kg pluhur, të dyshuar përzierës të lëndës narkotike. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, një pistoletë me silenciator, tip “Beretë”, 8 copë fishekë, një automjet dhe 7 aparate celularë. Të katër të arrestuarit janë shoqëruar në qeli, në pritje për të dalë përpara drejtësisë. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.
Detaj
4 pako me drogë të dyshuar heroinë dhe 4 kg pluhur të dyshuar përzierës të lëndës narkotike u gjetën në makinë
Të arrestuarit
Pëllumb Jakupi, lindur dhe banues në Fier
Angjelin Ujka, lindur dhe banues në Shkodër
Agim Kashari, lindur në Patos, Fier dhe banues në Koplik, Shkodër
Arbri Jakupi, i datëlindjes 11.08.1985, lindur e banues në Fier
Akuza
“Trafikimi i lëndëve narkotike”