E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e dënimit për Besnik Brakën, “arrest shtëpie” për motrën e tij



Violanda Braka do dorëzonte 5 milionë lekë te prokurori Plepi. Sot, komunikimi i masës së arrestit në Gjykatën e Tiranës. Hetimi, emri i gjyqtares Balili nuk përmendet gjatë përgjimeve

Një ditë pas arrestimit në kushtet e shtëpisë për prokurorin Aleksandër Plepi dhe dy shtetas të tjerë, rritet numri i personave të përfshirë në çështje. Policia e Tiranës ka arrestuar motrën e të dënuarit Besnik Braka, 52-vjeçaren Violanda Braka, si personin që do t’i dorëzonte paratë prokurorit Aleksandër Plepi, i akuzuar se kundrejt përfitimit të 5 milionë lekëve, do ndikonte në uljen e dënimit për vëllanë e saj. Sipas burimeve, e motra e të pandehurit do të ishte personi që do të çonte lekët tek dy njerëzit e tjerë që “ndërmjetësuan” në uljen e dënimit të Besnik Brakës. Por gjatë përgjimeve telefonike për një çështje trafiku droge, u arrit që të zbulohej “marrëveshja” midis dy palëve. Agjentët ishin duke përgjuar bisedat telefonike të një personi, i cili ishte edhe shok qelie me Brakën dhe që po diskutonte në lidhje me “pazaret e drogës”. Sipas burimeve nga përgjimet e bisedës së këtij njeriu, u arrit që të realizohej edhe operacioni “Pirro”, ku u arrestuan katër persona dhe u sekuestruan 2 kg heroinë. Por në bisedë u përmend edhe emri i prokurorit dhe shuma e lekëve që do të jepeshin, për të bërë të mundur edhe uljen e dënimit të Brakës. Pas marrjes së këtyre informacioneve, dy ditë më parë u mor masa “arrest shtëpie” për prokurorin dhe dy shtetas, ndërkohë që dje iu komunikua e njëjta akuzë edhe Violanda Brakës. Sot, katër shtetasit pritet të përballen me provat dhe akuzën në Gjykatën e Tiranës, gjatë vlerësimit të masës së sigurisë. Burime zyrtare nga akuza bëjnë të ditur se gjatë përgjimeve, për asnjë moment nuk është përmendur emri i gruas së prokurorit, Marsela Balili, gjyqtares që kryesonte gjykimin e Besnik Brakës, i dënuar me 14 vjet burg nga 18 që kërkoi prokurori. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për veprat penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal për shtetasit Aleksandër Plepi, Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›