E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimaj: Luftëtari e respekton Himarën, por duhet ta mundë

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Portieri shkodran, Erind Selimaj, thekson se himariotët nuk duhet të mërziten që do të humbasin në Gjirokastër

Për ndeshjen Luftëtari-Kukësi, që sipas kalendarit do të luhej më 24 dhjetor 2011, kemi shkruar që më 19 dhjetor dhe vazhdojmë të shkruajmë. Ajo ndeshje, për shkak të borës nuk u luajt, u shty dhe u rishty po për arsye të motit, por deri kur? Ashtu sikundër kemi shkruar, ndeshja në fjalë mund të zhvillohej fare mirë, sepse ditë ka pasur plot, por për arsye të ditura ose jo u vendos që të luhej pas javës së 16-të.

Kampionati do të rifillojë më 25 shkurt me ndeshjet e javës së 17-të, ndërkaq ende nuk ka një njoftim zyrtar për të prapambeturën, ndoshta për ta bërë misterin e rezultatit më të mistershëm. Ndërkohë, dy palët krenohen për sukseset e arritura  dhe deklarojnë se nuk i tremben njëra-tjetrës.

Kaluan festat e të dashuruarve dhe të vetmuarve dhe Luftëtari, në sajë të dashurisë për futbollin dhe të pjesëtarëve të ekipit midis tyre, ndodhet i vetmuar aktualisht në krye të renditjes, pozicion që jo vetëm e do shumë, por është i angazhuar me të gjitha forcat për të mos ia lënë askujt tjetër. Dhe kjo gjë do të arrihet po të korrë më shumë fitore se rivalët.

Selimaj Futbollisti që nuk ka munguar asnjë sekondë në ndeshjet e deritanishme të Luftëtarit është gardiani shkodran, Erind Selimaj, fjalëpak e punëshumë. Për fitoren në Vlorë dhe ndeshjen me Himarën ai thotë: Luftëtari kaloi një moment krize në Vlorë, ku pësuam një gol ndoshta të evitueshëm, por, pas kësaj i morëm frenat e lojës në dorë, barazuam dhe fituam. Ishte një fitore  e merituar, sepse treguam karakter të fortë dhe arritëm ta mposhtnim vrullin e djemve vlonjatë, që kanë patos për futbollin.

Kryesimi ynë është i padiskutueshëm në sajë të gjithë faktorëve, që do të na çojnë në suksesin final. Shtyrja e kampionatit është pozitive për ekipin tonë, që ka disa futbollistë të dëmtuar dhe që kësisoj do të riaftësohen. Ndeshja e radhës, me sa jemi në dijeni, do të jetë me Himarën, që e respektojmë, por objektivi ynë na detyron të luftojmë për të fituar 3 pikët. Dhe Himara mendoj se nuk duhet të mërzitet që mund të humbasë me Luftëtarin e këtij sezoni, që është mjaft i kompletuar për kategorinë e parë, ndoshta dhe për ca më shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›