E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BSH-së: “Portofoli i kredive me probleme rritet në 6.6 për qind në 2009-n”

Bankat, si kundërmasë, shtrëngojnë kredidhënien për privatët. Pakësimi i kredive pritet të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë

Ervin KOÇI

Bankat private në vend po tregohen gjithnjë e më “dorështrënguara” në dhënien e kredive ndaj klientëve të tyre, qofshin biznese apo individë. Sipas një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë, treguesit e dy muajve të parë të vitit 2009 konfirmojnë pritshmëritë për një rënie të ritmit të rritjes së kredisë gjatë vitit 2009. Sipas BSH-së, ritmi i ulët i zhvillimit të ekonomisë në vend do të ndikohet edhe si pasojë e stimulit të ulët financiar nga ana e bankave, të cilat do të bëhen më të kujdesshme në financimin e projekteve për vitin 2009. Në raportin e BSH-së për stabilitetin financiar theksohet se treguesit e dy muajve të parë të vitit 2009 konfirmojnë pritshmëritë për një rënie të ritmit të rritjes së kredisë gjatë vitit 2009. “Kjo situatë do t’i bëjë bankat më të kujdesshme në përzgjedhjen e projekteve që do të financojnë dhe ka mundësi ta orientojnë veprimtarinë e kreditimit në afate më të shkurtra dhe drejt monedhës kombëtare, për të cilën ato kanë mundësi të sigurojnë burime më të qëndrueshme financimi”, - theksohet në raportin e ekspertëve të BSH-së.
Nga BSH-ja vlerësohet se në muajt e parë të vitit 2009 ritmi i rritjes së depozitave është më i ulët se ai i shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (2008).

Kreditë me probleme

Sipas konstatimit të BSH-së, portofoli i kredive me probleme dhe i kredive të këqija në total është rritur gjatë dy muajve të fundit. “Përsa i takon rezultatit financiar të sektorit bankar, ai pritet të jetë më i dobët gjatë këtij viti, si rezultat i rënies së të ardhurave nga interesat, si dhe rritjes së fondeve rezervë për kredinë me probleme”, - theksohet në raportin më të fundit të BSH-së. Kriza ekonomike ka krijuar vështirësi te qytetarët dhe bizneset për të shlyer kreditë që kanë marrë pranë bankave. Sipas të dhënave të BSH-së, në fund të vitit 2008, portofoli i kredive të këqija ose i huave që nuk janë kthyer ka arritur në 6.6 për qind, ose dyfish më i lartë se një vit më parë. Ekspertët e sistemit bankar shpjegojnë se ky është një efekt i pritshëm i krizës botërore, i shkaktuar edhe si pasojë e rënies së dërgesave nga emigrantët. Sekretari i Shoqatës së Bankave, Elvin Meka, në një intervistë për mediat u shpreh se, “ky përbën një nga efektet e pritshme të krizës globale, e cila ka krijuar një farë shtrëngese si për biznesin, ashtu dhe për qytetarët e thjeshtë. Kjo mund të jetë ndikuar edhe nga dërgesat e emigrantëve, që në një farë mënyre shërbenin si një bazë e mirë për shlyerjen e kredive ose huave, qofshin këto të bizneseve ose kredisë konsumatore”. Por rritja portofolit të kredive të këqija nuk përbën problem për bankat tona. Ekspertët shpjegojnë se gjatë vitit 2008 sistemi bankar ka dalë me fitim duke mbuluar edhe sasinë që nuk është kthyer.

Shtrëngimi i masave

Për t’u mbrojtur nga efektet e krizës financiare botërore, bankat që operojnë në vend kanë marrë masat e tyre mbrojtëse duke zbatuar politika shtrënguese në kreditimin e ekonomisë. Ato kanë shtuar numrin e procedurave për dhënien e një kredie dhe kanë rritur normat e interesit. Një situatë e tillë ka çuar në një rënie të ritmeve të kreditimit. “Kjo situatë do t’i bëjë bankat më të kujdesshme në përzgjedhjen e projekteve që do të financojnë, si edhe ka mundësi ta orientojë veprimtarinë e kreditimit në afate më të shkurtra dhe drejt monedhës kombëtare, për të cilën ato kanë mundësi të sigurojnë burime më të qëndrueshme financimi”, - theksojnë ekspertët e BSH-së. Kontratat bëhen me shkrim dhe një kopje e firmosur nga palët i jepet konsumatorit ose i dërgohet me postë të regjistruar në adresën e konsumatorit brenda 10 ditësh. Në rastin e çdo kontrate garancie një kopje e kontratës së garancisë dhe e kontratës së kredisë i jepet edhe garantuesit të kredisë, që është dorëzanësi. Në kontratë përcaktohen qartë kushtet, qëllimi i përdorimit të kredisë, afatet e shlyerjes dhe penalitetet.

Rregullorja, klienti përfiton kur bën shlyerje të parakohshme kredie

Banka e Shqipërisë sqaron se qëllimi i rregullores është mbrojtja e interesave të kredimarrësve të kredisë konsumatore dhe kredisë hipotekore për individin. Rregullorja synon të sigurojë transparencë dhe pajisjen e personave që duan të marrin kredi me informacionin e nevojshëm, për të krahasuar ofertat në treg. Rregullorja është e detyrueshme për bankat, degët e bankave të huaja dhe subjektet financiare jo-banka. Nëse parashikohet shlyerja e kredisë para afatit, banka duhet të shpjegojë kushtet e shlyerjes së parakohshme, nëse ka të tilla, si dhe shpenzimet plus që mund të sjellë kjo shlyerje. “Kur s’është e mundur të përcaktohen shpenzimet që në këtë moment, duhet të shprehet qartë që një shumë e tillë e mjaftueshme do të jetë e pagueshme për të kompensuar kostot e bankës për kryerjen e transaksioneve”, - thekson dokumenti.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›