BSH: Në 2008-n u paguan 28 milionë euro interesa të borxhit
Kreditë që shteti shqiptar ka marrë në vite po i rëndojnë gjithmonë e më shumë buxhetit. Gjatë vitit të kaluar, vetëm për interesat e borxhit të jashtëm qeveria ka paguar një shumë prej 28 milionë eurosh nga paratë e tatimpaguesve shqiptarë. Shifra është bërë publike nga Banka e Shqipërisë në deklaratën “Mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë” për vitin 2008. Institucioni mbikëqyrës bankar bën të ditur gjithashtu se gjatë vitit që lamë pas, borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka pësuar rritje të ndjeshme, por pse shifra zyrtare për totalin e tij ende nuk ka dalë. Lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, gjatë këtij viti, vlerësohen në 456 milionë euro, nga të cilat 74 për qind kanë shkuar për sektorin publik. Shifra e fundit zyrtare për borxhin e jashtëm i referohet vitit 2007, periudhë kur ky tregues vlerësohet në rreth 1.8 miliardë dollarë. Kjo do të thotë çdo qytetar duhet të paguajnë 580 dollarë që vendi të mos ketë më borxhe. Por kjo shifër ka pësuar rritje gjatë vitit 2008, për shkak të kredive që janë marrë dhe do të vazhdojë të rritet edhe gjatë këtij viti, për të njëjtat arsye. Kështu, muajin e kaluar qeveria shqiptare zhvilloi tenderin për sigurimin e një kredie prej 300 milionë euro, e cila do të përdoret për investime publike.
Ekonomistët: Të rishikohet marrëveshja me FMN-në
Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se qeveria shqiptare u tregua e nxituar me largimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në këtë vit krize. Ata kërkojnë që qeveria të rishikojë marrëveshjen me FMN-në, në mënyrë që të mund të përfitojë para nga shuma që vendet e G20-s dhanë për ekonomitë më të prekura nga kriza. “Unë jam i mendimit që ne u nxituam me largimin e butë, por të vendosur të FMN-së. Unë e dija që ky institucion do të ishte strumbullari i kësaj krize, nga e cila do të kemi nevojë të marrim para”, - shprehet ish-guvernatori i BSH-së, Shkëlqim Cani. Sipas tij, Ministria e Financave është duke përdorur një gjuhë në të cilën vetëm fjala krizë nuk ekziston. “Është e nevojshme që të flasim hapur për efektet e kësaj situate, se vetëm në këtë mënyrë do të mund të marrim para”, - thotë Cani. Por, që të përfitosh para nga FMN-ja, duhet që më parë të kesh marrëveshje me të. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, pranon se mund të negociohet sërish për të marrë fonde. Edhe Serbia nuk ka marrëveshje me FMN-në, por kur ajo pati nevojë për para, pas tre muajsh negociata arriti të përfitonte fondet e nevojshme. Aktualisht qeveria shqiptare është në kërkim të parave shtesë për të përballuar efektet e krizës.
7 Prill 2009