E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali në Arsim, mësuesit me arsim të lartë paguhen si të jenë me gjimnaz

Udhëzimi i ministrit Beja i kategorizoi në strukturën ku marrin 6 mijë lekë më pak. Avokati i Popullit, pas ankesave, i shkruan ministrit për ta zgjidhur këtë problem

Laureta Rryçi

Tiranë - Të diplomuar me arsim të lartë, por të paguar si me arsim të mesëm. Ky është fati i shumë mësuesve parauniversitarë në vend, falë udhëzimit më të fundit të ministrit të Arsimit, Fatos Beja. Që nga korriku i vitit të kaluar e deri sot të gjithë këta mësues marrin 6 mijë lekë më pak nga rroga e tyre për një kategorizim në strukturën e pagesave për arsimin parauniversitar. Skandali është zbuluar nga Avokati i Popullit pas ankesës së dy mësueseve nga Tirana. Duke analizuar problemin, specialistët e këtij institucioni kanë konstatuar se nga ky udhëzim ishin prekur shumë mësues në të gjithë vendin. Para se të bëheshin ndryshime përcaktohej se për të gjithë punonjësit mësimorë në arsimin parauniversitar, diplomë e shkollës së lartë do të konsiderohen diplomat e degëve të mësuesisë në shkollën e lartë si dhe diplomat e instituteve 1 dhe 2-vjeçare për mësuesi. Pra, sipas këtij parashikimi, të gjithë personat që kishin mbaruar arsimin e lartë në degën e Mësuesisë trajtoheshin në të njëjtën mënyrë, pavarësisht nëse jepnin mësim sipas profilit apo jashtë tij. Ndërkohë që udhëzimi i fundit bën një kategorizim të pagave, por duke lënë jashtë pikërisht kategorinë e personave që kanë mbaruar arsimin e lartë në degën e Mësuesisë, por që nuk japin lëndë të profilit të tyre, duke i barazuar me personat që janë me arsim të mesëm. Aq më tepër ankueset, të cilat kanë mbaruar arsimin e lartë për gjuhë të huaj japin mësim të gjuhës shqipe dhe ku elementet pedagogjike gjatë studimeve të larta kanë qenë në kurrikulën mësimore.
Ankesa
Pranë institucionit të Avokatit të Popullit kanë paraqitur ankesë dy mësuese, të cilat japin mësim në shkolla në varësi të Drejtorisë Rajonale Qarkut Tiranë. Në ankesën e tyre ato shpjegojnë se në vitin shkollor 2008-2009 paga e tyre është ulur në vlerën 6000 lekë për shkak të kategorizimit të pagës së tyre, pikërisht në grupin II “2”. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit Nr. 30, datë 29.07.2008 “Për disa ndryshime në Udhëzimin Nr. 8, datë 06.05.1999 “Për pagat e punonjësve mësimore në arsimin parauniversitar”. Konkretisht, ankueset kanë mbaruar arsimin e lartë në degën Gjuhë Ruse dhe japin mësim në lëndën Gjuhë Shqipe. Pra, pavarësisht se ato kanë mbaruar arsimin e lartë, konsiderohen me arsim të mesëm dhe paguhen njëlloj si ata persona që kanë mbaruar shkollën e mesme. Ky ndryshim në kategorinë e pagës për këta ankues ka ardhur për shkak të Udhëzimit Nr. 30, datë 29.07.2008 “Për disa ndryshime në Udhëzimin Nr. 8 datë 06.05.1999 ‘Për pagat e punonjësve mësimore në arsimin parauniversitar’”, i cili bën një kategorizim të ri të pagave në arsimin parauniversitare.
Rekomandimi
Pas analizimit të ankesës dhe udhëzimit të ri dhe të vjetër që rregullon pagat për mësuesit në arsimin parauniversitar, Dobjani e ka pyetur ministrin e Arsimit: “Lidhur me këtë konstatim mund të shtrohet natyrshëm pyetja se ky akt, pra udhëzimi, është një akt i ri, apo është interpretim i një akti tjetër?”. Sipas Avokatit të Popullit, në rast se kemi të bëjmë me interpretim, atëherë nuk duhej të ishim para një situate në të cilën subjekteve të caktuara u rëndohet pozita e tyre, pra duke iu ulur paga. Pra, nga kjo analizë mund të themi me siguri që jemi para një akti të ri, i cili, duke qenë një akt nënligjor, duhet të dalë në përputhje me të, pra nuk duhet të kalojë dhe kufijtë e tij. “Ne konstatojmë se me Udhëzimin Nr. 30, datë 29.07.2008 të ministrit të Arsimit, u janë shkelur të drejtat legjitime një sërë subjektesh, të cilat janë diskriminuar duke u trajtuar në pagë në të njëjtën mënyrë si dhe personat me arsim të mesëm”, - thuhet në rekomandimin e Dobjanit. Sipas tij, duhet të ketë kategorizim në pagë për mësuesit, por ky kategorizim duhet të jetë së pari në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 194, datë 22.04.1999 “Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”, i ndryshuar; dhe së dyti, autoriteti, pra ministri i Arsimit, duhet të ketë të drejtë që të bëjë një kategorizim sipas profilit të shkollës së lartë dhe ngarkesës mësimore, pra të autorizohet shprehimisht nga VKM-ja përkatëse.
Së fundi Dobjani i ka kërkuar ministrit Beja se në rastin në fjalë nevojitet që nga ana e tij të plotësohet udhëzimi, ku të përcaktohet se në cilën kategori do të futen pikërisht ata persona, të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë për Mësuesi dhe që kanë një ngarkesë të plotë mësimore në lëndë jashtë profilit. Kjo kategori, natyrisht, nuk mund të trajtohet me arsim të mesëm, por ndërkohë nuk ka një ngarkesë më pak se 30% jashtë profilit, aq më tepër që ka persona që kanë mbaruar arsimin e lartë si mësues për gjuhë të huaj.

Box

Udhëzimi Nr. 30, datë 29.07.2008 në pikën 1 parashikon:

Paga e grupit sipas nivelit arsimor të kërkuar nga vendi i punës:

Grupi I “1” Me diplomë të shkollës së lartë për mësuese, por që japin mbi 30% të ngarkesës mësimore lëndë të profilit të tyre me diplomë të shkollës së lartë për mësuesi, që japin mësim në klasat kolektive të ciklit të lartë. Me diplomë të shkollës së lartë për degët Fizikë e Biologji dhe japin mësim në klasën me dy mësues për dy klasë.

Grupi II “2”: Me shkollë të mesme pedagogjike; me shkollë të mesme profesionale, ku fitohet specialiteti për mësuesi; diplomë mbi shkollën e mesme. Punonjësit mësimorë me diplomë të shkollës së lartë për mësuesi me diplomë të shkollës së lartë për mësuesi, që japin më pak se 30% të ngarkesës mësimore me lëndë jashtë profilit.

Udhëzimin Nr. 8, datë 06.05. 1999

Ndarja në grupe sipas nivelit arsimor:

- Grupi I, diplomë e shkollës së lartë
- Grupi II, diplomë e shkollës së mesme
- Grupi III, Diplomë dhe dëftesë pjekurie e shkollës së mesme
- Grupi IV, dëftesë lirimi

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›