E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët, aplikime të reja për “Brain Gain”



Të gjithë pedagogët e universiteteve që kanë përfunduar studimet jashtë dhe janë kthyer në vend, do të mund të aplikojnë për vende bosh në bazë të programit “Brain Gain” të qeverisë shqiptare, që synon “rikthimin e trurit” në atdhe. Programi ka bërë publike kriteret e pranimit të aplikantëve, të cilët përfitojnë ndihmesën qeveritare, në bazë të projektit të bashkëfinancuar nga UNDP-ja. Afati i fundit për aplikimin është data 17 e këtij muaji.

Kushtet

Për të përfituar nga lehtësitë e “Brain Gain” aplikantët duhet të plotësojnë një seri kushtesh. Pikësëpari, ata duhet të jenë kthyer në Shqipëri pas 25 shtatorit 2006, që është data e fillimit të programit, si dhe të kenë filluar punë në institucionin e arsimit të lartë pas 1 janarit 2008. “Të jenë të punësuar me kohë të plotë (aplikimi të shoqërohet nga kontrata), ku të tregohet edhe norma mësimore që ka për të përmbushur individi”, – përcakton njoftimi.

Kritere të tjera kanë të bëjnë me sfondin akademik të tyre. Kështu, aplikantët duhet të kenë mbaruar studimet e Masterit apo Doktoraturës me rezultate të paktën mbi mesatare dhe të kenë si dokumentin e Masterit ashtu edhe fletën shoqëruese të notave. Kriter përjashtues është aplikimi i atyre që janë të punësuar me kohë të plotë në më shumë se një universitet.

Për të aplikuar, kandidatët duhet të paraqesin tri referenca, prej të cilave dy duhet të jenë të huaja. Njoftimi përcakton se ndër referencat e huaja duhet të jetë së paku një profesor, ndërkohë që rekomanduesi tjetër mund të jetë ish-punëdhënës. “Për profesorët vizitorë duhet të ketë një vendim të këshillit të fakultetit dhe lënda duhet të jetë e nivelit të Masterit”, – bën të ditur njoftimi.

“Brain Gain”

“Brain Gain” ose “rikthimi i trurit” është një projekt i nisur në vitin 2006 nga qeveria shqiptare dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP. Në bazë të këtij programi, të gjithë ata të diplomuar shqiptarë jashtë shtetit, që kanë përfunduar studimet me rezultate të kënaqshme dhe kanë përvojën e vendit ku kanë qëndruar, do të kenë lehtësi për t`u rikthyer në atdhe.

Punëdhënësi kryesor i përfituesve të “Brain Gain” është administrata publike, që ka vendosur si qëllim krijimin e hapësirave dhe mundësive më të mëdha për të diplomuarit jashtë shtetit.

Kriteret

1. Të jenë kthyer në Shqipëri pas 25 shtatorit 2006 (data e fillimit të programit “Brain Gain”) dhe të kenë filluar punë në institucionin tuaj pas 1 janarit 2008.

2. Të jenë të punësuar me kohë të plotë (aplikimi të shoqërohet nga kontrata) ku të tregohet edhe norma mësimore që ka për të përmbushur individi.

3. Të ketë mbaruar studimet e Masterit apo Doktoraturës me rezultate të paktën mbi mesatare dhe të ketë si dokumentin e Masterit, ashtu edhe fletën shoqëruese të notave.

4. Të mos jetë i/e punësuar me kohë të plotë në një institucion tjetër publik apo privat.

5. Të kenë tri referenca nga të cilat dy të huaja (një profesori dhe një punëdhënësi apo një profesor tjetër).

6. Për profesorët vizitorë duhet të ketë një vendim të këshillit të fakultetit dhe lënda duhet të jetë e nivelit të Masterit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›