E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi; Ministri Alibeaj pret delegacionin e parlamentarëve çekë



Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u takua dje me një delegacion parlamentar çek, anëtarë të Komisionit të Çështjeve Kushtetuese dhe Ligjore, si dhe anëtarë të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, z. Marek Benda. Biseda mes palëve u përqendrua tek reforma në gjyqësor dhe mbarimi me sukses i pjesës së parë të kësaj reforme, me miratimin e një sërë ligjesh, në mes tyre edhe më i debatueshmi, ligji për prokurorinë. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se kjo reformë, si një nga angazhimet më të mëdha të qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend, i është përgjigjur integrimit të vendit në NATO. “Reforma në drejtësi i ka kapërcyer dy problemet e saj themelore, nevojën për reformim dhe ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit, duke përmbushur kështu kriteret bazë të integrimit të vendit në BE”, - deklaroi ministri Alibeaj. Kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Kushtetuese, Mr. Marek Benda, përgëzoi ministrin për hyrjen e Shqipërisë në NATO, si një arritje e madhe në integrimin evropian të vendit, duke deklaruar se reforma në gjyqësor duhet jo vetëm të ruajë pavarësinë e sistemit, por edhe të nxisë dhënien e vendimeve të shpejta dhe të drejta. Më pas, biseda u përqendrua në ligjin për gjykatat administrative, për të cilat z. Marek Benda, kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Kushtetuese të Parlamentit çek, u shpreh se “me ngritjen e tyre, plotësohet një nga kriteret për integrimin e Shqipërisë në BE”. Nga ana e tij, ministri Alibeaj theksoi punën e madhe që është bërë për hartimin e projektligjit për ngritjen e Gjykatave Administrative dhe rëndësinë që “ka ngritja e tyre, si limituese të pushtetit administrativ, por për fat të keq miratimi i këtij ligji nuk po merr konsensusin e opozitës”. “Pavarësisht kësaj, shpresoj që opozita ta japi konsensusin brenda kësaj legjislature, që janari i vitit 2010 të shënojë fillimin e punës së Gjykatave Administrative”, - tha ministri Alibeaj, duke i deklaruar delegacionit çek se reforma në gjyqësor do të jetë sfidë e vazhdueshme e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›