Porti i Durrësit ul taksat, përfitimet e sipërmarrjeve
Deri në 30 për qind ulje ka parashikuar të kryejë Autoriteti Portual i Durrësit në të gjitha taksat dhe tarifat e shërbimeve. Sipas drejtorit ekzekutiv të APD-së, Eduard Ndreu, ndryshimi në fjalë “bëhet për t’i ardhur në ndihmë biznesit vendas, me qëllimin për të mënjanuar çdo efekt që kriza ekonomike globale mund të ketë mbi to”.
Taksat dhe tarifat e reja portuale të cilat duhej të kishin hyrë në fuqi disa ditë më parë ashtu sikurse kishte njoftuar zyrtarisht APD-ja, janë anuluar. Në port punohet me taksat dhe tarifat ekzistuese. APD-ja ka vendosur të propozojë vlera të reja për taksat, por që do të jenë rreth 30 për qind më të ulëta.
Ulja e taksave portuale
Ulja e taksave portuale, pikërisht tani, bëhet me qëllimin e mirë për të mos rënduar më tepër bizneset e mesme dhe të mëdha dhe për t’i krijuar atyre vijueshmëri në punën e tyre dhe marrëdhënien me APD-në. Disa ditë më parë, sikurse ishte njoftuar zyrtarisht, në port do të niste aplikimi i taksave dhe tarifave të reja për shërbimet në sektorë të ndryshëm të këtij porti. Por ky vendim është anuluar nga vetë APD-ja.
Operatorët e shërbimeve në portin e Durrësit, si kompanitë e shkarkimeve, agjencitë detare dhe të tjera, mbetën të kënaqura nga ky vendim i APD-së, duke deklaruar se “ky ishte një vendim në kohën e duhur”. Në disa sektorë të portit të Durrësit kriza ekonomike ndihet fare pak, kjo, falë masave antikrizë të marra nga strukturat e shtetit dhe vetë APD-ja, por gjithsesi vihet re një rënie në eksportin e mineraleve dhe në atë të skrapit.
Porti antikrizë
Në ndryshim nga disa sektorë që kanë ndier një ulje për shkak të ndikimit anësor të krizës ekonomike botërore, porti i Durrësit vazhdon punën në rrugë të mbarë, sipas drejtuesve. Jo vetëm që nuk ka pasur ulje të punës, por në disa sektorë, si terminali i trageteve, puna është rritur. Kjo, sipas specialistëve, krijon bindjen se eksportet dhe importet do të rriten sërish gjatë periudhës në vijim.
Në terminalin e trageteve numri i trajlerave është rritur në 2 muajt e fundit. “Në këto kushte rritja në mënyrë të ndjeshme e taksave dhe tarifave portale do të ishte krejtësisht jashtë logjikës ekonomike të situatës së sotme”, - deklaruan specialistët portualë. APD-ja ka përcaktuar një tjetër listë për taksat dhe tarifat portuale dhe e kanë dërguar më parë në Ministrinë e Transporteve dhe pas vërejtjeve të saj do të ndiqet procedura e futjes në fuqi. Projekti i ri i taksave parashikon uljen e tyre.
Plani i ri rregullues
Durrës, lejohen ndërtimet në qendër të qytetit
Për qytetarët dhe ndërtuesit durrsakë, të cilët kanë tre vjet që kërkojnë të ndërtojnë në qendër të qytetit, por që e kanë të pamundur, pasi ua ndalonte ligji, duket se është gjetur zgjidhja. Kjo, “pasi fillimi i punës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Rregullues të Durrësit ka ndezur dritën jeshile pasi diçka mund të ndryshojë”, - deklaroi për “standard” kryetari i bashkisë, Vangjush Dako.
Sipas tij, “nëse ky studim parashikon ndërtime në qendër të qytetit, e cila njihet si “Zona A” dhe atë e miraton KRRTRSH-ja, atëherë gjërat do të ndryshojnë në favor të tyre”. Për këtë qëllim në sallën e pallatit të kulturës “A. Moisiu” në Durrës prej disa ditësh ka nisur puna për hartimin e Planit të Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Durrësit. Banka Botërore me një fond prej 300 mijë eurosh është vënë në mbështetje të këtij projekti.
Projekti quhet “LAMP” dhe do të thotë “Projekti i Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës”. Ai do të realizohet nga dy studio të huaja të cilat janë “Hyeda” dhe “Atelier 4”. Në takimin e djeshëm z. Hari Baral, përgjegjës i projektit, prezantoi përpara përfaqësuesve të komunitetit durrsak si dhe të pushtetarëve vendorë synimet dhe rrugët që do të ndiqen për realizimin e tij. Për këtë qëllim ai kërkoi mendime prej të pranishmëve të cilët i ftoi të jenë pjesë e projektit.
Takimet do të vazhdojnë edhe me grupe të tjera interesi prej të cilëve gjithashtu do të vilen mendime dhe vetëm më pas do të kalohet në letra dhe harta. Plani Rregullues i Durrësit synon të vërë në korniza zhvillimin e qytetit dhe të mos ia lërë atë spontanitetit. Pas krijimit të katër zonave gjigande informale, ky plan bëhet më imediat. Ai do të përfundojë në muajin dhjetor të këtij viti dhe do ta ketë funksionin e tij të shtrirë në të 25 vitet që vijnë.
Nga ana e tyre, edhe banorët e Durrësit kërkuan që plani i ri rregullues të parashikojë ndërtimin e rrugës e cila do të mund të lidhë Plazhin e Currilave me zonën e Spitallës, ndërtimin e shëtitores Port-Currila, ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza, zgjerimin e portit detar, zgjerimin e vijës së verdhë si dhe bllokimin e ndërtimit të TEC-it me qymyr në Porto Romano. Kurse për ndërtuesit dhe për pronarët e banesave në qendër të qytetit, të cilët kërkojnë të ngrenë pallate në këto troje, fillimi i punës për planin rregullues ishte lajm i mirë.
Nëse ky plan parashikon ndërtime pallatesh në qendër të Durrësit ose siç njihet ndryshe në Zonën A, atëherë studimi i kryer 2 vjet të shkuara bie poshtë. Në atë studim është ndaluar ndërtimi i pallateve në këtë territor të Durrësit. Por ai ka ngjallur reagimin e banorëve dhe të ndërtuesve. Më parë do të duhet që Plani i Përgjithshëm Rregullues të miratohet në KRRTRSH, pasi janë 40 troje pallatesh të bllokuara në Zonën A të Durrësit.