E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci merr pushimet, procesi shtyhet në shtator

Gjykata pezullon një muaj e gjysmë afatet e paraburgimit për të arrestuarit, shkak largimi i avokatëve në seancën e djeshme

Procesi gjyqësor i Gërdecit është pezulluar për një periudhë 40-ditore, për shkak të lejeve vjetore të togave të zeza. Në seancën e djeshme gjyqësore, Kolegji Penal i Gjykatës së Tiranës ka luajtur me nervat e avokatëve, të cilët në fund janë “dorëzuar”, duke munguar në fund të procesit, i cili u bë shkak që gjyqi të shtyhej në muajin shtator dhe në këtë mënyrë afatet e paraburgimit janë pezulluar deri në datën 3 shtator. Në fillim të seancës, trupi gjykues u vonua plot një orë e gjysmë, duke irrituar disa nga avokatët, të cilët deklaruan se vonesa është e qëllimshme. Përpos kësaj, kryetari i Kolegjit Penal, Ridvan Hado, tha se shkak i mungesës kaq të gjatë është bërë gjendja shëndetësore e anëtares së trupës gjykuese, Fatmira Hajdari, e cila kishte pasur luhatje të tensionit. Pas pyetjes së pesë dëshmitarëve, trupi gjykues kërkoi sërish shtyrjen e procesit, pasi gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk ndihej mirë.

Seanca

Vendimi i gjykatësit Ridvan Hado, për shtyrjen e procesit në muajin shtator, nuk u prit mirë nga avokati Maks Haxhia, i cili mbron të pandehurin Mihal Delijorgji, që gjykohet në masën e arrestit “burg pa afat”. Haxhia kërkoi që gjyqi të zhvillohej edhe në dy seanca të tjera, deri në fund të muajit korrik, atëherë kur nis edhe sezoni veror i gjykatësve. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh. Në fillim të procesit gjykata kishte thirrur për të dëgjuar dëshmitë e 24 personave, mes tyre edhe Andi Belliu dhe Rrahman Selmanllarin, ndërsa kishin pranuar ftesën për të dëshmuar vetëm shtatë persona. E megjithëkëtë, gjykata arriti të dëgjojë në këtë seancë vetëm pesë prej tyre, sepse gjykatësja Fatmira Hajdari kërkoi pushim gjysmë ore për t’u qetësuar. Por pas këtyre 30 minutave pritjeje, disa nga avokatët nuk u rikthyen në sallë, çka i dha mundësinë gjykatës mos ta shtynte procesin për shkak të vetes, por për mungesë të mbrojtjes.

Dëshmitarët

Procesi gjyqësor i “Gërdecit” vijon prej një viti e gjysmë në Gjykatën e Tiranës, e cila ka vazhduar me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur nga organi i akuzës. Në këtë kohë janë pyetur rreth 180 dëshmitarë, një numër i ulët i personave që kanë dijeni për ngjarjen nga ai i kërkuar nga prokuroria. Kjo e fundit parashtroi në fillim të procesit se kërkonte pyetjen e 400 personave dhe nga rezultatet e deritanishme rezulton se nuk janë pyetur as gjysma e dëshmitarëve. Faktet flasin se ky proces gjyqësor i konsideruar si më i madhi i zhvilluar ndonjëherë, do të vijojë pambarimisht, pasi, pas dëshmitarëve të akuzës, mbrojtja do të thërrasë të tjerë persona për t’i pyetur veç e veç. Duket se sezoni i ri i procesit gjyqësor që do të fillojë në muajin shtator, do të jetë mjaft i nxehtë, pasi të pandehurit që ndodhen në qeli, do të kërkojnë sërish të llogaritet koha e paraburgimit. Megjithatë, një kërkesë e tillë për lirimin e Delijorgjit dhe Pinarit është rrëzuar nga trupi gjykues.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›