E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rritja e ofertës monetare deri në 2011-n do të jetë 8 për qind”



Politika monetare e Bankës së Shqipërisë për këtë vit dhe ato në vijim do të jetë e orientuar drejt stabilitetit të çmimeve. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi në fund të vitit të kaluar politikën monetare që do të ndiqet gjatë periudhës 2009-2011. Ekspertët e BSH-së mbështeten mbi projeksionet e ndryshimit të çmimeve për një periudhë afatmesme, duke marrë parasysh dhe ekuilibrat e rreziqeve që shoqërojnë këto projeksione. “Rritja e ofertës monetare përtej kërkesës së ekonomisë sinjalizon dhe është premisë për rritjen e presioneve inflacioniste. Duke u nisur nga parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2009 si dhe nga tendencat e fundit të zhvillimeve monetare, BSH-ja vlerëson se rritja e ofertës monetare rreth nivelit 8 për qind do të jetë në linjë me objektivin e saj për inflacionin në vitin 2009”, - thekson dokumenti i politikës monetare. Në rastin e devijimeve të parashikimit nga objektivi, duke u nisur dhe nga shkaqet që çojnë në këto devijime, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së mori vendimin për normën e interesit. Nga informacioni i deritanishëm rezulton se faktorët e kërkesës së brendshme me natyrë nxitëse ndaj presioneve inflacioniste në ekonomi janë më të balancuara. Megjithatë, parashikimet e BSH-së për 12 muajt në vijim evidentojnë se rreziqet inflacioniste janë ende të pranishme në periudhën afatmesme, veçanërisht në kushtet e krizës financiare në tregun ndërkombëtar dhe mundësisë për shfaqjen e efekteve në një kohë të mëvonshme. Për këtë arsye, BSH-ja do të monitorojë me kujdes çdo informacion dhe zhvillim të ardhshëm, në tregun financiar ndërkombëtar dhe vendas. Në linja të përgjithshme, strategjia bazë e politikës monetare për periudhën 2009-2011 do të ruajë parimet dhe trajtat kryesore të ndjekura gjatë viteve të fundit.

10 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›