BSH do të rishtypë monedhën metalike të prerjes 10 Lekë
Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektin “Për rishtypjen e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor, me prerje 10 lekë”. Sipas BSH-së, zbatimi i këtij projekti pritet të fillojë këtë muaj. Ndërkohë, BSH-ja, mbështetur në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, në pikën "Për hedhjen në qarkullim të prerjeve të reja të kartëmonedhave dhe monedhave kombëtare e për tërheqjen nga qarkullimi të parasë", po vazhdon punën për tërheqjen nga qarkullimi të disa kartëmonedhave. Nga qarkullimi po tërhiqen kartëmonedha të prerjes 100 lekë, emetim i viteve 1993, 1994, 1996, imazhi i "Luftëtarit Kombëtar"; kartëmonedha e prerjes 100 lekë, emetim i vitit 1996, imazhi i "Fan S. Noli" dhe kartëmonedha të prerjes 200 lekë, emetim i viteve 1992, 1994 dhe 1996, imazhi i "Ismail Qemalit". Tërheqja e plotë nga qarkullimi do të vazhdojë deri më 31.12.2010 dhe do të bëhet në dy faza.
Investimet në letra me vlerë në vitin 2008 u rritën 1.6 për qind
Investimet në letra me vlerë në vendin tonë gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2008 u rritën me 1.6 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëhet e ditur në raportin “Statistikat Financiare” të Bankës së Shqipërisë, të publikuar dy ditë më parë. Sipas BSH-së, investimet në letra me vlerë për këtë periudhë, arritën në 18 për qind të totalit të aktiveve që kryejnë bankat tregtare në vendin tonë, duke shënuar kështu një hop pozitiv në sektorin e investimeve. Sipas statistikave, investimet për këtë kategori “monedhe” janë drejtuar kryesisht në bizneset e ndërtimit, përpunimit, tekstilit etj.
10 Janar 2009