Nevoja për para, në banka rriten interesat e depozitave dhe kreditë me probleme
Ervin Koçi
Bankat e nivelit të dytë në vendin tonë e kanë nisur këtë vit me një politikë “agresive”, që synon grumbullimin e një sasie sa më të madhe likuiditeti. Shumë banka kanë rritur interesat bankare për depozitat në një kohë që kanë filluar të ofrojnë edhe shërbime të shumta ekstra për klientët e tyre. E gjithë kjo fushatë e madhe shërbimesh dhe ofertash ka në thelb të saj tërheqjen e klientëve dhe shtimin e parasë që ato mund të kenë në qarkullim. Kryesisht tendenca që vihet re është një rritje e normës së interesave për depozitat në monedhat kryesore, por edhe për monedhën vendase, Lek. Rritja është për të gjitha llojet e depozitave bankare, ato 3-mujore, 6-mujore dhe ato 1-vjeçare, në një kohë që nuk mbeten jashtë kësaj edhe klientët që kërkojnë të përfitojnë nga këto banka shërbime të tjera, përfshi këtu edhe marrjen e kredive të ndryshme. Norma e rritjes së interesit të depozitave është e ndryshme për banka të ndryshme, por mesatarisht ajo shkon në rreth 0.4 për qind. Ndërkohë, përfaqësues të bankave të ndryshme tregtare bëjnë të ditur për gazetën se, në të njëjtat nivele me ofertat e ndryshme për shërbime janë edhe niveli i kreditimit të ekonomisë dhe individëve. Në këtë pikë duket se bankat private në vend po ecin sipas sugjerimeve të bëra nga Banka e Shqipërisë, e cila u ka kërkuar atyre të mos e frenojnë nivelin e kredidhënies për ekonominë si dhe të synojnë që të mbledhin sa më shumë likuiditet.
Grumbullimi i kapitaleve
Bankat private në vend deri tani kanë preferuar të kreditojnë aktivitete si tregtia, ndërtimi dhe industria, dhe më pak klientët individë, që kryesisht merrnin kredi për sektorin imobiliar (blerje apartamentesh dhe pronash të tjera të patundshme). Por këtë vit duket se e gjithë kjo strategji do të ndryshojë dhe shkaku është zvogëlimi i portofolit të kredive me probleme që bankat duhet të zvogëlojnë. Sipas BSH-së, shpërndarja e kredidhënies sipas sektorëve të ekonomisë konfirmon se portofoli i kredisë dominohet nga kreditimi i sektorëve të tregtisë me 24.8 për qind, ndërtimit me 14.7 për qind dhe industrisë 15.5 për qind. Në përputhje me kërkesat e ekonomisë për kredi si dhe në përputhje me objektivin për inflacionin, BSH-ja ka parashikuar për vitin 2009 një rritje të ofertës së parasë në masën 13.6 për qind. Në fjalën e fundvitit, guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, i kërkoi bankave të nivelit të dytë të marrin masa për të ruajtur zhvillimin ekonomik në vend. Një prej kërkesave ishte që bankat të mos shpërndanin fitimet e vitit 2008, por të ruanin kapitalin, si dhe të ishin më aktive në tregun e parasë duke krijuar likuiditetin e nevojshëm. Duke u paraprirë kështu të papriturave që mund të sjellë kriza globale financiare gjatë vitit 2009 në vendin tonë. “Vendi ynë gjendet përpara një viti me shumë të panjohura. Nuk do të doja të anashkaloja faktorët e brendshëm, por ka kohë që agjencitë e ndryshme parashikojnë një vit me kontraktim të prodhimit të përgjithshëm botëror”, - ka nënvizuar guvernatori Fullani.
Niveli i depozitave
Ndryshe nga sa kanë vepruar në vitet e kaluara, me fushata të caktuara vetëm gjatë muajve dhjetor dhe gusht kur vihen re dhe lëvizjet më të mëdha të ardhjes së emigrantëve, për vitin 2009 bankat private do të japin më tepër oferta si për depozitat ashtu dhe për kreditë. Fluksi i depozitave nga eksperienca e viteve të mëparshme rezulton të jetë rritur pikërisht gjatë muajve kur dhe ka pasur nivel më të lartë të ardhjes së emigrantëve në vend. Këtë gjë e konfirmojnë edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Depozitat nga klientët vit pas viti kanë konsoliduar prirjen në rritje dhe në fund të tetorit totali i depozitave të sistemit ishte 665.9 miliardë lekë ose 5.7 për qind më shumë se fundi i vitit 2007. Depozitat me afat 3-mujor kanë rritjen më të lartë, sipas vëzhgimit të të dhënave në disa banka kryesore. Madje, disa banka ofrojnë marrjen e interesit brenda muajit. E gjithë kjo situatë është rrjedhojë e tendencës së klientëve për të tërhequr kursimet e tyre nga bankat, nga frika e krizës globale. Kjo tendencë u vu re kryesisht gjatë muajve tetor-nëntor të vitit 2008. Sipas ekspertëve të ekonomisë, pritet që kjo masë të japë ndikimet e saj edhe në shtrëngimin e kredidhënies për klientët. Në këtë kontekst, bankierët kanë kërkuar nga banka qendrore uljen e normës bazë të interesit që ka mbetur i pandryshuar prej më shumë se një viti. Mungesa e likuiditetit nga ana e bankave ka sjellë edhe rritjen e normës së interesit për bonot e thesarit.
Situata makroekonomike
Banka e Shqipërisë u përqendrua vitin që lamë pas në ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, por edhe për qëndrueshmërinë financiare të sistemit bankar. “Sistemi bankar shfaqet fitimprurës. Treguesi i kthimit mbi aktivet për gjithë vitin 2008 pritet të jetë 1.17 për qind, ndërkohë që treguesi i kthimit mbi kapitalin të jetë 14,7 për qind. Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit përbën 17.5 për qind të totalit të aktiveve dhe zërave jashtë bilancit të klasifikuara sipas rrezikut”,- është shprehur guvernatori Fullani. Treguesi i aktiveve likuide ndaj totalit të sistemit, pavarësisht tendencës rënëse prezantohet në rreth 46 për qind, që konsiderohet e kënaqshme. Bankat qendrore ndërhyjnë në ekonomi në bazë të parashikimeve të tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen. BSH-ë do të mbështesë vendimmarrjen e saj të politikës monetare mbi një analizë të gjerë të treguesve ekonomikë dhe financiarë. Të gjitha modelet analitike dhe parashikuese do të perfeksionohen në vazhdimësi gjatë periudhës 2009-2011, duke rritur shkallën e besueshmërisë së tyre dhe të efektivitetit të vendimeve të politikës monetare të bazuar në to. Sipas BSH-së, aktualisht sistemi bankar shqiptar nuk është prekur nga kriza financiare që ka prekur tregjet ndërkombëtare.
10 Janar 2009