E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedofilia, gjykata dënon me 20 vjet burg Devid Braunin

Akuzohet për abuzim me disa të mitur, shpallet fajtor dhe dënohet me 20 vjet burg pedofili britanik, Devid Braun. Gjithashtu, gjykata vendosi ta shpallë person “non grata” në Shqipëri të pandehurin Braun, duke vendosur që pas përfundimit të dënimit, ai të dëbohet nga Shqipëria. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, vendosi sekuestrimin e llogarive bankare të qendrës “Fëmijët e tij”, të cilat do kalojnë për llogari të shtetit shqiptar. Në përfundim të vendimit të gjykatës, togat e zeza vendosën që i pandehuri ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Braun nuk ka reaguar ndaj vendimit të dhënë, ndonëse ka pretenduar pafajësi gjatë gjithë procesit. Në verdiktin përfundimtar që e shpallte fajtor dhe që vendosi edhe sanksione të tjera ndaj tij, Brauni akuzohej për abuzim seksual me dy të mitur, ndërkohë që u parashtruan edhe provat që gjykata mori parasysh në këtë vendim. Provat më të rëndësishme kanë qenë dëshmitë e dhëna nga fëmijët me video-konferencë para gjykatës, si dhe ekspertizat mjeko-ligjore që u ishin bërë fëmijëve në kohën kur u bë denoncimi. 57-vjeçari pretendonte se kishte ardhur në vendin tonë për të ndihmuar fëmijët të cilët nuk kishin kushte ekonomike. Ashtu si edhe në fazën hetimore, por edhe gjatë gjykimit të tij, Devid Braun ka deklaruar se nuk ka abuzuar me fëmijët ashtu siç pretendonte akuza. Sipas të pandehurit, ai është impotent dhe ka qenë një baba për ta. Këtij të fundit i është kryer një ekspertizë nga e cila ka rezultuar se ai nuk ishte impotent, ashtu edhe siç pretendonte, por vuante nga hepatiti B. Kjo sëmundje nuk e pengonte të pandehurin që të kryente marrëdhënie seksuale apo homoseksuale. Nga ana tjetër, 57-vjeçari Braun ka deklaruar gjatë seancave gjyqësore se ai është përkujdesur për fëmijët, si dhe ka qenë ai që i kishte shpënë te mjeku ku edhe i kishte ekzaminuar. Nga hetimet e kryera nga prokuroria, është provuar dhe faktuar me ekspertizë se i pandehuri ka kryer marrëdhënie me fëmijët Denis A. dhe Anton Q., dëshmi këto të dhëna edhe para trupit gjykues në gjykatë. Gjatë dëshmive të tyre, ata nuk kanë lënë pa përmendur edhe emrat e dy bashkëpunëtorëve, Dino Kristodulu dhe Robin Arnolds, procesi për të cilët është duke u zhvilluar paralelisht në këtë gjykatë nga një tjetër trup gjykues. Sipas hetimeve të kryera, rezulton se fondacioni “Fëmijët e tij” ka shërbyer si një qendër për pedofilët nga e gjithë bota. Gjatë aktivitetit të saj 6-vjeçar, në këtë shtëpi, në periudha kohore të ndryshme kanë ardhur pedofilë nga Anglia, Skocia dhe Irlanda, të cilët kundrejt pagesës kanë kryer marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me fëmijët. Sipas hetimeve, pedofilët maskoheshin si vullnetarë, të cilët vinin për t’u kujdesuar për fëmijët jetimë. Nga hetimet rezultoi se mes të dhunuarve janë fëmijë nga komuniteti rom, si dhe të mitur me prindër të divorcuar nga Tirana dhe rrethet. Një vend të rëndësishëm ka zënë gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor dhe mendohen si prova mjaft të rëndësishme, edhe rrëfimet e të miturve që janë dhunuar seksualisht. Në dëshmitë e fëmijëve të dhunuar, ata kanë thënë se “babai”, siç e thërrisnin Devid Braunin, i detyronte të bënin akte të turpshme. Po sipas dëshmisë, anglezët kanë përdhunuar edhe disa vajza, por kënaqësinë e tyre seksuale e kishin me djemtë. Ndërkohë që ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se disa fëmijë janë dhunuar seksualisht dhe janë të moshës nga 6 deri në 12 vjeç.

I akuzuari

Xhon Devid Braun, 52 vjeç, anglez

Akuza

“Kryerje marrëdhëniesh seksuale me të mitur, shoqëruar me dhunë fizike”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›