"Peizash"/ Vlora në ekspozitën e Petraq Stefanit

53 peizazhe të piktorit të njohur vlonjat Petraq Stefani, pjesë e krijimtarisë së tij mëse 30 vjeçare, u prezantuan dje në mbrëmje në hollin e teatrit "Petro Marko" në ekspozitën e tij personale të titulluar “Peizazh”. Në punimet e ekspozuara në këtë ekspozitë Stefani sjell përmes penelit të tij, një pjesë të natyrës së qytetit dhe rrethinave të tij, të fiksuara në këndvështrime të ndryshme. Deti si një element frymëzues në krijimtarinë e Stefanit, zë një vend të rëndësishëm në këtë ekspozitë, krahas Vlorës së vjetër, apo fshatrave të njohur si Narta, Zvërneci, apo zona të tjera të spikatura, ku krijuesit e artit viziv realizojnë gjetjet e tyre. Stefani thotë se peizazhi zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, krahas gjinive të tjera si kompozimi, etj. Por, për këtë ekspozitë ai ka përzgjedhur këto punime, ndoshta për rastësi, por edhe koinçidencë, për shkak të sezonit veror. “Natyra i tërheq përherë krijuesit, për dimensionet që ajo mbart dhe që gjenerojnë optimizëm tek njerëzit e thjeshtë”, thotë piktori vlonjat. Kjo reflektohet edhe në punimet e ekspozuara këtu, ku vizitori percepton një harmoni ngjyrash herë të qeta dhe herë të ndezura, që mbeten brenda impresionit. Kjo është ekspozita e katërt personale që çel piktori Petraq Stefani në 10 vitet e fundit dhe e dyta që vjen për artdashësit vlonjatë, në këtë sezon veror. Një muaj më parë, një ekspozitë të ngjashme çeli skulptori Zeqir Alizoti.
...