Firmoset në Nju Jork memorandumi për gazsjellësin Trans Adriatik

Nënshkrimi nga ministrat e Jashtëm Panariti, Terzi dhe Avramopulos. TAP projekt i rëndësishëm për rajonin dhe Europën. SHBA dhe BE përshëndesin angazhimin politik të tre shteteve fqinje
Nënshkruhet në Nju Jork, memorandumi për gazsjellësin TAP (Trans Adriatik Pipeline). Memorandumi u nënshkrua nga tre Ministrat e Jashtëm, ministri shqiptar Edmond Panariti, ai grek Dimitris Avramopulos dhe ministri i Jashtëm, italian, Giulio Terzi. Dokumenti i nënshkruar është një memorandum mirëkuptimi, i cili shënon hapin e parë në nivel politik, që do të pasohet nga analiza teknike për infrastrukturën e re. Më vonë, pasi negociatat të hyjnë në një fazë tjetër, do të nënshkruhet marrëveshja për gazsjellësin. Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, ku të tre vendet kanë shprehur synimin e tyre për të bashkëpunuar në ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), do t’i lidhë ato, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit drejt Perëndimit.
Në ceremoninë e nënshkrimit që u zhvillua në misionin e Italisë pranë OKB-së në Nju Jork, ministrat e jashtëm e quajtën projektin mjaft të rëndësishëm për ekonomitë e tyre. Ministri i jashtëm shqiptar Edmond Panariti, tha se kalimi i gazsjellësit në Shqipëri mund të krijojë shumë vende pune. “Fakti që ky tubacion do të kalojë në territorin shqiptar nënkupton që do të zhvillohet një infrastrukturë mbështetëse, gjë që do të thotë se firma të huaja do të angazhohen me investime. E gjitha kjo nënkupton hapjen e vendeve të reja të punës. Llogaritet se zhvillimi i këtij projekti do të krijojë 2 mijë vende të reja pune për Shqipërinë”, u shpreh kreu i diplomacisë shqiptare.
Panariti tha gjithashtu se Gazsjellësi Trans Adriatik ka një numër avantazhesh në krahasim me projektin Nabucco West.
“Projekti TAP ka avantazhe për sa i përket fizibilitetit ekonomik, atij financiar dhe karakteristikave teknike, krahasuar me projektin paralel Nabucco West. Kështu që unë shpresoj që në fund të dhjetorit apo në fillim të vitit tjetër, konsorciumi të përzgjedhë projektin TAP, si projekt fitues”, deklaroi Ministri i jashtëm i Shqipërisë.
Ndërkaq, ministri i jashtëm italian Giulio Terzi tha se projekti ka rëndësi në pikëpamjen e sigurisë energjetike.
“Për vendin tim, kjo është pjesë e një tabloje më të gjerë të sigurimit energjetik. Gjithashtu, nga pikëpamja e zhvillimit infrastrukturor është me rëndësi sepse do të lejojë kalimin e gazit përmes Adriatikut drejt bregdetit italian, duke krijuar përfitime për Shqipërinë, Greqinë dhe vendet ku do të kalojë gazsjellësi”.
Ministri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos e shikon projektin me shumë leverdi për lehtësimin e vështirësive ekonomike në vendin e tij.
“Ky projekt ka shumë rëndësi në këto kohë të vështira ekonomike për të krijuar vende pune dhe nxitur zhvillimin. Veç kësaj, ai çon përpara dhe lehtëson bashkëpunimin mes tre vendeve. Do të kemi edhe bisedime dhe diskutime të tjera në mënyrë që të arrijmë në nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare”, tha kryediplomati grek.
Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. Qeveria shqiptare parashikon që gazsjellësi Trans Adriatik të sjellë në Shqipëri një investim prej 2 miliard eurosh. Aksionerët e TAP janë EGL-zvicerane me 42.5 për, Statoil-norvegjeze me 42.5 për dhe E.ON Rurgas-gjermane me 15 për qind. Në projekt bashkëpunon edhe gjigandi italian i energjisë, “Enel”.
Aktualisht, konsorciumi “Deniz Shah” konsideron dy opsione për të ofruar gazin azer në Evropë; TAP dhe Nabucco, por vendimi përfundimtar mbi tubacionin, do të merret në vitin 2013.