E Diel, 1 Nëntor 2026

Pelegrinazhi në Tomorr, një vdes e 5 plagosen në aksident

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Aksidentohen rëndë dy familje, teksa ktheheshin nga pelegrinazhi në malin e Tomorrit. Makina me të cilën po udhëtonin 6 persona ra në një greminë rreth 100 metra dhe për pasojë drejtuesi i mjetit gjeti vdekjen, ndërsa pesë të tjerë u plagosën rëndë, ndër të cilët edhe dy fëmijë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 04:00 kur mjeti tip "Benz" 240 doli nga rruga. Stiliano Kosova 35 vjeç, baba i dy fëmijëve ndërroi jetë, ndërsa mbetën të plagosur rëndë djali i tij L. Kosova 5 vjeç nga fshati Velabishtë, Shyqyri Çalamëni 30 vjeç, Krenar Çalamëni, 39 vjeç, Fredi Çalamëni 31 vjeç dhe D. Çalamëni 9 vjeç, që të gjithë nga një familje nga fshati Bilç i komunës Velebishtë në Berat. Aksidenti sipas policisë ndodhi në një nga kthesat e fshatit Novaj nga ku lidhet mali i Tomorrit me Teqen e Kulmakut. Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga. Makina ka bërë disa salto para se të binte në greminë. Gjashtë personat e dy familjeve, të afërm me njëri-tjetrin mësohet se po ktheheshin nga festa. Por gjatë rrugës nga mungesa e gjumit, lodhja, por dyshohet edhe konsumi i alkoolit, ata pësuan edhe aksidentin e rëndë. Pas tyre kanë qenë disa persona të tjerë që ktheheshin gjithashtu nga pelegrinazhi në malin e Tomorrit, të cilët kanë parë teksa mjeti që kishin para tyre doli nga rruga e përfundoi disa metra poshtë. Ata kanë njoftuar menjëherë policinë, ndërsa kanë nxituar t'iu shkojnë në ndihmë të aksidentuarve. Por terreni ishte mjaft i vështirë. Njëherazi me policinë u njoftua edhe spitali i Poliçanit ku në drejtim të ngjarjes u nis një autoambulancë me stafin mjekësor për t'iu ardhur në ndihmë viktimave. Terreni i thyer bëri që policia të futej me vështirësi në vendin, ku kishte rënë mjeti, në të cilin ndodheshin 6 personat. Blutë gjetën të gjallë 5 veta, ndërsa drejtuesi i "Benz"-it kishte gjetur vdekjen. Të plagosurit janë transportuar menjëherë për në spitalin e Beratit. Pas ndihmës së parë pesë të plagosurit e kaluan rrezikun për jetën, ndërsa në orët e pasdites ata ndodheshin në pavijonin e kirurgjisë nën kontrollin e mjekëve. Sipas mjekëve, dy fëmijët, 5 dhe 9 vjeç kishin pësuar plagë të lehta, por pa rrezik për jetën. Sipas familjarëve të së lënduarve, ata ishin nisur të shtunën për në malin e Tomorrit për të kaluar natën atje. Burime të policisë bënë të ditur se pas aksidentit është ngritur grupi i hetimit për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Sipas specialistëve të qarkullimit, dyshohet se aksidenti ka ardhur si pasojë e pagjumësisë, lodhjes dhe konsumit të alkoolit. Terreni në këtë zonë është mjaft i thyer, duke evituar kështu shpejtësinë e mjeteve. Vit pas viti në këtë rrugë kanë ndodhur disa aksidente si pasojë e mungesës së infrastrukturës. Një vit më parë në malin e Tomorrit janë bërë "kurban" gjashtë persona të vdekur dhe 13 të tjerë të plagosur. Ndër të plagosurit në pelegrinazhin e vitit të kaluar ishin edhe tetë fëmijë, të cilët i shpëtuan mrekullisht aksidenteve të rënda. Brenda 5 vjetëve në këtë festë kanë gjetur vdekjen 25 veta dhe janë plagosur 30 të tjerë. Pelegrinazhi në majën më të lartë të malit të Tomorrit, i cili mbledh për 3 ditë me radhë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni, kërkon çdo vit nga secili prej vizitorëve kurban në nder të Abaz Aliut. Pelegrinët luten në teqenë e Kulmakut dhe më pas bëjnë kurbanin për më shumë mirësi e shëndet. Festa e "Ditëve të Tomorrit" do të zgjasë deri më 25 gusht. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes në këtë aks rrugor, i cili paraqitet mjaft i rrezikshëm për shkak të amortizimit të saj ndër vite. Megjithë premtimet elektorale, kjo zonë ka mbetur pa asnjë investim për sa i përket rrugëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›