Fëmija më kërkoi ta shpëtoja nga vdekja
Shoferi i ambulancës që transportoi viktimat, Paris Hysenbelliu u shpreh dje se për nxjerrjen e të lënduarve është dashur një punë mjaft e madhe, për shkak të terrenit mjaft të thyer dhe greminës 100 metra të thellë ku ata kishin rënë. "Sapo më njoftuan u nisa me shpejtësi në drejtim të fshatit Novaj, që ndodhet 20 kilometra larg qytetit të Poliçanit. Kemi zbritur zvarrë deri në fund. Situata ishte e rëndë kur mësuam se kishte edhe fëmijë. Dëgjova të mbijetuarit që thërrisnin për ndihmë. Kur u afrova një fëmijë më tha më ndihmo xhaxhi të shpëtoj nga vdekja", u shpreh Hysenbelliu. Të njëjtën kontribut ka dhënë edhe shoferi i spitalit të Beratit Albert Merka, i cili transportoi më pas të plagosurit drejt këtij spitali.