E Diel, 1 Nëntor 2026

Roman Polanski mund të lirohet

Regjisori franko-polak Roman Polanski shumë shpejt mund të dalë prej burgut pas dhënies së garancisë bankare, por me kusht që të mos largohet prej Zvicrës. Lajmi është bërë i ditur prej zëdhënësit të Ministrisë së Drejtësisë. "Nuk kishim zgjidhje tjetër", ka shtuar ndërkaq, ministri Eveline Widmer-Schlumpfsuch. "Biografia e një njeriu nuk mund të jetë favor në trajtimin e tij para ligjit", ka vijuar më pas titullari i dikasterit të drejtësisë në një intervistë dhënë për një radio gjermane. "Ne nuk kemi pasur asnjë presion prej amerikanëve. Polanski ishte në listën e të kërkuarve prej Interpolit". Ndërkaq, intelektualë të shumtë, regjisorë dhe politikanë janë duke u aktivizuar për t‘u kërkuar autoriteteve zvicerane heqjen nga burgu të Polanskit, 76-vjeçar. Pas ministrit të Kulturës edhe ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, është shprehur në favor të regjisorit dhe ka konfirmuar se i ka shkruar për këtë çështje sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Një peticion që shpreh tronditjen për arrestin e Polanskit dhe që kërkon lirimin e regjisorit është firmosur nga aktorë e regjisorë të ndryshëm mes të cilëve Costa Gavras, Wong Wai, Monica Belluçi dhe Fanny Ardant. "Është e papranueshme që të shfrytëzosh një ngjarje kulturore me karakter ndërkombëtar në nder të njërit prej regjisorëve më të mëdhenj bashkëkohorë për ta arrestuar më pas", shkruhet në peticion. Regjisori Andrzej Wajda dhe të tjerë kolegë të tij polakë u kanë bërë apel Shteteve të Bashkuara, Zvicrës dhe Polonisë për të liruar Polanskin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›