E Diel, 1 Nëntor 2026

Pelegrinimi 40 vjeçar, (jo vetëm në mikrofon), i Vladimir Grillos

Nga Flamur BËRDËLLIMA
Është Albert Shala ai që më ngacmon për të shkruar dy radhë, për një nga njerëzit e mi më të shtrenjtë, Vladimir Grillon. U bënë 40 vjet para mikrofonit-, me thotë Berti. Në fillim nuk dua ta besoj. Ej Zot, sa shpejt shkuan vitet... Gjithsesi, një vështrim retroaktiv, në jetën e tij, më shpie njëkohësisht në fillesat gati mitike të gazetarisë time, kur, si Ladi si Astriti më ndenjen aq pranë. Kur i binim Shqipërisë  nga Dukagjini në Vlorë. Nga Lushnja në Permet Por, jam ende larg modulit që mund të karakterizojë Ladin. Madje, edhe po përmenda Vunoin, apo Shkodrën që ai i ka pika të dobëta. Ideja që dua të jap ka të bëjë sa me jetën e tij para mikrofonit, (që nga emisioni kulturor Miku ynë i përbashkët), aq edhe me gradientin e tij të shkëlqyer shoqëror. Personalisht, me shumë takt, (O Zot me sa takt), më ka shpëtuar me një katastrofë shpirtërore  të llahtarshme. Por nuk jam egoist... Struktura shpirtërore e Ladit ka në bazë dashurinë për jetën dhe njerëzit, po kjo e shprehur mes një temperamenti shumë të qetë. Ka një lëvizje në harmoni, mes kësaj qetësie në jetën e përditshme dhe shpërthimeve kulminante kur shënonte gol Shqipëria. Pse duhet shkruar për Ladin? Meqë është i vetmi gazetar që ka komentuar 6 Olimpiada Botërore? Më duket e ftohtë, statistikore.
Sot, kur në gazetari ka një krizë të dukshme të personalitetit, Ladi, me jetën e tij, me kronikat, me emisionet, me dokumentarët, (veçoj atë për mikun e të gjithëve Rexhep Rama), më afron prekshëm kuptimin e shpirtit njerëzor. Thënë ndryshe, detyrimit moral që njeriu të mbetet NJERI. Nuk mund të dekodoj, në pak radhë, se si arriti ai të përballojë sfidat e jetës, pa ndryshuar asnjë grimë nga mirësia e tij proverbiale. Nuk mendoj se ka një të vetme fjalë-kyç që ta zbërthejë. Ai na rriti ne, duke u rritur edhe vetë. Kuptimi i këtij mekanizmi, pra, se si njeriu mbetet njeri, edhe Atëherë, edhe Tani mendoj se është vend për ripërtëritjen njerëzore të kahëzuara nga pozitivja, nga e mira.
Ladi ndërkohë, nuk është një kasafortë Brenda të cilës ti mund të gjesh psenë gazetarit të shkëlqyer e prindit model, e shokut të rrallë madje edhe këngëtarit, çdo të diele aty te Pata ynë i shtrenjtë. Gjithsesi edhe pse nuk ka nevojë për një transkriptim për personalitetin e tij, (ai është si të thuash, në sy të të gjithëve), modeli i tij, jetesa e tij, ja vlen mendoj, të shndërrohet në filozofi jete. Them kështu duke patur parasysh atë dyzim të tmerrshëm që e kanë pësuar kaq shumë njerëzit, madje edhe gazetarët nën trysninë e politikes dhe diktaturës së parasë. Dikush, duke lexuar këto shënime modeste mund të më qortojë se perse nuk përmend këtë ose atë transmetim të veçantë ose këtë apo atë titull. Nuk i druhem këtij moskuptimi dhe mospranimi. Unë jam modestisht, gjuhëtar i shpirtrave. Më intereson AND-ja shpirtërore e njerëzve në këtë rast e Ladit edhe pse sporti është jeta ime. E kam fjalën, se për Ladin, do të shkruaja edhe po të qe përsëri gazetar i kulturës apo i problemeve sociale, madje edhe sikur të mos ishte fare gazetar.
Mua me intereson të qenit të tij njeri kaq i pranueshëm në të gjitha mjediset shoqërore. Me sqimën e tij profesionale, me sensin e masës për çdo gjë, e sidomos me mirësinë e pa shtirur të tij. Kështu që genomi i tij kaq njerëzor është si një gur themeli për tu mbetur dhe strehuar përgjithnjë tek NJERIU.
Dhe kaq.  

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›