E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pellegrini i beson projektit të Malagas

Trajneri i Malagës, Manuel Pellegrini ka insistuar se nuk frikësohet për të ardhmen e tij dhe theksoi se ka përkrahjen e plotë nga pronarët e pasur të klubit, pavarësisht serisë negative në javët e fundit.

Pas shpenzimit të gati 60 milionë eurove në përforcime gjatë verës, Malaga pritej të shfaqë konkurrencë për titull, ose të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve që ishte caktuar si objektiv minimal nga pronari i klubit, Sheikh Abdullah Bin Nasser Al Thani.

Por, pas një starti solid të sezonit, ekipi i Pellegrinit pësoi tri humbje të njëpasnjëshme nga Levante, Real Madridi dhe Rayo Vallecano, duke pranuar nëntë gola, e pa e shënuar asnjë. Megjithatë, Pellegrini thekson se e ka përkrahjen e plotë nga pronari i klubit ambicioz andaluzian.

“E kuptoj se kur humbni, duhet të përballeni me kritika. Dyshimet mund të jenë më të mëdha ose më të vogla, varësisht nga ekipi, por brenda klubit nuk ka asnjë dyshim rreth projektit. Është vështirë të gjejmë shpjegim për ato humbje. Dallimi mes fitores dhe humbjes është shumë i vogël. Duhet të përmirësohemi”, deklaroi Pellegrini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›