Arsenali mund të mposhtë këdo

Theo Walcott ka thënë se seria pozitive e Arsenalit ka shtuar vetëbesimin në ekip se mund të mposhtin këdo. Topçinjtë kishin bërë start të dobët të sezonit, por kanë rimarrë veten me tetë fitore në nëntë ndeshjet e fundit dhe janë rikthyer në garë për kreun e tabelës.
Pas fitores së jashtëzakonshme 5-3 kundër Chelseas në Stamford Bridge të shtunën, reprezentuesi anglez theksoi se ekipi do të shkojë ndeshje pas ndeshjeje duke synuar të vazhdojnë formën e mirë.
“Nuk duam të parashikojmë se ku do të përfundojmë sezonin, por mënyra si jemi duke luajtur në kohën e fundit na ka bërë optimistë se mund të mposhtim këdo”, tha Walcott për Daily Star.
“Jemi duke u kënaqur me lojën tonë, jemi në seri të mirë tani dhe duam ta vazhdojmë këtë. Nuk shikojmë shumë përpara, të gjithë janë të lumtur me rezultatet e fundit. Do të mundohemi të fitojmë sa më shumë ndeshje që mundemi”, përfundoi Walcott, i cili ishte njëri prej realizatorëve në fitoren ndaj Chelseas.