E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllum Zaimi: Literatura borgjezo-revizioniste në ushtri, si i prishi ushtarakët

Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Ka qenë periudha e dënimit të së ashtuquajturës kastë-ushtarake,- nis rrëfimin ish-shefi i Inspektimit të Forcave Ajrore, kolonel Pëllumb Zaimi.- Unë ndërkohë kisha shkuar shef i stërvitjes në Brigadën e 17-të të Këmbësorisë në Pogradec ose ish-Reparti 4001. Ka qenë repart i famshëm, shumë i mobilizuar, çmohej në rang ushtrie. Fuqia e zjarrit të batalionit tim atëherë ishte më e madhe nga sa e ka sot gjithë ushtria. Ndërsa brigada e kishte zjarrin 10 herë më të fuqishëm nga sa e ka gjithë ushtria sot. Kjo ishte koha kur u përhap në ushtri literatura borgjezo-revizioniste, që u bë një nga pretekstet ku u gjet fajësimi i kastës së ushtarakëve të lartë. Ata që e futën, pohuan vetë në gjyq se ishte e qëllimshme. Por unë nuk di ta them me siguri, sepse isha oficer i ri, di të them se me politikën e kohës binin ndesh. Kjo literaturë përfshinte ndërmjet të tjerave, dy libra të përkthyer në shqip, por që lejoheshin vetëm në institucionet shkencore për studim, por edhe aty me autorizim. Unë kam qenë edhe në sektorin e studimeve shkencore të ushtrisë dhe e di se cilët ishin librat për përdorim të ngushtë. Furnizimi bëhej nga lart, nuk e merrnim direkt në Ministri, por nëpërmjet Korpusit të tretë që ishte korpusi i Korçës. Kjo literaturë u bë shkaku i një episodi grotesk. Ishte fjala për dy librat: “Strategjia ushtarake sovjetike” dhe “Psikologjia e ushtarit” e autorit anglez, Norman Kouplend. Ndërsa Strategjia sovjetike ishte tekst zyrtar, e përgatitur me grup pune, ky tjetri mbante autor. Ai trajtonte formimin e ushtrisë në këndshikim psikologjik dhe moral. Ndërkohë, tek ne,
ka pasur një shkollë deri diku skematike, dogmatike. Në format e edukimit përdorej vetëm literaturë politike, veprat individuale në fushën e ushtrisë nuk para lejoheshin, edhe në këto raste merrnin autorësi kolektive.
Por “dëmi” i pretenduar apo ndikimi që sollën këta libra, ishte thuajse zero. Unë si ushtarak që lexoja, nuk pashë ndonjë devijim bindjesh. Përkundrazi, në rastin më të mirë do të ishte një zgjerim i horizontit, që tregonte se si taktika ushtarake zhvillohej në përshtatje me zhvillimin teknik. Rusët kishin 4500 kapsula bërthamore, kur amerikanët kishin 2500. Në konceptin ushtarak ishte shumë në rregull. Për të zbuluar influencën e këtyre librave, na erdhi në batalion i deleguari x i Komitetit Qendror. Atij i kishin thënë se këto libra kishin shkaktuar fenomene negative si arroganca, prepotenca, se ushtarakët kishin pësuar ndikimet që kishte pësuar kasta puçiste. I deleguari i KQ e merr fjalën dhe thotë: “Dua të mësoj nga goja juaj ndikimin e literaturës imperialisto-revizioniste në ushtri”. Atëherë u ngritën oficerët me radhë dhe diskutuan me seriozitetin e atij që e di mirë se çka brenda libri i rrezikshëm. Thanë që kanë ndikuar librat se “ja kanë lindur arroganca, prepotenca e të tjera shfaqje të huaja në radhët tona etj”. Atëherë e mora fjalën unë. I them të deleguarit. Këtu shokët folën shumë për ndikimin, por diskutimet e tyre qenë skematike, pa u mbështetur në fakte. Unë ju them me bindje të plotë, se literatura borgjezo-revizioniste nuk ka ndikuar fare në njësinë tonë. Ai hapi sytë: “Si ka mundësi?!,- pyet i deleguari dhe kërkon shpjegime. Atëherë i shpjegova, se si u bë plani i shpërndarjes së kësaj literature të përkthyer, si erdhi nga Ministria e Mbrotjes në Korpus. Korpsi na e shpërndau ne pjesën që na takonte. “Kam një sirtar të veçantë, ku i mbaja dhe e radhita literaturën. Atje bëra dhe një plan shpërndarjeje tua jepja reparteve. I njoftova komandantët e reparteve, hajdeni merrni një literaturë të re që ka dalë. Prit sot e prit nesër, prit sot e prit nesër, nuk erdhën. Mbetën në dollap librat e mi dhe unë sado i nxisja, që janë libra shumë interesantë dhe duhet ti lexoni, nuk erdhi njeri ti lexonte. Atëherë, çfarë lloj ndikimi mund të kishin këta libra mbi ushtarakët tanë?” Aty e gjithë salla plasi në të qeshura. Kur dolëm, ky i deleguari më pyeti në konfidencë: “Po mirë, ndonjë ndikim nuk pate fare ti nga këta librat?” I thashë: “Unë nuk di të zgjidh enigmën se tekstet tona ushtarake thonë që ushtritë borgjeze-revizioniste nuk e vlerësojnë faktorin moral, kurse unë pashë që ato e vlerësonin shumë faktorin moral. Bile, Norman Kouplend citon Napoleonin ku thotë: Faktori moral ndaj faktorit fizik qëndron në raport si 3-shi me 1-shin. Domethënë, tri herë e rrit forcën e ushtrisë morali dhe një herë e rrit faktori fizik-arma. I thashë që më ngacmoi si ide, por nuk ishte ndikim negativ. Atëherë i deleguari më tha: “Ja, ky është një ndikim”. Kur e pashë se si i shihte gjërat, ktheva gjuhën: “Unë kam formim të shëndoshë, nuk bie menjëherë viktimë e çdo gjëje që lexoj. Por ama një gjë më bëri përshtypje; që ushtria amerikane ka futur psikologun që në Luftën e Parë Botërore dhe repartet amerikane patën shumë rezultat, dolën thuajse gjithnjë fitimtarë me futjen e psikologut në ushtri, që në 1919. Ne nuk kemi psikolog”. I deleguari mu përgjigj: “Ja, e zëvendëson politika e partisë atë punën e psikologut”. I thashë: “Atëherë, përse bëhet teksti i psikologjisë në universitet, ndërsa në ushtri kur nuk qenka i domosdoshëm?”...Duke folur për të sotmen, ish-kolonel Pëllumb Zaimi thotë: “Ushtria jonë as sot e kësaj dite nuk ka as psikolog, as sociolog, kur ka shumë nevojë. Është e domosdoshme futja e psikologut. Ne nuk kemi një statistikë, se cila është gjendja morale e ushtrisë tonë sot Madje, mund të them se është anormale”, tregon koloneli në lirim, Pëllumb Zaimi.

“Napoleoni e ka parashikuar, lufta do të vijë nga një fuqi e re”

Dikur Shqipëria kishte menduar jo vetëm për mbrojtjen ushtarake por edhe për mbrojtjen civile. Gjurmët e kësaj përgatitjeje ruhen ende sot. Tunele në pallate dhe në lagje, të bllokuar ose jo, të “plagosur” nga skrepat apo jo, janë aty si dëshmi e një kohe alarmesh “të papërgjakura”. Kjo hije armiqsh që na rrethonin nuk ishte vetëm një mentalitet ushtarak. Shumë njerëz e besonin. Ish-shefi i inspektimit të Forcave Ajrore, kolonel Pëllumb Zaimi tregon se kjo nuk ishte vetëm një
frikë shqiptare. Edhe vende të tjera të Lindjes dhe Perëndimit kanë parashikuar sulme të mundshme dhe për këtë arsye, në vitet e Luftës së Ftohtë kanë ngritur fortifikime dhe vendstrehime masive. Ndërsa Ushtria jugosllave kalonte herë pas here në gatishmëri numër 1 dhe inskenonte skema të ndonjë sulmi nga Shqipëria. Ja se çfarë argumentash sjell ai në intervistën e mëposhtme, për nevojën që vendstrehimet të ruhen dhe të mirëmbahen nga shteti.

-Akoma ne kemi jo vetëm bunkerë por edhe tunele, qendra masive të strehimit të popullatës në të gjitha lagjet ekzistuese të qyteteve tona. Ndërtimi i tyre ishte për të shtuar bindjen e nevojës për vetëizolim, apo kishte një lloj realizmi në ndërtimin e tyre? Pra, ishin pjesë e demagogjisë apo masë paraprake ndaj një rreziku real?
Sistemi i Mbrojtjes varet nga sistemi politik. Ky ishte një sistem mbrojtjeje i nevojshëm për kohën. Nëse zhvillon strategjinë e një politike që nuk ngjason me vendet e tjera, vetvetiu edhe në fushën ushtarake do të zhvillosh një sistem mbrojtjeje që nuk ngjason me të tjerët. Kur sistemi politik i cilëson të gjithë kundërshtarë, po mbi këto parime e ndërton edhe strategjinë ushtarake.
-Në vende të tjera të Kampit të Lindjes, ka pasur të tilla vendstrehime për popullatën?
Nuk jemi të vetmit që kemi ngritur fortifikime. Fortifikime masive kanë ndërtuar izraelitët në luftën izraelito-arabe në vitin 67 (vija e famshme Bar-Lev). Rusi ka, suedezi ka, norvegjezi ka. Ndoshta i kanë bërë në kohën e Luftës së Ftohtë, por ama i ruajnë sot. Letonia ka po ashtu vendstrehime për popullatën. Këto vende të paktën i di që kanë. Belgjika i ka dhe i ka model, Franca po ashtu. Çe do sistemin e fortifikatave Zvicra? Çe do sistemin e fortifikimeve për popullatën Franca?
Përveç vendstrehimeve, janë edhe fortifikimet që ndahen për pushkë, top, mitroloz. Pozicione zjarri për artilerinë tokësore, pozicione zjarri për artilerinë kundërajrore. Ushtari duhet të ishte i mbrojtur nga lart, ndërsa artileria kundërajrore nuk duhet ta kishte kupolën, se ndryshe nuk hapte dot zjarr lart. Por gjithnjë mbahet parasysh se arti ushtarak i përgjigjet sistemit politik.
-Ju thoni se nuk duhet të prishen këto vendstrehime apo fortifikata?
Unë them se duhet të bëhet një plan i studiuar nga shteti, cilat do të jepen me qera, cilat do të ruhen dhe mirëmbahen. Por edhe për biznes, duhen dhënë me disa kushte, që vendstrehimi të përdoret, por të mos modifikohet. Sepse thotë Hantingtoni “Lufta është në natyrën njerëzore. Lufta dhe paqja alternohen”. Domethënë, sot kemi paqen, por nesër konjukturat mund të ndryshojnë. Po sikur të vijë lufta nesër dhe ne si popull të jemi në sipërfaqe të zbuluar? Asnjëherë nuk je i sigurt. Ka një të vërtetë: Që në ngritjen e bunkerëve pati ekzagjerim, u ngritën shumë. Ato duhet të hiqen nga plazhet, nga vendet turistike ku nevojitet të bëhen ndërtime bashkëkohore. Por kudo tjetër, këto fortifikime duhet të merren në mbrojtje nga shteti, janë pasuri kombëtare. Nuk duhet të lejohet të shkojë individi ti shkatërrojë e të marrë hekurin. Nga ana tjetër, vendstrehimet në katet e para të pallateve, duhet që shteti ti mirëmbajë, pasi ato kthehen edhe në burim infeksionesh. Këto vendstrehime kanë pasur kanalizime, ndërsa tani janë bllokuar kanalizimet dhe ujërat e zeza kanë shpërthyer ne vendstrehim.
Ndërsa politika jonë ushtarake po edukon një pacifizëm pa cak. Duket sikur ne tani kemi për mision vetëm të luftojmë jashtë vendit dhe republika jonë nuk duhet të mbrohet. NATO-ja nuk e lejon mosushtrimin e përgjegjësisë sovrane për mbrojtjen e vetes.
-Të kthehemi edhe një herë para 90-s. Alarmet e provokuara në regjimin socialist ishin edhe këto pjesë e një skenari për përgatitje reale të popullatës në rast lufte?
Po, ishin shumë reale. Derisa ishim në Luftën e Ftohtë, që mund të nxehej pas çdo lloj provokacioni ushtarak, gjithçka pritej. Alarme bënte edhe ushtria jugosllave dhe popullata atje. Ja tju tregoj një rast: Erdhi një gjeneral maqedonas andej nga viti 93. Kishte qenë komandant i Brigadës së Tankeve në Dibrën e Madhe. Po bënim biseda të lira. Ai na thotë: “Ore, çfarë kam hequr nga ju! Gatishmëri, gatishmëri, gatishmëri, se po na sulmon Shqipëria. Ngrihej një batalion i juaji me rezervistë në Peshkopi, ne menjëherë kalonim në gatishmëri numër 1. Më keni bërë që gjysmën e karrierës ta kaloj në gatishmëri”, më ankohej gjenerali maqedonas. “Të njëjtën gjë, i them- thoshim edhe ne për ju”. Kështu ne pamë se kishim të njëjtin mentalitet ushtarak.
-Ju thoni se bota do të njohë sërish luftra. Mos është kjo një mënyrë e të menduarit prej ushtaraku?
Lufta është një parashikim që çdo vend e bën, derisa mban ushtri, derisa investon për armatimet. Ne si vend, edhe nëse nuk do të jemi drejtpërdrejtë të përfshirë në një konflikt, mund të gjendemi papritur mes zjarreve. Dhe do të gjendeshim pa asnjë lloj mbrojtjeje. Ju thashë, që lufta është në natyrën e qenies njerëzore. Kina ka krijuar fortifikime që rreth 20 milionë ushtarë i fut nën tokë.
-Mendoni se do të ndryshojnë raportet ushtarake, sipas raporteve të reja ekonomike që krijohen në botë? Eshtë fjala për Kinën
Po, këtë e ka parashikuar Napoleoni, i cili ka thënë, se fatin e botës së ardhshme do ta vendosë Perandoria e Lindjes, por kur të zgjohet se është ende duke fjetur. E kishte fjalën për gjigandin Kinez.

Një histori gazmore me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume

Ishte vera 73. Ne kryenim punime operative (fortifikuese) në Malin e Thatë në Pogradec. Fortifikimi bazohej në metodën e hapjes së tuneleve, për futje masive forcash në rast bombardimesh me aviacion ose artileri. Kjo eksperiencë që kishte lindur nga lufta në Kore, ishte sjellë prej ushtarakëve tanë të specializuar në Kinë dhe Kore. Ka një parim të artit ushtarak: Futi nën tokë njerëzit dhe mjetet. Unë atë kohë isha shef shtab batalioni art-mitralier. Një ditë më thotë komandanti i brigadës, Hysen Helmësi: “Do të vijë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, më mori në telefon. Ti na gjej një dash të zi, se do ta therrim atje ta hamë”.
“Po përse të zi,-i them.- Mund të kem dash të bardhë më të mirë?” “Jo, jo-më tha.- Të zi e do shefi i shtabit”. Nejse, u therr dashi dhe shtruam një drekë tek pushimi veror në Malin e Thatë, mbi kazermat që ishin poshtë. I them komandantit: “Pyete shefin e Shtabit të Përgjithshëm, pse e deshi dashin të zi?”. Ai më tha: “Nuk guxoj ta pyes se kush e di si ma merr”. Dhe unë rri, rri, i thashë vetë: “Me leje shoku shef! Këtë dashin që po hamë këtu, mu dha porosia që duhej i zi, por unë kisha desh të bardhë më të mirë. Pse duhej i zi?” Ai mu përgjigj: “E kishe merak ti pse duhet dash i zi? Pse rri ti me rroba të bardha në behar?” “Se janë më të freskëta,- i thashë, -i përthyejnë rrezet e diellit”. “Kurse ky dashi tha, -që rri me rroba të zeza në behar, ky i thith rrezet e diellit dhe kur i thith rrezet e diellit, mishi bëhet shumë më i shijshëm”. “Thashë me vete: Ku kanë hyrë këta!”.

Viti 69, kur Hito Çako urdhëroi bombardimin e tuneleve me ushtarë

Një eksperiment i jashtëzakonshëm: I pari në llojin e tij për vitet 60. Shqipëria po ndërtonte sistemin e mbrojtjes. Dhjetëra dhe qindra kilometra tunele të hapura nga ushtria duhet të provoheshin për rezistencën e tyre në kohë lufte. Një batalion i tërë me ushtarë u fut nën tokë, në njërin prej këtyre tuneleve, që do të bombardohej. Një tunel me trupa të gjallë, për të provuar bashkë me qëndrueshmërinë e tunelit, edhe qëndrueshmërinë apo zemrën e ushtarit shqiptar. 3500 predha u hodhën mbi tunelin e shenjuar. Një tërmet i vërtetë nëntokë, por që përfundoi vetëm me ca tronditje e rrëshkitje gurësh. Me këtë sistem mbrojtjeje, Shqipëria nuk ishte e zbuluar si sot. Për detajet e këtij eksperimenti, flet kolonel Pëllumb Zaimi, ish-ushtar në atë kohë.

Në vitet 60, në doktrinën ushtarake të shteteve të vogla filloi të evolojë ideja se si do tia bëjë një ushtri më e vogël në numër dhe me sasi më të pakta armatimesh, për ti rezistuar një ushtrie më të madhe dhe më të pajisur me armatime. E vetmja mënyrë e kompensimit ishte zbatimi i parimit: Futi në tokë dhe nën tokë njerëzit dhe mjetet. Në dhjetor të 69-s unë kam parë për herë të parë realizimin e kësaj ideje në një stërvitje nën drejtimin e Hito Çakos. Ideja u eksperimentua për herë të parë në Qafën e Qarrit, një sistem malor-kodrinor, ku ushtria kishte hapur shumë tunele. Unë isha ushtar në batalionin e zbulimit të Korpusit të Korçës në atë kohë, por duhet të sqaroj se ne që u përdorëm në eksperiment, nuk ishim ushtarë që kryenim shërbimin e zakonshëm. Ishim ushtarë që përgatiteshim për tu pranuar në Shkollën e Bashkuar të Oficerave. U futëm në tunelet e hapura në Qafën e Qarrit dhe u bombarduam me 3500 predha. A do të rezistonte mbrojtja e tipit tunel? Kjo ishte pyetja që do të merrte përgjigje.
-Pra, ju u eksperimentuat, që do të thotë se edhe mund të vriteshit…
Po. U goditën tunelet ku ishim futur. Ky eksperiment u bë me forca të gjalla të futura në tunel. Kjo kishte edhe qëllimin psikologjik që të na tregonte ne, ushtarëve se çfarë mbrojtjeje na jepte tuneli. Këto 3500 predha i hodhi artileria e kalibrave më të mëdhenj që kishte ushtria jonë në atë kohë. Fillonte nga mortaja 120, 160 mm, pastaj topat 76mm dhe obuzat 122 mm si dhe topobuzat 152 mm. U provuan të gjitha llojet e municioneve që nga predhat blindshpuese, predhat betonshpuese, predhat thërrmuese dhe u bë një zjarr masiv mbi të gjithë kodrën, nën të cilin ishim strehuar ne, një kompani prej 150 ushtarësh.
-Provuat stres ju që morët pjesë në këtë aksion?
Jo shumë. Nuk u trembëm dhe aq, veçse kur shkëputej ndonjë gur, shtyheshim më tutje. Por tuneli kishte një shtresë prej 40-50 metra trashësi dheu sipër. Kështu, goditjet ne i ndjenim sikur të binte ndonjë tërmet 7-8 ballësh, por e përballuam këtë situatë sepse kishim të tillë përgatitje morale. Pas bombardimit me 3500 predha, ne pamë që tunelet rezistonin. Një luftë, me këtë sistem tunelizimi doli se të shpëtonte kokën, sado që ishte i mangët. (Sepse sistemi i mbrojtjes ka shumë elementë- ka fortifikatat, ka transhetë, ka hendeklidhjet etj dhe nuk mund të bazohesh vetëm tek tuneli, se ja të erdhi armiku, të bllokoi hyrjen e tunelit, të kapi brenda.) Dhe që të kthehemi tek eksperimenti, u habitëm që rezistuam pasi u hodh një mal me predha mbi ne. Vetëm një moment patëm tronditje. Kur dolëm jashtë dhe në hyrje të tunelit ishte një qendër zjarri nga ato të parat fare që ngriheshin me beton të markës 200 ose 300, pamë që predha e kishte çpuar. Eksperimenti, edhe pse synonte të provonte cilësinë e tuneleve dhe jo të qendrave të zjarrit, tregoi që kjo ishte shumë e dobët në krahasim me qëndrat e zjarrit që u ndërtuan më pas të markës 500 e lart. Ajo që na habiti, predha betonshpuese e tpit 152 mm e kishte hapur tejpërtej qendrën e zjarrit atje ku e kishte goditur në kënd të drejtë. Betoni aty kishte qenë rreth 40 cm i trashë.
-U ndjetë me fat që nuk u ndodhët në atë pjesë të tynelit?
Po, thamë shyqyr që nuk u ndodhëm aty dhe shyqyr që kishte një kthesë dera mbrojtëse. Por nëse predha do të kishte qenë në drejtim me derën, do të kishte shpuar edhe derën në hyrje të tunelit dhe do të kishte goditur 2-3 ushtarët më të afërt. Shumica ishim të vendosur tek kthesa e tunelit. Për fat, predha goditi faqen tjetër të qendrës së zjarrit. Ky eksperiment provoi rezistencën e dobët të markës së betonit 300. Më pas, të gjitha qendrat e zjarrit janë bërë me beton të markës mbi 500, por siç e thashë, qëllimi i eksperimentit nuk ishte fortësia e qendrës së zjarrit, por fortësia e tunelit
-Sa i gjatë ishte tuneli dhe të tilla tunele a ka shumë Shqipëria?
Ishte shumë i madh. Mund të shkonte deri në 1km i gjatë, por kishte edhe shumë degëzime: kishte 500 metra degëzim këtej, 300 këtej, 400 më tej..e më radhë. Tunele të tilla vendi ka sa të duash. Në çdo sistem malor dhe kodrinor ka tunel. Për çdo situatë ata janë aty. Madje, aty mund të strehoen në kohë paqeje bagëtitë kur i zë ndonjë stuhi.
-Ju flisni për përgatitjen e ushtarit. Besonte ushtari para 90-s se armiku ekziston dhe mund të shfaqet befas e prandaj duhet gatishmëri?
Po besonte, ishte i ndoktrinuar. Ushtari ynë ishte psikologjikisht i përfshirë në botëkuptimin e një ushtrie që përgatitej për të bërë një mbrojtje eventuale. Sepse ushtari ynë nuk kishte një model tjetër që ta krahasonte. Me kë ta bënim krahasinim? Ne nuk kishim parë botë kurrë. Por edhe ushtria e Titos bënte të njëjtën gjë, përgatitej për mbrojtje nga Shqipëria, në rast të ndonjë sulmi të mundshëm prej nesh.

Mehmet Shehu mëson ushtarët si hiqen morrat në luftë

Në luftë mund të mos vdesësh nga plumbi, por mund të vdesësh nga tifoja e morrit. Ish-kolonel Pëllumb Zaimi kujton përmbajtjen e një takimi që pati me Mehmet Shehun, kur kthehej nga stërvitja. Fjalët e para që i thotë Mehmeti, janë: “Ti oficer je bërë pis”. Ky i përgjigjet: “Po vij nga stërvitja shoku Mehmet, nuk po vij nga Kryeministria”. “Bukur e the, por e di ti, që kështu si je bërë pis, mund të zësh morra?” “Edhe mund të zë,- ia kthen ushtaraku”. “Po si do ti luftosh morrat”,- e ngacmon sërish Mehmeti? “Unë po mendoja, ku do të dalë ky,- tregon Pëllumb Zaimi- I thashë: Do të lahem dhe do ti heq morrat, ja do të hidhem atje tek përroi i Limuthit. Ai më thotë: “Në luftë nuk ke ujë. Me zor gjen edhe për të pirë. Si do ti zhdukësh morrat?” U zura ngushtë. Atëherë vetë Mehmeti na tregon një rast: “Luftonim mbi lumin Ibro në Spanjë. Atje e kishim larg lumin, kishim shumë ditë që luftonim. Unë isha komandant kompanie. Të gjithë luftëtarët, duke ndenjur një kohë të gjatë pa u larë, zunë morra. Si të bënim? Ujë edhe për të pirë, me vështirësi të mëdha. Atëherë, kërkuam kaçubet ku bënin fole mizat e dheut. Vajtëm atje, hoqëm kapotat dhe i vumë rreth trungjeve ku ngjiteshin mizat e dheut. Shtresa e morrave që ishte bërë dy gisht e trashë, aq sa ishte kapota, u hoq nga mizat e dheut që i hëngrën. Kështu i pastruam komplet kapotat. Këtë duhet ta dini, se në luftë mund të zësh edhe morra duke luftuar ditë të tëra në rrethim”, kishte thënë Mehmet Shehu. Ia tregoj babait këtë historinë e Mehmetit, dhe më thotë: “Është e vërtetë. Në Vishegrad zunë morra të gjithë partizanët. Dhe bile, nga tifoja e morrit më ka vdekur një shok i ngushtë, Kol Myzeqari. Më vdiq në dorë. Kur zinim morra, ne këtë metodë aplikonim, por ai siç duket, e kishte marrë infeksionin dhe sado që ne e pastruam, nuk arriti të shpëtojë. Kur e mori vesh i vëllai, Ferdinand Myzeqari pas shumë vitesh, qau me kokrrën e lotit. Por kjo ngjan vetëm në luftime të gjata. Në periudhat e tjera, ushtria ka një rregjim të rreptë higjiene. Në ushtrinë tonë shumë rrallë ndodhte që ushtarët të zinin morra, sepse respektohej regjimi i larjes. Ne vinim kazanët me ujë të nxehrtë dhe në majë të Malit të thatë kishim bërë edhe dushe.”, përfundon rrëfimin e tij ish-kolonel Pëllumb Zaimi.

Nderi i ushtarakut
-Shoqëria e ushtarakëve është dhe sidomos ka qenë, një shoqëri mashkullore. Kjo lloj shoqërie, çfarë karakteristikash zhvillon tek personaliteti: i bën ushtarakët më burrërorë, më të ashpër apo zhvillon karakteristika homoseksuale që njihen në burgje, në ushtri si fenomen?
Më burrëror nuk i bënte, por me sa kam parë unë, i bënte më të stresuar, më të egër. Ndërsa homoseksualitet në ushtrinë tonë nuk ka pasur. Ka qenë vetëm rasti i një drejtori kuadri të ushtrisë, që shkonte me një oficer kundrejt favoreve që i bënte ai. Nuk e di se si e identifikuan, por e moren vesh dhe e fluturuan. Ne i dënonim të tilla akte, mbanim qëndrim të rreptë ndaj këtyre shfaqjeve.
-Në atë kohë si ishin raportet e meshkujve ushtarakë me femrat?
Raportet me femrat ne i kishin shumë korrekte. Por, nëse kishe qëllime të tjera, nuk i shpëtoje survejimit dhe të thërrisnin dhe të këshillonin. Sepse nuk të pengonin që ti të martoheshe me oficeren apo një grua tjetër, por donin të dinin se me çfarë qëllimi shoqëroheshe. Ushtarakë feministë apo me moral të dyshimtë në radhët e ushtrisë ishin të rrallë. Femrat oficere shërbenin në të gjitha njësitë ushtarake. Madje, kryenin edhe detyra të vështira që kishin të bënin me udhëheqjen e drejtpërdrejtë të stërvitjes.
-Çfarë lloj figure morale ka patur ushtaraku/ushtarakja duke përfshirë edhe kohën e jetës private?
Raporte korrekte, por kishte edhe raste të tjera që dëgjonim. Veçse nuk lejohej që të përhapeshin të tilla informacione. Për gratë e oficerëve dëgjonim shumë, sepse ndodhte që ushtarakë të ardhur nga fshati, duke mos pasur njohje, duke qenë se nuk hynin në shoqëri me vajzat, merrnin ndonjë nga fshati “radhiko”. Ishin ata që nuk gjenin dot një nuse. Dhe ndodhte që merrnin ndonjë femër moralisht të lëshuar. Këto gjëra merreshin vesh. Të tërë i dinin. Oficerit nuk i bënin gjë në këto raste, nuk kishte pasoja. Por nëse gruaja do të ishte oficere, pasojat do të kishin qenë të mëdha.
Kodi moral në ushtri është shumë i rëndësishëm. Edhe sot e ka shumë të fortë ushtria gjermane. Nëse je major dhe gruaja jote bën jetë nate, bredh klubeve, shfaq figurë të ulët morale, major mbetesh tërë jetën. Kur ta plotësosh kohën e qëndrimit në gradë, të lirojnë nga ushtria gjermane. Nëse je kolonel dhe merren të dhëna se gruaja jote nuk është në lartësinë e duhur, gradën e gjeneralit nuk e merr kurrë. Mbush kohën e qëndrimit në gradë si kolonel që është 5 -6 vjet dhe lirohesh nga ushtria. Me të gjitha gradat kështu ndodh. Privohesh nga karriera e mëtejshme.

Morali i ushtarit, më i rëndësishëm se fuqia e armatimit
Në ushtrinë e sotme është nënvlerësuar faktori moral. Ky faktor është bazamenti i çdo ushtrie moderne, ndërsa sot nuk ka asnjë doktrinë, që të kujdeset për farkëtimin e faktorit moral në Forcat e Armatosura. Sot, vërtet ushtria është me pagesë, por ushtari nuk farkëtohet vetëm me pagesën. Amerikani D. Henderson, në librin e tij “Kohezioni” analizon faktorin moral në kohën e sotme dhe ushtrinë e Shteteve të Bashkuara e radhit të katërtën nga pesha e faktorit moral. Radhit të parën ushtrinë vietnameze, të dytën ushtrinë sovjetike, të tretën ushtrinë izraelite dhe të katërtën ushtrinë e vendit të vet (amerikane) dhe thotë se “ushtria jonë është kthyer në një ushtri ku vendosin faktorët ekonometrikë” (domethënë pagesa). Po nuk pati ushtari një ideal të fortë moral se përse lufton, ai nuk të lufton, nuk e fut kokën në rrezik për lek.

-Ju flisni për fuqinë e moralit të ushtarit që nuk mund të krahasohet me nxitjen financiare. Atëherë përse vendet e tjera i mbajnë ushtritë me mercenarë?
Shumica po, edhe SHBA-të ushtrinë që mbajnë ditë-natë në gatishmëri, e kanë me pagesë, por në zona të caktuara të globit, e plotësojnë me ushtarë dhe oficerë rezervistë që janë specialistë të aviacionit, tankeve, inxhinierë etj. Nëse ushtria e SHBA-ve ka 40% ushtarë me pagesë dhe 60% rezervistë, tek ne forcat rezervë janë abandonuar krejt. Unë përshembull, jam ushtarak në rezervë dhe shteti deri më sot nuk më ka në asnjë lloj evidence ushtarake. Nëse nesër lind një emergjencë ushtarake, ku do të vete unë si ushtarak? Ku e kam vendin? Ky është një shtet që lundron në anarki në pikëpamje të sigurisë kombëtare.
Të gjitha ushtritë e NATO-s, e kanë po ashtu, më të madhe përqindjen me forca rezervë. Morali për mua është i dobët. Nuk e di se si punohet, kam lexuar edhe disa intervista të Orjana Fallacit në Gjirin Persik ku ushtarët amerikanë ishin kaq të çoroditur…
-Mos ndoshta betejave tokësore u ka ikur koha me përparimet teknologjike në ushtri? Mos bëjnë qark të shkurtër mjetet e shpejta të luftës dhe nxjerrin jashtë loje këmbësorinë?
Në fakt, këtu ka një të vërtetë: Ka rënë ideja e pushtimit ushtarak. Shtetet e fuqishme e kanë bazuar strategjinë e tyre në strategjinë e goditjeve decizive ose kirurgjikale. Domethënë, godasin qendrat nevralgjike të shtetit, si Kryeministrinë, urat etj. Po të godasësh Urën e Matit përshembull, gjithë veriu shkëputet. Lufta nga ajri detyron shtetet të kapitullojnë ekonomikisht, duke i paralizuar aktivitetet. Por nëse duhet ta pushtosh, pa shkelur forcat tokësore, pa marshuar trupat e këmbësorisë, ai shtet nuk pushtohet kurrë.
-Për ta pushtuar nuk mund ta pushtosh pa forcat tokësore, sikurse thoni, por a mund ta çlirosh vetëm me forcat ajrore?
Asnjëherë. Nëse ai shtet nuk pranon të dorëzohet, pa forcat tokësore nuk mund ta bësh të kapitullojë. Sllobodani u dorëzua para kohe, se po humbte shumë nga ekonomia, sepse u goditën urat mbi Danub dhe drejtimi i shtetit. Por po të kishte rezistuar ushtria serbe, duhet të ishin bërë hesapet mirë. Nok do të mbaronte kaq shpejt lufta dhe trupat e NATO-s do të kishin patur humbje të konsiderueshme. Goditjet kirurgjikale janë të tilla, që e prishin drejtimin e mbrojtjes së atij vendi, edhe pse ka vendkomanda rezervë. Por trupat e NATO-s nuk kishin qëllim ta pushtonin Serbinë, kishin qëllim ta detyronin të dorëzohej, por edhe hesape të tjera do të kenë bërë, sepse po të rezistonte serbi, lufta do të vazhdonte gjatë dhe do të kushtonte shumë.
Forca e një ushtrie matet nga fuqia e zjarrit dhe fuqia e zjarrit, llogaritet. Sa është në dimensionin ajror të luftës, sa është në dimensionin tokësor të luftës, sa është në dimensionin detar të luftës? Amerika edhe në rastin e konstatimit të dy blloqeve të mëdha në periudhën e Luftës së Ftohtë, analizoi fuqinë e zjarrit të divizionit të saj që duhet të ishte e njëjtë me fuqinë e zjarrit të divizionit sovjetik ose më e madhe. Ndryshe do të dështonte në rast konfrontimi. Ky raport mbahet gjithnjë parasysh.
-Po ne, a kemi raporte të ekuilibruara me ushtritë e vendeve fqinje?
Jo, nuk kemi. Greqia është superfuqi ajrore në Ballkan, kurse ne nuk kemi asnjë avion. Forca tokësore ne kemi 14 mijë, Greqia ka mbi 250 mijë trupa dhe kërkoi për 10-vjeçarin e ardhshëm, që 150 miliardë euro ti kalojnë buxhetit të Mbrojtjes për të krijuar ekuilibër ushtarak me Turqinë. Pse i duhet Greqisë ky ekuilibër ushtarak, kur të dyja këto janë vende anëtare të NATO-s? Pse ne nuk kemi nevojë për ndonjë ekuilibër forcash? Forcat tona të patrullimit ajror janë inferiore edhe kundrejt atyre të Maqedonisë, Maltës, mini-shtete të Rajonit.
Kur ndërton një doktrinë ushtarake, duhet të bësh llogari mirë, se mund të dalë një strateg dhe të thotë, që ne na duhen 100 avionë. Pyetja ime është: “Pse 100 dhe jo 50 apo 150?” Një ushtri rrogëtarësh, kushton dhe ne nuk e kemi dëgjuar gjëkundi të na thonë, se sa do tu kushtojë shqiptarëve ushtria e rrogëtarëve (mercenarëve). Pse nuk ua thonë shqiptarëve?

Sido që ishte ai sistem, kishte një ideal, një moral. Atëherë isha gati të vdisja, pas 90-s nuk isha më gati të vdisja. Qëkur u fut morali i pagesës, vetvetiu është zbehur morali i ushtrisë, duke kuptuar këtu me moral qëndrueshmërinë e karakterit luftarak. Ushtaraku mund të japë jetën për idealet e tij, por nuk mund të japë jetën për 1000 dollarë në ditë (kaq paguhen ushtarët amerikane në Afganistan dhe në Irak, ndërsa tanët 80-85 dollarë. Ushtarakët tanë paguhen shumë pak, megjithëse kryejnë të njëjtat detyra me ushtarët amerikanë, francezë, gjermanë, letonezë etj. Mund të thuhet se paguhen sipas ekonomisë së vendit, por kokën e vënë në rrezik njësoj si ushtarët e huaj. U vlen koka më pak shqiptarëve?
-A janë trupat tona po aq të rrezikuara, sa trupat amerikane dhe të vendeve të tjera? Janë si ata në frontin e parë?
Po, kanë filluar. Deri tani kryenin misione ndihmëse, kurse tani kanë filluar të kryejnë misione luftarake, pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftë. Po sikur të vritet ai djalë? Për çfarë vlejti jeta e tij, kur familjes më e pakta nuk ia siguroi dot jetën? Me çfarë do të rriten fëmijët e tij? Kush do ti ushqejë dhe shkollojë? Se ushtari amerikan, edhe nëse vritet, fut në një muaj 30 mijë dollarë në xhep. Ka gjithashtu favore të jashtëzakonshme për familjen dhe fëmijët e tij.
Veç kësaj, kanë dalë fakte të rënda për korrupsion në trupat komando dhe të Ndërlidhjes së Shpejtë, e kanë marrë vesh edhe amerikanët, se kur vinte ushtari, i takonin 30 mijë dollarë, 5000 mijë ia merrte kapteri, 3 mijë majori. Kjo u bë problem 5-6 vjet më parë.
-A ka pasur raste që ushtarët tanë të kenë ardhur nga vendet e luftës të traumatizuar, me diagnoza psiqike?
Nuk kam pasur rast të mësoj ndonjë gjë të tillë. Por traumën ushtari e pëson këtu, kur nuk i japin paratë, siç ndodhi me 29 trupat komando që nga 60 u kanë dhënë vetëm 30 dollarë dita. Por ama, çdo ditë në luftë është risku për ta marrë plumbin në lule të ballit. Kush do të donte të gjendej në një rrezik kaq të madh qoftë edhe për një ditë, për 30 dollarë? Qëllimisht u kapën pas nje pike të rregullores, që tu mbanin pagesën, me pretekstin se janë ankuar kolektivisht dhe duhet të ankoheshin individualisht. Dhe të kërkoka njeriu (ushtaraku) paratë e tij, na qenka rebelim! Kjo për mua është shumë e turpshme. Ta çosh të rrezikoj kokën dhe pastaj ti nxjerrësh yçkla rregulloresh! Berisha ka shkelur 20 herë Kushtetutën dhe nuk është ndëshkuar akoma. Atëherë, a jemi të barabartë para ligjit? Se vërtet ushtarakët u ankuan kolektivisht, por nuk reaguan fizikisht. Bën një gabim me fjalën; nuk e thanë veç e veç, e thanë bashkë në një kohë. Por fjala nuk përbën krim.
-Pikërisht këtë nuk arrij të kuptoj, Si arrijnë shkojnë njerëzit të luftojë për një vend tjetër për para?
Varfëria është arsyeja kryesore. Por këtu më shqetësuese është inferioriteti ekonomik i trupave tona.
Brenda një Aleance nuk duhet të krijohen raporte superioriteti dhe inferioriteti. Rezikun e kanë të tërë njësoj. Nëse ushtari ynë kryen një mision shërbimi dhe ushtari i NATO-s nga nje vend tjëter kryen po të njëjtin mision shërbimi, pagesa duhet të jetë e njëjtë. Nëse ushtari amerikan paguhet 1000 dollarë në ditë, të njëjtën pagesë duhet të ketë edhe ushtari ynë.
-Justifikimi i shtetit tonë supozoj të jetë: Nuk matemi dot me Francën dhe Amerikën se jemi vend i varfër. Kaq mundemi të japim dhe ata që kanë shkuar në këto misione kanë rënë dakord për kaq para.
Atëherë, unë do tu thosha: Pse kanë hyrë në NATO, pse thonë se i kanë arritur standardet? Ndërsa ne na kontribuon NATO me këshilltarë, ne po i kontribuojmë me ushtarë në vijat e luftimit. Është një gënjeshtër fund e krye të thuash se ke plotësuar standardet e NATO-s, kur ushtarët tanë kanë të tjera standarde në pagesë nga ushtarët e kësaj aleance. Le të përgjigjet Ministri i Mbrojtjes, se e ka detyrim ligjor tek ligji “Për autoritetet dhe pushtetet e komandimit të Forcave të Armatosura”. Të na thotë, a ka ndonjë politikë sociale me këta ushtarakë? Ku i ka politikat e trajtimit të ushtarakëve që çon në Irak? Kurrë nuk është mbledhur Këshilli i Politikave Mbrojtëse, që është detyrimi ligjor i tij. Të na thotë ministri i Mbrojtjes, se cilin derivat të politikave ushtarake sociale ka deklaruar në parlamet apo tek komandanti i përgjithshëm?

-Po NATO vetë, si e lejon këtë disbalancë të madhe pagesash, që është diskriminuese brenda saj?
Kjo pyetja juaj nxjerr zbuluar faktin, se ne nuk i kemi plotësuar standardet e NATO-s, kështu që kemi hyrë në NATO me lojëra politike, sepse me merita ushtarake nuk jemi gjëkundi.
-Po NATO atëherë si e ka pranuar vendin tonë, nëse është kështu si thoni?
Këtë përgjigje nuk e jap unë, pyet NATO-n pse e ka pranuar, por NATO-n mund ta ketë gënjyer qeveria shqiptare.
-Ju mendoni se nuk e di NATO se sa paguhet ushtari ynë?
Ku ta di unë. Nuk kam qenë në operacion. Unë di që ushtari ynë, nga 60 merr 30 dollarë dita. Dhe u kapën në një pikë të rregullores së disiplinës, që ndoshta është qëllim për të mos ia paguar edhe ato pak dollarë. Për mendimin tim, për këtë veprim, ushtarët mund të dënoheshin duke i mbajtur në dhomën e ndalimit disiplinor nga policia ushtarake, por jo duke i përjashtuar nga ushtria me një nen rregulloreje. Nuk është vepër penale. Të ankohesh për shkelje disipline ka shkallëzim masash dhe nuk kalohet menjëherë në ekstremin e tyre
-Policia ushtarake është ruajtur si strukturë?
Nuk e di, por di që ka qenë shumë e fuqishme. Tani nuk kam informacion, sepse këtu nuk jepen kurrë të dhëna: Sa janë Forcat e Armatosura të Shqipërisë? Nga këta, sa janë oficerë, kolonelë, majorë, togerë? Sa janë policë- ushtarakë? Nga sa përbëhet ky regjiment? Pra, nuk ka gjë këtu, që duhet të mbahet e fshehtë. Çdo politikë ushtarake dhe organizative ka një kosto financiare dhe këtë kosto financiare e paguajnë shqiptarët, prandaj shqiptarët kanë të drejtë të dinë. Shteti, Ministria e Mbrojtjes janë të detyruara tu thonë shqiptarëve se do të mbahet kaq polici ushtarake, kaq forca detare, kaq ndërhyrje e shpëjtë e me radhë.
-Popullsia civile mendon se ushtria jonë ishte shumë e fryrë dhe nuk na duhej, pra paguanim kot për avionë, nëndetëse, bunkera dhe forca të mëdha. A nuk mendoni se sot janë shkurtuar shpenzime të tepërta?
I ka shkurtuar Ministria por i ka shkurtuar mekanikisht. Në bazë të kësaj strategjie, shkurtimet parimisht i quaj të drejta, por i quaj të padrejta nga pikëpamja e kalkulimit shkencor. Sepse kur thua që do të mbaj 14 mijë forca, unë si qytetar taksapagues them: Pse? Mbi çfarë llogaritjesh e ke nxjerrë? Mbi çbazë kundërshtarësh eventualë e ke bërë? Pse nuk është bërë i ditur për opinionin, se mbi çfarë studimi ka dalë kjo forcë?
-Mbase e kanë konsideruar çështje ekspertësh dhe mund të thonë që “këto gjëra i disktojnë në tryeza, i dinë specialistët e punës këto gjëra”
Këto janë përralla me mbret. Ne jemi 20 mijë ushtarakë në rezervë dhe ndjekim me vëmendjen më të mëdhe gjithçka që ndodh në lëmin e politikave të Sigurimit Kombëtar. Qeverria nuk do oponencë, unë i kuptoj fare mirë ata. Por unë nga ta marr garancinë, se diku nuk ka qëllime të mbrapshta kombëtare për ta boshatisur komplet Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë? Për këtë arsye duhet të ketë oponencë profesionistësh nga ushtarakët. Ushtarakët aktivë nuk mund ta bëjnë këtë oponencë sepse janë rrogëtarë.
-Sa forca i duhen ushtrisë sonë mendoni ju?
Nuk mund ta them, sepse duhet të thirren shumë specialistë të flotës, të aviacionit, të forcave tokësore, duhen konsulta të gjera. Përshembull, nëse do thuash që na duhen 10 mijë forca tokësore, do të japësh argumenta shkencorë ushtarakë, supozojmë, “na duhen që të jemi në ekuilibër me grekun, sepse në kaq km katrorë ai ka kaq forca”. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes deri më sot nuk ka dhënë asnjë argument pse i reduktoi forcat ushtarake në 14 mijë.
-Ne i kemi dhënë Greqisë të drejtën të ruajë hapësirën tonë ajrore. Ky mirëbesim, minimalja do të kërkonte heqjen e ligjit të luftës nga pala greke. Apo jo?
Çështja është se këtu nuk ka një strategji konkrete ushtarake, jo ajo strategji që ka paraqitur parlamenti që më 2004, që duhet të rinovohet çdo tri vjet dhe nuk është rinovuar akoma. Ajo nuk është një strategji edhe aq ushtarake sesa politike. Kontrolli grek në ajër nuk duhej lejuar, aq më tepër që grekët mbajnë në këmbë ligjin e luftës me ne. Ky ligj nuk krijon kushte për mirëbesim të ndërsjelltë.
-I është kërkuar ndonjëherë palës greke nga shteti ynë që ta heqë ligjin e luftës? Në cilat vite nëse ka patur?
Është bërë vetëm zhurmë në media nga ekipet e historianëve, por unë nuk di deri sot, ndonjë dokument zyrtar të botuar, përshembull ndonjë kërkesë të komandantit të Përgjithshëm për heqjen e ligjit të luftës nga Greqia.
-Ju si ushtarak si mendoni: Pse i duhet Greqisë mbajtja e ligjit të luftës?
Këtu politika greke duket të jetë nën ndikimin e lobeve që hedhin tezën e Vorio-Epirit. Ndoshta këto kanë ndikuar që të mos hiqet ligji i luftës që nesër, kur të shikojnë një boshllëk në marrëdhënie ndërkombëtare, të kalojnë në agresion. Është paradoks që dy vende anëtare të NATO-s të kenë ende një ligj lufte midis tyre. Por ama praktika ka treguar, që edhe dy vende anëtare të NATO-s kanë kaluar në konflikt. Përshembull, turqit dhe grekët janë konfliktuar disa herë.
-Çfarë thonë partnerët turq? A vazhdojnë ata të kontrollojnë hapësirën ajrore shqiptare?
Jo, dhe është krijuar artificialisht një sherr. Edhe gjenerali italian Fabio Mini e vë në dukje. “Kjo,- thotë ai, - hapi shtegun për polemika, sepse janë ende nacionalizmat e vjetër që sundojnë në marrëdhëniet politike midis shteteve, sepse ka reminishenca të së kaluarës”. Hapësirën tonë ajrore e kishte për ta kontrolluar baza turke e Izmirit. Për çudi, vjet iu hoq bazës turke të Izmirit dhe iu dha Aviacionit Grek dhe kjo besoj se ka krijuar hatërmbetje tek turqit. Ata nuk e kanë shprehur, por ne, si ushtarakë, e kuptojmë.
Ky lajm është publikuar: 13/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›