E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet Ish/ushtarakët, si merret pensioni i parakohshëm

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Ish/ushtarakët që kanë dalë në rezervë ose kanë ndërprerë karrierën ushtarake për arsye shëndetësore dhe duan të përfitojnë pension para kohe mund të depozitojnë një kërkesë të tillë pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Vetëm se në këto raste duhet të mbahet parasysh se kur aplikohet për pension të parakohshëm nuk e përfiton masën e plotë të pensionit që do ta kishin përfituar nëse do të kishin mbushur moshën. Madje nëse bëhet një kërkesë e tillë, personat që përfitojnë pension të parakohshëm iu humb e drejta që në momentin që mbushin
moshën të bëjnë kërkesë për pension të plotë.
Bllokimi
Aktualisht egziston një ngërç me pensionet e parakohshme pasi, ish/ushtarakëve iu është ndërprerë pensioni i parakohshëm që prej korrikut të 2009-ës. Sipas burimeve nga Shoqata e Ushtarakëve të Liruar dhe në Rezervë, aktualisht që nga korriku i vitit 2009 janë bllokuar pensionet e parakohshme për qindra ushtarakë, duke përfshirë; kategorinë e ushtarakëve të shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, SHISH-it, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit si dhe punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Përgjigja e ISSH-së lidhur më këtë ndërprerje 1-vjeçare ka qenë se këto pensione janë bllokuar si pasojë e mungesës së një ligji përfundimtar, duke qenë se drafti i fundit i qeverisë ende pret vendimin e Kushtetueses. Por ish/ushtarakët kërkojmë që ISSH-ja të japë urgjentisht pensionet e parakohshme për këto kategori, duke zbatuar ligjin e fundit që ka qenë në funskion. “Kjo deri në miratimin e draftit të ri nga Kushtetuesja, dhe nëse do të rezultojnë ndryshime atëherë le të zbresin apo të shtojnë shumën e pensioneve që i takon secilit ushtarak,” argumentojnë përfaqësues të Shoqatës së tyre.
Ligji
Ligji në fuqi e përcakton qartë se pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, këto kategori fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, kur: plotësojnë vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt; kanë mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.
Procedura
Vendimi për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe për pensionet suplementare të ushtarakëve merret nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore. Në vendimin për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe të pensioneve suplementare të ushtarakut caktohet lloji i pensionit dhe afati i pagesës. Vendimi bazohet në dokumente të sakta të lëshuara vetëm nga organet kompetente, në formën e caktuar dhe pa korrigjime. Veprimet dhe parimi i kërkesës së dokumenteve, shqyrtimi dhe plotësimi i vendimit për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe të pensioneve suplementare
të ushtarakut kryhen nga inspektorët e sigurimit suplementar të ushtarakëve. Kur dokumentet janë të rregullta dhe plotësojnë të gjitha kushtet, kryhen veprimet për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të
ushtarakut në fletën e posaçme të përllogaritjes. Pas këtyre veprimeve plotësohet vendimi për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të
ushtarakut në fletën e posaçme të vendimit të caktimit të pensionit, me të gjitha kërkesat që ka formati përkatës.

Dosja-dokumentet
1. Vendimi i caktimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të ushtarakut.
2. Kërkesa me të gjitha dokumentet e regjistruara në të, që kanë shërbyer për caktimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensionit suplementar të ushtarakut dhe të gjitha dokumentet që merren here pas here për të provuar vazhdimësinë e pagesës së këtij pensioni.
3. Kur pensionisti kalon nga një lloj pensioni në tjetrin, dosja së bashku me kartelën e
pensionit të mbyllur, ruhet në dosjen e pensionit që vazhdon të paguhet. Gjithashtu në dosje ruhen dhe kartelat e tjera që ka mbaruar plotësimi i shkarkimit të pagesës së pensionit.
4. Dokumentet në dosje mbahen të sistemuara sipas llojit të renditjes kronologjike. Dosjet e pensionit, librat e regjistrat mbahen në arkiv të posaçme të siguruara sipas rregullave të caktuara, të sistemuara sipas llojit e numrit rendor dhe ruhen përgjithmonë.

Çelja e dosjes personale të pensionit

Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, si dhe pensionet suplementare të ushtarakëve që jepen sipas Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” regjistrohen në regjistrin themeltar të pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensioneve suplementare të ushtarakëve, në të cilin shënohet emri, atësia, mbiemri i pensionistit dhe të gjitha të dhënat e tjera që mban regjistri, numri rendor i regjistrit dhe kodi përkatës që ka pensioni në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Kur pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose pensioni suplementar i ushtarakut i regjistruar njëherë pëson ndryshime, p.sh., kalon nga një lloj pensioni në një lloj tjetër, lë pensionin e hyn në marrëdhënie pune dhe më vonë i lind e drejta për të marrë pensionin e të njëjtit lloj, nuk regjistrohet me numër të ri, por vazhdon të mbajë numrin që ka pasur. Për të pasqyruar këto ndryshime në regjistër për çdo pension të regjistruar lihen 5 rreshta bosh.

Ky lajm është publikuar: 13/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›