E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re Studentët, përmirësim të 4 notave brenda vitit

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Studentët e Universitetit të Tiranës prej kohësh kanë propozuar një ndryshim në rregulloren e universitetit lidhur me mundësinë e ridhënies së provimeve. Kjo kërkesë ka qenë e shprehur prej studentëve edhe në protestat e zhvilluara herë pas here në disa fakultete (sidomos ato të shkencave egzakte). Sipas nismës e re të mbështetur nga Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës studentët e UT-së mund të përmirësojnë tre deri në katër nota (provime) në përfundim të ciklit të parë të studimeve. Kjo është një praktikë e re për studentët që ndjekin studimet e larta pranë tetë fakulteteve të Universitetit të Tiranës (UT), pasi nuk është zbatuar në vitet e mëparshme të studimit. Në këtë mënyrë studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe të Drejtësisë do të kenë mundësinë që të përmirësojnë deri në katër nota, për arsye se ende në këto dy fakultete, pavarësisht futjes së procesit të Bolonjës, studimet e ciklit të parë zgjasin katër vjet. Ndërsa studentët e fakulteteve të tjera të UT-së, ku studimet e ciklit të parë realizohen sipas Bolonjës me cikël 3-vjeçar, kanë mundësi që në fund të studimeve të japin deri në tre provime për përmirësim note. Gjithashtu, Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës bën të ditur se në fund të një viti akademik të gjithë studentët do të kenë të drejtën të përmirësojnë dy nota që ju korrespondojnë lëndëve të marra gjatë atij viti. Përfaqësuesit e Këshillit Studentor shpjegojnë se është dashur një kohë e gjatë për hartimin, diskutimin dhe miratimin e projektit përfundimtar në Senatin Akademik të Universitetit si dhe për të marrë aprovimin edhe të Ministrisë së Arsimit. Gjithsesi, sipas tyre, ky proces po kurorëzohet dhe ka filluar puna për një proces tjetër normë-krijues po aq të rëndësishëm sa i pari. Duke qenë se në rregullore sanksionohet shumica e të drejtave të studentëve, përfaqësuesit studentorë në Senatin e Universitetit dhe Këshilli Studentor i Universitetit kanë filluar të punojnë, bazuar në modelet universitare perëndimore, për të paraqitur kërkesat e tyre. Duke ju hedhur një vështrim këtyre kërkesave, në thelb të përcaktuara, studentët e Këshillit Studentor kanë arritur në konkluzionin se rregullorja e re e Universitetit të Tiranës do të jetë një akt në shërbim të interesave të drejta të studentëve. Sipas rregullores funksionale afati i studimeve në Universitetin e Tiranës në sistemin me shkëputje nga puna, nuk është më i vogël se 3 vjet. Në sistemin pa shkëputje nga puna, këto studime zgjasin një vit më shumë se në degën përkatëse të sistemit me shkëputje nga puna. Afati maksimal i përfundimit të studimeve të plota universitare në Universitetin e Tiranës është deri në dyfishin e afatit të rregullt. Studentët që nuk arrijnë të përfundojnë studimet brenda këtij afati maksimal, humbasin të drejtën e vazhdimit të studimeve. Po ashtu, të drejtën e vazhdimit të studimeve e humbasin edhe studentët, të cilët shpallen përsëritës të të njëjtit vit akademik tri herë. Afati maksimal i mbrojtjes së diplomës, është deri në 3 vjet nga koha e përfundimit të studimeve të plota. Brenda këtij afati, studenti ka të drejtë të provohet për mbrojtje diplome deri në katër herë. Ndërprerja e studimeve Studenti mund të ndërpresë studimet në çdo kohë të vitit, për një afat jo me tepër se tre vjet dhe vetëm për këto raste: kur sëmuret për periudha të gjata, të dokumentuara me raport nga komisioni mjeko-ligjor, ku të jenë shprehur qartë diagnoza e rekomandimi; kur mbetet kryefamiljar, në raste fatkeqësish e në kushte ekonomike të vështira, të dokumentuar nga zyrat e pushtetit lokal; kur, për arsye ekonomike, detyrohet të punësohet jashtë vendit, i justifikuar me dokumentet përkatëse. Ndërprerja e studimeve për një vit bëhet me lejen e Dekanatit. Kurse për afate më të gjata (deri 3 vjet) bëhet me miratimin e Rektoratit, në bazë të propozimit të Dekanatit. Studenti paraqet kërkesën për leje në Dekanat si dhe dokumentet e tjera të nevojshme. Ndërprerja e studimeve është e rregullt kur ai merr miratimin e kërkesës së tij nga organi përkatës. Në të kundërt, studenti mban vetë përgjegjësi për pasojat e mundshme. Ndërprerja e studimeve me miratimin e organit përkatës quhet e justifikuar dhe nuk llogaritet në vitet e përsëritura. Çdo ndërprerje e pamiratuar e studimeve është e barasvlershme me mosparaqitjen në procesin mësimor dhe viti llogaritet në përsëritje. Rikthimi i studentit, pas ndërprerjes së justifikuar të studimeve bëhet vetëm në fillim të çdo semestri dhe jo më vonë se dy javë nga fillimi i tij.

Përmbajtja e diplomës
Neni 12
1. Pranimi i kandidatëve të rinj për të ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës, bëhet me konkurs.
2. Për studentët që janë diplomuar dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në një degë të dytë, në sistemin me shkëputje nga puna, pranimi bëhet pa konkurs, kundrejt tarifës së caktuar.
3. Studenti me shkëputje nga puna, ka të drejtë të paraqitet në konkursin e pranimit për degë të dytë, në sistemin pa shkëputje nga puna, vetëm pasi ka përfunduar vitin e dytë të studimeve me shkëputje nga puna.

Neni 13
1. Kandidati fitues i konkursit, ka të drejtë të ndjekë studimet në vitin akademik për të cilin konkuroi, nëse regjistrohet në sekretarinë mësimore të Fakultetit përkates brenda afateve të parashikuara e të shpallura; kështu ai fiton statusin e studentit.
2. Nëse ai nuk regjistrohet brenda kësaj kohe, Universiteti nuk merr përsipër ruajtjen e të drejtës së studimit.
3. Statusi i studentit përfundon me marrjen e diplomës ose me përjashtimin e personit nga Universiteti.
4. Për tu regjistruar, studenti paraqet pranë sekretarisë mësimore të Fakultetit dokumentacionin sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit e të Shkencës si dhe shlyen tarifën e caktuar sipas akteve ligjore e nënligjore.

Afati i Studimeve
1. Afati i studimeve në një degë apo profil të caktuar, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Afati i studimeve universitare në Universitetin e Tiranës, në sistemin me shkëputje nga puna, nuk është më i vogël se 3 vjet. 3. Në sistemin pa shkëputje nga puna, këto studime zgjasin një vit më shumë se në degën përkatëse të sistemit me shkëputje nga puna.
4. Afati maksimal i përfundimit të studimeve të plota universitare në Universitetin e Tiranës është deri në dyfishin e afatit të rregullt.
5. Studentët që nuk arrijnë të përfundojnë studimet brenda këtij afati maksimal, humbasin të drejtën e vazhdimit të studimeve.
Po ashtu, të drejtën e vazhdimit të studimeve e humbasin edhe studentët të cilet shpallen përsëritës të të njëjtit vit akademik tri herë.
6. Afati maksimal i mbrojtjes së diplomës, është deri në 3 vjet nga koha e përfundimit të studimeve të plota. Brenda këtij afati, studenti ka të drejtë të provohet për mbrojtje (temë ose provim formimi) deri në katër herë.
Neni 16
Studenti mund të ndërpresë studimet në çdo kohë të vitit, për një afat jo më tepër se tri vjet dhe vetëm për këto raste:
a. kur sëmuret për periudha të gjata, të dokumentuara me raport nga komisioni mjeko - ligjor, ku të jenë shprehur qartë diagnoza e rekomandimi;
b. kur mbetet kryefamiljar, në raste fatkeqesish e në kushte ekonomike të vështira, të dokumentuar nga zyrat e Pushtetit Lokal;
c. kur, për arsye ekonomike, detyrohet të punësohet jashtë vendit, i justifikuar me dokumentet përkatëse.

Riprovimet dhe mbartja sipas rregullores
Neni 30
1. Studenti i sistemit me shkëputje nga puna ka të drejtë të hyjë në sesionin e vjeshtës (sesioni i riprovimeve) kur ka jo më shumë se katër detyrime mësimore të pashlyera; në këtë numur përfshihen dhe detyrimet e mbartura.
2. Nëse detyrimet e mbartura nuk shlyhen, studenti shpallet përsëritës për vitin mësimor që ndjek. Studenti bursist humbet të drejtën e bursës për vitin që përsërit.
3. Studenti në sistemin me shkëputje nga puna shpallet përsëritës kur mbas përfundimit të sesionit të vjeshtës, mbetet në më shumë se dy detyrime mësimore.
4. Në çdo vit mësimor studenti ka të drejtë të mbartë deri në dy detyrime dhe të provohet për to deri në dy herë në vitin pasardhës. Herën e parë, para sesionit të provimeve të dimrit, në kohën e përcaktuar në strukturen e vitit mësimor; heren e dytë, lejohet vetëm në sesionin e riprovimeve.
5. Studenti në sistemin pa shkëputje nga puna është i detyruar që, në vitin pasardhës, të shlyejë paraprakisht detyrimet e mbetura; mbas kësaj, i lind e drejta të shlyejë detyrimet e kursit që ndjek.
Neni 31
1. Studenti i vitit të fundit që, në përfundim të provimeve të kursit, rezulton me deri tri detyrime të palikuiduara, ka të drejtë ti likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga Dekanati, përpara sesionit të provimit të shtetit.
2. Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në provimin e formimit ose në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së këtyre detyrimeve në sesionin e riprovimeve (të vjeshtës), ndërsa diplomimi bëhet në sesionin e dimrit.
3. Studentët e vitit të fundit, që në përfundim të sesionit të verës rezultojnë me më shumë se tre detyrime të pashlyera, konsiderohen përsëritës për atë vit shkollor.
4. Në çdo fund sesioni, Dekanati shpall studentët përsëritës dhe ata të përjashtuar.

Neni 32
Studentët që lëvizin në kuadrin e projekteve e programeve ndërkombëtare në të cilat Universiteti i Tiranës merr pjesë, lirohen nga detyrimet e frekuentimit parashikuar nga neni 21. Atyre u njihen provimet e dhëna jashtë shtetit për lëndët e ngjashme dhe kur kthehen në atdhe, duhet të shlyejnë detyrimet për lëndët e tjera.

Ky lajm është publikuar: 13/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›