Gazmend Dibra; Arratia e Çakrrit, nuk do të sjellë penalizim kolektiv për lejet
Një ditë pas arratisë së të dënuarit Petrit Çakrri, kreu i Burgjeve, Gazmend Dibra, deklaroi se “nuk do të penalizohen të dënuar të tjerë, duke mos iu dhënë leje shpërblyese. Nuk do të ketë dënime kolektive siç mund të ketë ndodhur më parë. Lejet do të vazhdojnë siç është vepruar edhe gjatë kësaj kohe, ndërkohë që do shihen me kujdes dhëniet e lejeve për persona si Petrit Çakrri”. Deklarimi i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve erdhi pas prezantimit të projekteve për tre burgje dhe tre paraburgime të reja me financim të BE-së. Lidhur me moskthimin në ambientet e burgut të të dënuarit Çakrri, Dibra u shpreh se “menjëherë pasi mësuam moskthimin e këtij të dënuari në burgun e Shënkollit, lajmëruam Ministrinë e Brendshme për të shpallur në kërkim Petrit Çakrrin. Sipas Dibrës, vetë Çakrri vendosi ta marrë përsipër një aventurë të tillë, ndërkohë që dhënia e lejes ka qenë korrekte dhe një leje e mëparshme shpërblyese është zbatuar nga ky person. “Çakrri nuk kishte probleme me burgjet, por me gjykatën”, - deklaroi drejtori Dibra. “Procedurat e lejes janë dhënë konform ligjit dhe në bazë të sjelljes së tij, e cila ka qenë e rregullt. Arratisja e të burgosurit sigurisht që do të shtrëngonte disa hallka për sa i përket dhënies së lejeve të të dënuarve, por nuk do të thotë që do të penalizoheshin të dënuarit e tjerë”, - përfundoi kreu i Burgjeve. Po në të njëjtën linjë me drejtorin Dibra ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kur gjatë fjalës së tij lidhur me trajtimin e të dënuarve dhe çfarë do t’u ofrohet në burgje, ai theksoi se “leje do të jepen, edhe pse ndonjëherë nuk respektohen”.
Projekti
Ministria e Drejtësisë dhe KE paraqitën dje projektin për tre burgje të reja, në Fier, Gjirokastër dhe Shkodër dhe tre qendra të reja të paraburgimit në Elbasan, Berat dhe Kukës, që adresojnë problemet kryesore të sistemit shqiptar të burgjeve. Gjithashtu, janë llogaritur kostot e përafërta për ndërtimin e këtyre godinave. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian me shumën prej 780.000 eurosh. Problemet e mbipopullimit dhe kushtet e këqija të jetesës në burgjet dhe qendrat shqiptare të paraburgimit vihen në dukje në vazhdimësi nga disa raporte, duke përfshirë edhe Progres-Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2008. Përforcimi i kapacitetit të sistemit shqiptar të burgjeve, në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare është një nga qëllimet kryesore të bashkëpunimit të Komisionit Evropian me qeverinë shqiptare. Projekti në fjalë adreson rekomandimet e identifikuara në "Masterplanin për Sistemin Shqiptar të Paraburgimit", i përgatitur, po ashtu falë ndihmës së BE-së, në vitin 2004 nga Ministria e Drejtësisë se Austrisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e Sllovakisë, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë. Në fjalën e tij ministri i Drejtësisë i premtoi ambasadorit Lohan se qeveria shqiptare do ta kthejë këtë ndihmë financiare në investime efikase për sistemin e burgjeve. “Ju premtoj që kjo ndihmë dhe të tjera si këto në të ardhmen për aq sa do të jetë, në respekt të taksapaguesve evropianë, do të përthithen dhe do të zbatohen në mënyrën më efikase të mundshme”. “Çfarë mund të ofrojmë ne në shkëmbim të kësaj ndihme? Reformë në institucion, reformë në sistem, reformë në mentalitet. Një sërë ligjesh shumë të rëndësishme në këtë fushë janë ndryshuar rrënjësisht. Ligje që kanë të bëjnë me sistemin e trajtimin të të dënuarve, me të drejtat e të dënuarve, me mënyrën se si trajtohen ata, ndryshimi i Kodit Penal, alternativat e dënimit me burgim, rritja e nivelit të normës ushqimore, rritja e kushteve në qelitë e burgut, rritja e të drejtave të të dënuarve, dhënia e lejeve, edhe pse ndonjëherë nuk respektohen. Deri tani jemi shoqëruar nga një frymë reformiste në legjislacion dhe jo vetëm në infrastrukturë, e cila ka dhënë rezultate shumë të mira për këtë vend, të njohura dhe vlerësuar edhe nga organizma autoritarë, si Komisioni për Parandalimin e Torturës”, - u shpreh ministri në fjalën e tij. Përveç investimeve të huaja në ndërtimin e infrastrukturës së Institucioneve të Vuajtjes së Dënimit, investime janë bërë edhe nga buxheti i shtetit, si spitali i Durrësit, tre paraburgimet në Korçë, në Fushë-Krujë dhe Vlorë. Gjatë prezantimit, shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, vuri në dukje se "sjellja e keqe, keqtrajtimi dhe menaxhimi i papërshtatshëm i konflikteve në burgje pasqyrohen në dosjen dhe emrin e përgjithshëm të vendit për të drejtat e njeriut. Burgjet nuk duhet t'i shërbejnë vetëm një qëllimi të përkohshëm ndëshkimor. Duhet gjithashtu të përgatisin kthimin e sigurt të të dënuarve në shoqëri. Prandaj, respektimi i të drejtave të njeriut është jashtëzakonisht i rëndësishëm në mjedisin e burgut”. Bashkimi Evropian ka parashikuar një shumë totale prej 15.5 milionë eurosh për ndërtimin e burgjeve dhe qendrave të reja të paraburgimit.