Pëllumbi: Aleancat fluide për zgjedhjen e Presidentit
Një ndër figurat kryesore në PS, Sërvet Pëllumbi analizon në librin e tij edhe mundësitë e aleancave fluide që janë bërë me qellim zgjedhjen e Presidentit, pikërisht në pjesën e dytë ku flitet gjatë për arsyet që çuan në zgjedhjen e kreut të shtetit
Pjese e shkëputur nga pjesa e dytë "Zgjedhja e Presidentit"
(Vijon nga numri i kaluar)
KRIZA E SISTEMIT PARTIAK
Përsëri me "aleanca fluide"?
Situatat konkrete politike që po krijohen në procesin e lëvizjeve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës meritojnë analiza të posaçme. E majta ka krijuar përshtypjen se ka kohë që merret me këtë çështje dhe se është më e qartë dhe më e përgatitur. Veçse shenjat e deritanishme flasin për të kundërtën, për "hesape" që presin të hidhen në tryezë apo direkt e në publik. Për konkretizim, I. Meta (LSI) u drejtohet me një letër partive aleate opozitare, në të cilën, në formë imponuese, kërkon që deri ditën e hënë të përcaktohet kandidatura për Presidentin e Republikës, përndryshe LSI-ja çlirohet nga obligimet e përbashkëta dhe do të veprojë në mënyrë të pavarur. Rast jo i zakonshëm për një koalicion partish opozitare.
Ballafaquar me krizën e stisur, që mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, "ultimatumi" i Metës mbase mund të quhet i përligjur. Jo rastësisht, ai gjeti mbështetje publike nga PSD-ja dhe PDS-ja që, siç dihet, shpesh rivalizojnë mjaft ashpër midis tyre. Mundësia e konsensusit për zgjedhjen e presidentit ekziston, por mendoj se, si kusht paraprak, duhet vlerësuar kohezioni i vetë opozitës, që në raste të tilla të rëndësishme pëson të çara të "habitshme". Druaj se edhe kësaj here ka për të ndodhur e njëjta gjë. Trysnia e dyshes Nano-Berisha po rritet, ndërsa mënyra se si po vepron opozita duket sikur e favorizon trysninë e tyre. Kandidatura e Moisiut, e propozuar nga Meta si bazë konsensusi brenda opozitës, vështirë të shërbejë si mënyrë për të unifikuar opozitën dhe të mbajë larg Nanon. Ndërkohë është i njohur qëndrimi absolutisht negativ i shumicës qeverisëse dhe i vetë Berishës ndaj presidentit në detyrë, A. Moisiut.
Po më tej? Mund të bëhen dy supozime:
1) Opozita e bashkuar të mos e marrë konsensusin e shumicës për kandidaturën e Moisiut në tryezën e radhës PD-PS dhe pas kësaj do t'i duhet ta nisë gjithçka nga e para duke propozuar kandidatura të tjera. Procesi mund të përsëritet nga tryeza në tryezë. Pas një procedure të tillë testimi reciprok, shumica mund të mos e japë konsensusin për asnjë nga kandidaturat dhe të vazhdojë lojën për të krijuar kushtet për të realizuar skenarin që ka në mendje "mjeshtri i krizave", S. Berisha. Ndërkaq, opozita mund të vihet para provash të vështira dhe të mos arrijë të veprojë e bashkuar deri në fund të procesit, duke lejuar iniciativa individuale kandidatësh "rebelë", të nxitur nga vetë liderët partiakë, pse jo dhe nga pala kundërshtare, që kërkon të përfitojë nga përçarjet e opozitës.
2) Kandidatura e opozitës (apo një listë me kandidatë të mundshëm) të pranohet si mundësi konsensusi në tryezën e dialogut PD-PS, ndërsa në ditën e votimit, seancës t'i imponohet nga shumica, në përputhje me procedurat parlamentare, edhe kandidatura e B. Topit. Pse jo edhe e F. Nanos, e propozuar nga "të pabindurit" e Ramës. Konsensusi fals prishet për t'u hapur rrugën pazareve. Pas kësaj mbetet që, ose të fitojë njeri nga këta të dy nëpërmjet ndonjë trafiku votash, ose të kalohet në zgjedhje të parakohshme, të cilat për të gjithë duket se janë të padëshirueshme.
Por ka edhe një version tjetër. Ndonjë analist e sheh këtë si një mundësi për t'iu kthyer "aleancave fluide", të cilat i ka përdorur zoti Meta jo pa leverdi personale në të kaluarën jo dhe aq të largët. Ndërkaq, gazeta Shekulli e titullonte kështu kryeartikullin e vet: "Meta ndahet me Ramën, kalon me Berishën". Nuk mund ta marr pa rezerva të motivuara një pohim të tillë, sepse një ndarje e Metës nga forcat e tjera opozitare për këtë çështje, nuk është në interesin e LSI-së. Bashkimi me Berishën do të kishte një kosto të papërballueshme. Me sa duket, Meta nuk do të kalojë më tej një trysnie të radhës ndaj Ramës. Edhe pse mund t'ia ketë premtuar votat B. Topit, nëse përballë tij do të jetë F. Nano. Kuptohet, në qoftë se nuk është përfunduar ndonjë pazar tresh, Berisha-Meta-Topi, që mund t'i japë "frytet" para ndonjë votimi të katërt a të pestë. Mbase I. Meta, jo rastësisht, pas zgjedhjeve vendore ka shtruar si alternativë një "qeverisje me bazë të gjerë".
Në këtë rrafsh, do të shtoja se nga informacioni që kam, pas debatit të ashpër Meta-Rama për postin e kryeministrit (në rast fitoreje të zgjedhjeve më 2009-ën), që duhet t'i jepet LSI-së, pra Metës, në këmbim të mbështetjes së kandidatit të PS-së për president, Berisha mbase ka bërë oferta joshëse dhe ka dhënë garanci se, sa të jetë ai gjallë, Nanoja nuk do të bëhet president. Nxitje jo e vogël për luftën brenda llojit. Takimet e disa drejtuesve të LSI-së me Berishën, "pa pëlqimin e Metës", janë shpeshtuar. Ka edhe kuriozitete. Në mbledhjen e kryesisë, Meta, pasi dëgjon me hollësi informacionin e Priftit dhe të Muçit, që janë takuar me Berishën, u sulet me ton të ashpër, a thua se "i mbyti", e megjithatë loja vazhdon…
Të gjitha këto ndodhin ndërkohë që PS-ja vazhdon të hallakatet e të përpëlitet në vorbullën e kandidaturave, sepse ende nuk po gjen forcën dhe mënyrën për t'u ndarë me ambicien presidenciale të Fatos Nanos. Kësisoj, Rama duket sikur ka mbetur peng i Nanos dhe i nanoistëve dhe mbase ka të drejtë kur shtron çështjen: "A thua se mund të krijojë shumë turbullira Nanoja në parti, po nuk u kandidua për president?" Prej kohësh, Nanoja vetëm për këtë mendon: si ta mbajë PS-në nën trysni e ta detyrojë të mos propozojë kandidaturë tjetër veç tij, përndryshe do të bëhet "kiameti". Por, sido që të ndodhë, të gjithë kësaj here (me ndonjë përjashtim) do të arrijnë të kuptojnë se me Nanon po luftojnë për diçka të pamundur për t'u realizuar, sepse ai nuk është konsensual as majtas dhe as djathtas. Aq më tepër që skenari, të cilin Nanoja ua ka parashtruar të vetëve për të marrë partinë dhe për të ndëshkuar "kryetarin në detyrë", mund ta nxjerrë atë përfundimisht nga jeta politike, të paktën nga projektet e PS-së.
Ndërkohë opozita nuk duhet të hutohet nga loja jo e ndershme politike që po luhet në prapaskenë dhe nuk duhet ta humbasë shansin për të fituar postin e presidentit, çka do ta inkurajonte elektoratin e majtë për zgjedhjet që do të vijnë. Në të njëjtën kohë, kjo është me rëndësi edhe për t'u ndarë nga disa klane dhe "lëvizje" brenda PS-së, që edhe më tej duan ta përdorin Nanon për të "ndezur zjarrin" që do të përcëllonte çdo iniciativë reformuese në funksion të fitores në zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës.
(Vijon nesër)
Në këtë rrafsh, do të shtoja se nga informacioni që kam, pas debatit të ashpër Meta-Rama për postin e kryeministrit (në rast fitoreje të zgjedhjeve më 2009-ën), që duhet t'i jepet LSI-së, pra Metës, në këmbim të mbështetjes së kandidatit të PS-së për president, Berisha mbase ka bërë oferta joshëse dhe ka dhënë garanci se, sa të jetë ai gjallë, Nanoja nuk do të bëhet president. Nxitje jo e vogël për luftën brenda llojit. Takimet e disa drejtuesve të LSI-së me Berishën, "pa pëlqimin e Metës", janë shpeshtuar. Ka edhe kuriozitete. Në mbledhjen e kryesisë, Meta, pasi dëgjon me hollësi informacionin e Priftit dhe të Muçit, që janë takuar me Berishën, u sulet me ton të ashpër, a thua se "i mbyti", e megjithatë loja vazhdon…
Por, sido që të ndodhë, të gjithë kësaj here (me ndonjë përjashtim) do të arrijnë të kuptojnë se me Nanon po luftojnë për diçka të pamundur për t'u realizuar, sepse ai nuk është konsensual as majtas dhe as djathtas. Aq më tepër që skenari, të cilin Nanoja ua ka parashtruar të vetëve për të marrë partinë dhe për të ndëshkuar "kryetarin në detyrë", mund ta nxjerrë atë përfundimisht nga jeta politike, të paktën nga projektet e PS-së.
Opozita e bashkuar të mos e marrë konsensusin e shumicës për kandidaturën e Moisiut në tryezën e radhës PD-PS dhe pas kësaj do t'i duhet ta nisë gjithçka nga e para duke propozuar kandidatura të tjera. Procesi mund të përsëritet nga tryeza në tryezë. Pas një procedure të tillë testimi reciprok, shumica mund të mos e japë konsensusin për asnjë nga kandidaturat dhe të vazhdojë lojën për të krijuar kushtet për të realizuar skenarin që ka në mendje "mjeshtri i krizave", S. Berisha
Bashkimi me Berishën do të kishte një kosto të papërballueshme. Me sa duket, Meta nuk do të kalojë më tej një trysnie të radhës ndaj Ramës. Edhe pse mund t'ia ketë premtuar votat B. Topit, nëse përballë tij do të jetë F. Nano. Kuptohet, në qoftë se nuk është përfunduar ndonjë pazar tresh, Berisha-Meta-Topi, që mund t'i japë "frytet" para ndonjë votimi të katërt a të pestë. Mbase I. Meta, jo rastësisht, pas zgjedhjeve vendore ka shtruar si alternativë një "qeverisje me bazë të gjerë".