Rama: Ftesa, sfidë për realizimin e reformave
Partia Socialiste do të vazhdojë të japë të gjithë kontributin e saj për çuarjen përpara të procesit
TIRANË-Partia Socialiste ka festuar dje si një moment historik, marrjen e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Deputetë, anëtarë të kryesisë dhe krerët socialistë të njësive bashkiake, janë mbledhur dje në mbrëmje në selinë e Partisë Socialiste për të gëzuar sëbashku realizimin e kësaj aspirate dhjetëra vjeçare të shqiptarëve. Duke përshëndetur të pranishmit, kreu i selisë rozë, Edi Rama ka shprehur falenderimin për të gjithë ata breza që në vite kanë luftuar dhe sakrifikuar për të qenë pjesë e kësaj familje të madhe të demokracive më të zhvilluara. "Dua të kujtoj ata që u martirizuan, ata që humbën vite të tëra jete, apo ata që u syrgjynosën në kushtet e një Shqipërie të izoluar ku demokracia, liria individuale, barazia para ligjit, këto standarde për të cilat është bashkuar bota euroatlantike ishin të mohuara dhe të cilëve për shkak të këtyre standardeve iu desh të privoheshin nga jeta apo nga shumëçka e bukur në jetë", - u shpreh Rama. Ndërkohë ai ka bërë të qartë se kjo ftesë përbën për Shqipërinë dhe klasën politike kryesisht një sfidë për të realizuar të gjitha ato reforma të cilat do të siguronin nivelin e kërkuar të standardeve demokratike. Për këtë, ai ka siguruar shqiptarët se që nga ky moment, Partia Socialiste do të vazhdojë të japë të gjithë kontributin e saj për arritjen e një kompromisi mbarë politik, i domosdoshëm për këto reforma. "Besoj se kjo është një provë, që tregon se jemi këtu të gatshëm për ta çuar më tutje këtë proces. Jemi këtu të gatshëm për t'i përmbushur të gjitha detyrimet tona ndaj vendit dhe njerëzve tanë. Jemi këtu të gatshëm për të përmbushur gjithashtu dhe të gjithë ato detyrime që partneriteti ynë me popujt e lirë dhe me demokracitë e mëdha kërkon. Do të vazhdojmë me kurajo dhe vendosmëri rrugën e reformave. Do të vazhdojmë me kurajo dhe vendosmëri të shohim përpara, të kemi një rol udhëheqës në procesin e këtyre reformave", - tha Rama. Ndërkohë Rama ka gjetur edhe një rastin për ti bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen sot pjesë e protestës së opozitës në sheshin "Skenderbej". "Doja që të përsërisja ftesën time që nesër pikërisht në respekt të gjithë këtyre përpjekjeve historike të shkuara dhe më të afërta dhe njëkohësisht si shprehje e vullnetit tonë të palëkundur për ta integruar Shqipërinë plotësisht në botën perëndimore, në botën euroatlantike, në botën e atyre parimevee vlerave me të cilat sot ndihemi më pranë, ashtu sikundër edhe për të theksuar refuzimin tonë për një politikë të vjetër që sot na sundon përmes një qeverisjeje të padenjë", - u shpreh Rama. Protesta do të fillojë sot në orën 18.00 në sheshin "Skënderbej" dhe do të vijojë më pas përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Ndërkohë që protesta e sotme do të zhvillohet sipas një skeme të posaçme, ku të rinjtë e FRESSH-it do të mundohen të organizojnë njerëzit në një shpërndarje në të gjithë sheshin. Gjithashtu të pranishmëve në protestë do tu shpërndahen mijëra fletë të bardha me mbishkrimin "Jo Berishës".