"Reagim pas letrës dhe paralajmërimi i një inxhinieri"
Më datën 25 mars 2008 shkrova një shkrim në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Falënderimi i takon gazetës "Shekulli", sepse p.sh., Prefektura e Shkodrës, atij shqetësimi tragjik i bëri analizë, duke kërkuar rigorozitet të lartë në marrjen e masave. Unë si qytetar, e dashura redaksi e "Shekullit" nëpërmes Jush dua t'i falënderoj Prefektin e Shkodrës, Kryetarin e Bashkisë dhe Kryetarin e Këshillit Të Qarkut Shkodër, që impenjohen që të merren masa për të parandaluar katastrofa njerëzore. Gjithashtu e falënderoj edhe inxhinierin Kiço Negovani, i cili foli për Hidrocentralin e Kolorados në Amerikë, por bëri apel për hidrocentralet tona Fierzë-Koman-Vau i Dejës, se një pakujdesi e paqëllimshme, ose me dashje, diga e Fierzës bën inekzistent Koman-Vau i Dejës, Shkodra çka përpara. H/C i Kolorados ruhej me precidencë të veçantë, ashtu si Thesari i SHBA-ve. Ndërsa ne e kemi larguar Gardën e Republikës, Policinë e Shtetit, duke iu lënë në ruajtje rojeve private. Absurditet dhe pasiguri e madhe, sepse Shkodra dhe popullsia e saj flenë me qefin nën kokë. Faleminderit shumë inxhinier Negovani! Ju uroj jetë të gjatë dhe përshëndetje vëllazërore nga një ish-punëtor i H/C Fierzë në vitet 1976-1977, kur zotëria ishte Drejtor i H/Centralit. Ky është kompetent dhe fjala e tij është e saktë. Pushtetarëve e politikanëve, apel i veçantë për këto objekte sa të rëndësishme, aq edhe të rrezikshme për jetën e popullit.