E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: Blushi pa asnjë tezë, thjesht “Ik ti, të vij unë!”

 Aristir LumeziProfesori i socialistëve, Servet Pëllumbi shprehet në një intervistë ekskluzive për "Panorama" se i cilëson debatet e brendshme në PS me protagonistë deputetët që mendojnë ndryshe si përpjekje për të larguar Edi Ramën. Sipas tij, ata nuk kanë platformë apo ndonjë tezë të dallueshme, por vetëm kritika të vonuara ndaj kryetarit. Profesori shprehet se me veprimin e paralajmëruar të hyrjes së tyre të vetëm në kuvend, kundër vendimit politik të grupit të PS, ata përjashtojnë vetveten. Rezoluta e Asamblesë Kombëtare të KiE-së për zotin Pëllumbi është realiste dhe në kohën e duhur në një situatë që kërkon zgjidhje. Por sipas tij, gjetja e zgjidhjes kërkon nga palët që të tërhiqen nga pozicionet e tyre. Përvoja thotë zoti Pëllumbi tregon se nuk mund të ketë as ulje në tavolinë dhe aq më pak dialog të frytshëm nëse palët i venë kushte tërësisht frenuese njëra-tjetrës, siç po ndodh prej muajsh te ne. Profesori i socialistëve, nuk rezervohet të japë dhe rekomandimet e tij dashamirëse se si mund të kalohet kjo krizë. Sipas tij, kërkohet dialog, tolerancë, përgjegjshmëri të lartë qytetare. Zoti Pëllumbi, sot jemi 7 muaj nga zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat nxorën fituese PD në koalicion me LSI, ndërsa PS vazhdon të mbetet në opozitë. A është momenti për të bërë një analizë, pse PS dhe koalicioni i saj nuk fituan përballë një maxhorance të konsumuar dhe me skandale?Po më kthen si shumë mbrapa. Analizat për këtë janë bërë tashmë. Madje, edhe unë kam shkruar disa herë për to. Tani kjo ka një pamje tjetër, më aktuale. Më mirë të bisedojmë për krizën politike që solli deformimi i votës së zgjedhësve.       Aty e kemi merakun, edhe unë edhe lexuesit, por më parë do të doja opinionin tuaj për Kodin Zgjedhor, mendoni se sistemi dhe Kodi Zgjedhor nuk favorizuan PS në këto zgjedhje? Edhe Kodi, mënyra e hartimit dhe e miratimit, sistemi i zgjedhur, që binte ndesh me interesat e partive të vogla, mund të kenë "pjesën e vet të fajit", por meraku kryesor është i lidhur me zbatimin, me ndarjen e rajoneve dhe të numrit të kandidatëve për disa prej tyre, me konceptimin e koalicioneve, më të mëdha a më të vogla, si dhe me disa "hile" të tjera, që për PS-në mbetën të panjohura, ose u nënvlerësuan.    Teza "Përtej të majtës dhe të djathtës" u kritikua nga shumë figura të njohura të PS-së, edhe nga ju, si teza me të cilën dështoi dhe Veltroni në Itali. Sa ndikim pati në rezultatin e 28 qershorit për PS-në?Nuk ishte gjetja e duhur si ide qendrore e fushatës së lidershipit të PS-së për zgjedhjet, por nuk mendoj, se kjo pati ndonjë ndikim aq të madh në rezultatin e 28 qershorit. Si e gjykoni mos arritjen e një marrëveshjeje PS-LSI para zgjedhjeve, ndërkohë që pas zgjedhjeve, LSI dhe PD gjetën hapësira bashkëpunimi qeverisës?Pyetje që e ka përgjigjen brenda. Nuk u arrit bashkëpunimi midis PS-së dhe LSI-së, pikërisht sepse ishin përcaktuar, që më parë, hapësirat e bashkëpunimit PD-LSI. Kjo parti lozi në mënyrë pragmatiste me vogëlsinë e vet!  Pas zgjedhjeve, kemi disa qëndrime kontradiktore të PS-së. Nga njëra anë u pranuan standardet e ditës së votimit si dhe roli i Policisë së Shtetit në garantimin e votimit, ndërsa më pas, kur dhe rezultati nisi të qartësohej, nisën kontestimet për manipulime të zgjedhjeve. Cili është gjykimi juaj për këto qëndrime?Po, qëndrime të tilla janë vërtet kontradiktore dhe kanë shpjegimin e vet. Ato janë të lidhura, së pari, me veçoritë e zgjedhjeve të 28 qershorit për të cilat Kryeministri u "kujdes" veçanërisht që fasadën ta kishin sa më demokratike, ndërsa në të vërtetë zbatoi një skenar të ngjashëm me atë të 26 majit 1996. Ndryshimi ishte vetëm se më 1996-ën, gjithçka e përqendroi te dhuna shtetërore e jo shtetërore, kurse më 2009-ën te paraja, buxhetore dhe jo buxhetore; Së dyti, me euforinë e opozitës, sidomos të PS-së, që mendonte, se fitorja e saj do të ishte e lehtë; se do të votohej për të dhe majtas e djathtas; se "Berisha ishte kryeministri më i paaftë"; se elektorati nuk do t'ia falte Berishës, Gërdecin dhe mos mbajtjen e premtimeve etj. Prandaj rezultati ngjalli në fillim hutim, zhgënjime, më pas erdhën inatet, si dhe reagimet jo dhe aq të studiuara. Për pasojë pati spontanitet në hapat që u hodhën.  Menaxhimi jo në mënyrë të drejtpërdrejtë i situatës pas zgjedhore në PS ndikoi dhe në veçimin e disa anëtarëve të kryesisë së PS, Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani dhe Kastriot Islami, Marko Bello që kërkuan njohjen e humbjes së zgjedhjeve dhe hapjen e procesit zgjedhor në PS. Si e gjykoni këtë moment?Kritikat jo vetëm të deputetëve që përmendët ju, ishin të natyrshme dhe të nevojshme për PS-në që i kushton kujdes demokracisë së brendshme. Veçse, nuk do të isha aq dakord me emërtimin e grupit prej pesë deputetësh si "Lëvizje për mendim ndryshe"(LMN), që përdoret shpesh në media, sepse realisht nuk është, as lëvizje në kuptimin që ka ky term në politikë, dhe as shtrim i ndonjë mendimi, teze apo platforme qartësisht të dallueshme. Aq më pak, mund të quhen mendim ndryshe kritikat e vonuara. Realisht, ishte fjala, thjesht për t'i thënë kryetarit të PS-së: "Ik ti, të vij unë!"; "Zgjedhjet mund t'i fitonim, por i humbi kryetari"! "Bojkotimi është vetësakrifikim për kryetarin"! Shihni ju këtu ndonjë Lëvizje për Mendim Ndryshe?         Si e gjykoni ju vendimin e pesë deputetëve për të thyer bojkotin, a mund të çojë në përjashtimin e tyre nga grupi parlamentar socialist?Nëse do të ishte fjala për mendim ndryshe, ata duhej të vazhdonin propagandimin dhe zhvillimin e këtij mendimi, duke gjetur me durim edhe përkrahës të tjerë në radhët e deputetëve, por sidomos në strukturat e në radhët e partisë. Kurse veprimet në kundërshtim me vendimet e shumicës, vërtetojnë plotësisht, se nuk është fjala për mendim ndryshe, por për qëndrime në kundërshtim me vullnetin dhe vendimet e shumicës. Për pasojë, ata përjashtojnë vetveten pa qenë nevoja për ndonjë vendim të posaçëm partie, apo grupi parlamentar. Precedentë për këtë kemi pasur edhe në të kaluarën jo dhe aq të largët. Megjithatë, unë mendoj, se nuk do të shkojë çështja deri këtu.A mendoni se maxhoranca do të veprojë pas 7 marsit, pra do të zëvendësojë listën e deputetëve aktualë të PS?Në linjën e Parlamentit, shumica qeverisëse bëri publike disa përpjekje dëshpëruese për të marrë "iniciativa kërcënuese" për heqje kolektive të mandatave të deputetëve të PS-së dhe për t'i zëvendësuar me të tjerë, në thelb, me të emëruar nga listat e koalicionit! Pa folur për ndalesën e rrogës së deputetëve. Ndëshkim i padëgjuar dhe i paparë! Sikur zgjedhja e deputetëve dhe mandatet e tyre të mos jenë vullnet i elektoratit, por një lloj emërimi nga drejtuesit e Parlamentit! Ky është një demonstrim tjetër i logjikës së diktaturave, që instalojnë frikën dhe që duan të qeverisin pa opozitë. Nuk arrijnë as të kuptojnë se kjo është rruga më e shkurtër për të "prerë degën mbi të cilën qëndrojnë vetë", sepse po iu hoq në grup mandati 64 deputetëve të opozitës, ata nuk do të mund të zëvendësoheshin, për rrjedhojë bie vetë Parlamenti, që sipas Kushtetutës (Neni 64) duhet të ketë 140 deputetë (mandate të popullit). Kryeministri dhe drejtues të tjerë të PD-së në pushtet po tregojnë varfëri idesh e tolerance, kur është fjala për transparencën e zgjedhjeve, për kuptimin dhe zbatimin e kulturës demokratike, që kompromisin dhe dialogun i sheh si një nga kushtet më të rëndësishme të funksionimit të demokracisë, kur nga kompromiset dhe dialogu duhet të fitojnë të dy palët e mbi të gjitha vendi dhe e ardhmja e tij. Krejt në kundërshtim me këtë, Berisha vepron sipas parimit: "o të tëra, o asgjë"! Opozita, nga ana e vet, duket se ka nxjerrë mësime nga "politika e lëshimeve", nga marrëveshjet e bëra me Berishën para zgjedhjeve dhe po ndjek rrugën e "barrikadizimit" në një pozicion, që duket i ngurtë e jo bashkëpunues. Nuk them se nuk ka motivim për një "opozitë të fortë", por gjithsesi, kërkohet një qëndrim më autokritik, më fleksibël, shoqëruar me një analizë të gabimeve të bëra për të mos rënë në pozitat e ndreqjes së gabimeve, duke bërë gabime të reja. Ja disa fakte për konkretizim: Pas zgjedhjeve vendore (2007), por sidomos gjatë vitit të fundit para zgjedhjeve parlamentare (2009), PS "për hir të bashkëpunimit dhe paraqitjes demokratike" e la disi mënjanë përgjegjësinë e Qeverisë për tragjedinë e Gërdecit, në funksion të dhënies së konsensusit të pakushtëzuar për anëtarësimin në NATO, kur ato ishin dy çështje të ndara në substancë; PS pranoi të bëheshin, shpejt e shpejt, një varg ndryshimesh kushtetuese, pa pyetur specialistët dhe pa parë shumë interesat e veta më afatgjata; pranoi ndryshimin e Kodit Zgjedhor pa i "rënë hilesë" pse Berisha ra aq shpejt dakord me opozitën...Pas zgjedhjeve plasi "flluska" e luftës së Berishës për "standarde demokratike të zgjedhjeve" shoqëruar me "trukimin e opozitës"...Pasoja më e afërt ishte kalimi i opozitës nga euforia e një fitoreje të pritshme në hutimin dhe dëshpërimin e humbjes, prandaj dhe u kujtua vonë për çka kishte ndodhur në të vërtetë. Gjithë "ushtria" e komisionerëve dhe e vëzhguesve nuk tregoi ndonjë kujdes të veçantë ndaj shkeljeve, evidentimit dhe denoncimit të tyre, por firmosi, nga poshtë e deri lart në KQZ, gjithçka që ju servir, në tavolinë e nën tavolinë!. Opozita filloi t'i përngjasë më tepër një të zhgënjyeri e të hutuari "që i marrin kafshoren nga goja" dhe nuk di ç'të bëjë me atë që ka përballë, i cili nuk njeh, apo më saktë, nuk do që të zbatojë rregullat e lojës demokratike dhe marrëdhënie partneriteti me opozitën. Në këtë rast, e ritheksoj, bojkotimi i Parlamentit, së pari, dukej si një shkundje e vetë PS-së dhe sidomos e lidershipit të saj. Pa përjashtuar një theks të fortë inatçor alla shqiptarçe; së dyti, si një shans për të gjithë, pra dhe për maxhorancën, që të ndërpritet gradualiteti i së keqes, deformimi i rëndë i votës së elektoratit, praktika e presioneve për votën deri dhe për bukën e gojës, që, më në fund, të ndërgjegjësohemi për nevojën e një katharsisi jetik për fatin dhe shëndetin e demokracisë në Shqipëri; së treti, që edhe faktori ndërkombëtar, përballë një bojkoti të vendosur e të zgjatur të opozitës, të cilit i janë bashkuar edhe forca politike të djathta, dikur aleate të PD-së, të arrijë të kuptojë se zgjedhjet në Shqipëri, që shkelin rëndë kriteret e njohura të Kopenhagenit, nuk mund të kalohen me arsyetime të tipit: "Zgjedhjet nuk plotësuan standardet, por ishin më të mira se të mëparshmet"! Prandaj, për këto arsye, e për më tepër, duke u nisur nga kuptimi që kam për opozitën si kauzë, si mision që buron nga vota popullore, bojkotimin e zgjatur dhe trajtimin e tij "si i vetmi  shteg" dhe heqjen dorë nga çdo dialog, siç po ndodh për fajin e të dyja palëve, e shoh si të dëmshëm për demokracinë dhe stabilitetin e vendit. Ngërçi i krijuar duhet kapërcyer sa më shpejt, sepse është fakt, këtij bojkoti nuk mund t'i gjendet ndonjë ekuivalencë në ndonjë vend tjetër të demokracisë së re dhe aq më pak në ndonjë vend të zhvilluar demokratik të Evropës, ku kjo që po ndodh në Shqipëri, quhet shkurt, "Politikë e karriges bosh"! Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KiE-së kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore. Ky përcaktim lejon hapjen e kutive? Ju vetë jeni për hapjen e kutive të votimit?Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e vlerësoj si një dokument serioz dhe tepër të rëndësishëm për Shqipërinë, që njeh krizën që po kalojmë dhe tregon rrugën e zgjidhjes. Themelore është që të kthehet fryma e besimit dhe e mirëkuptimit midis palëve që kanë akumuluar probleme, urrejtje dhe ndarje. Për këtë, në një shoqëri demokratike, nuk ka teknologji tjetër veç dialogut, uljes së bashku në një tavolinë me vullnetin e mirë për të gjetur zgjidhjen më të mirë për vendin dhe të ardhmen e tij. Dhe përvoja tregon se nuk mund të ketë as ulje në tavolinë dhe aq më pak dialog të frytshëm nëse palët i venë kushte tërësisht frenuese njëra-tjetrës, siç po ndodh prej muajsh te ne. Më pyesni për hapjen e kutive edhe pse hetimi që kërkohet nuk është i njëjti me çështjen e kutive. Po pse jo? Nuk ka asgjë antikushtetuese kërkesa për transparencën e kutive. Nëse pala tjetër argumenton të kundërtën, le ta bëjë këtë në tavolinën e dialogut... Rreth 20 vjet pas ardhjes së pluralizmit në Shqipëri, si e gjykoni sërish angazhimin e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizave të brendshme politike, e cila ndryshe nga herët e tjera, sot është dhe anëtare e NATO-s. çfarë tregon kjo sipas jush?Në këtë rast nuk është e tepërt të nënvizohet se të dy palët e politikës shqiptare po dëshmojnë papërgjegjshmëri të pa falshme, sepse flasin natë e ditë për integrim të Shqipërisë në BE, por harrojnë se aftësia politike për kompromise dhe për gjuhën e dialogut, është një parakusht nga më të rëndësishmit për anëtarësim, të cilin vazhdojnë ta shpërfillin, aq sa duket se integrimi në BE është gjëja që i intereson më pak klasës së sotme politike shqiptare..Për pasojë, politika shqiptare gjendet në një pozitë mjerane, në një udhëkryq të rrezikshëm, kur deklarohet nga lideri i PD-së, se "edhe 20 vjet mund të bëjmë pa opozitë"(!), gjë që është një shpërfillje e pa falshme e faktit, se pa pjesëmarrjen e opozitës, Parlamenti shqiptar dhe qeverisja shqiptare, nuk mund të jenë konform vlerave dhe rregullave evropiane. Po kaq në kundërshtim me parimet demokratike evropiane janë edhe mburrjet dritë shkurtra, që shpallin vetëm PD-në "si arkitekte të Shqipërisë evropiane"(Kuvendi i 9-të i PD-së), por edhe thirrjet e lidershipit të PS-së: "asnjë tolerim e bashkëpunim deri në hapjen e kutive(!), apo dhe gara alogjike e konferencave të shtypit për të sharë njëri-tjetrin, që po i humbasin identitetin demokratik shoqërisë sonë, po e lodhin dhe po e hutojnë elektoratin shqiptar, që mund të humbasë krejt durimin që po tregon. Pse kaq shumë urrejtje, baltosje dhe banalitete? Ku po na çojnë këta politikanë? Janë pyetjet që po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në lloj-lloj mjedisesh, që fatkeqësisht, po vazhdojnë në inercinë e zakonshme, sepse ende shumica e votuesve nuk kanë arritur ta shohin veten si qytetarë e si anëtarë të shoqërisë civile, por vetëm si banorë të fshatit a të qytetit, që kanë të drejtë të votojnë, por që nuk kanë ende, as adresa të sakta dhe as një jetesë për të qenë. Atëherë mos na mbetet si alternativë që të presim përsëri "Sanksione", vonesa të tjera, pse jo dhe misione të "tipit Vranicki" nga Institucionet evropiane, tashmë, jo vetëm si vend anëtar i Këshillit të Evropës, por dhe i NATO-s?! Miqtë i respektojmë, por një inerci e tillë duhet të ndryshojë pa tjetër!       Cili është rekomandimi juaj Profesor për kalimin e kësaj situate, për të cilën rezoluta e KiE-së shprehet se mund të përkeqësohet deri në destabilizim? Dialog, tolerancë, përgjegjshmëri të lartë qytetare. Këto tre fjalë bëjnë çudira kur përdoren në vendin dhe në kohën e duhur!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›