E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset, “takimi” me Tatimoren për deklarimet vetëm online

 Deklarimi online për të gjithë bizneset do të shmangë takimin e këtij të fundit drejtpërsëdrejti me administratën tatimore. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë me një vendim të veçantë është vendosur që "dokumentet tatimore përfshirë dhe deklaratën tatimore do të bëhet vetëm përmes formës elektronike. Vendimi sanksionon se "me deklaratë tatimore kuptohen formularët e deklarimit dhe të pagesës së TVSH-së, të pagesës së tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, të pagesës së tatimit mbi fitimin dhe të pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore". Ndërkohë që edhe librat e shitjes dhe të blerjes të përfshira me termin "dokumente tatimore" do të përfshihen te forma elektronike. Afati për procedurat e deklarimit online për kategori të ndryshme biznesi është e ndryshme. Kështu, bizneset e regjistruara pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj sipas vendimit duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave  tatimore, dhe të librave të blerjes e të shitjes, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar, nga data 1 janar 2010. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të regjistruara pranë drejtorive rajonale tatimore duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave  tatimore dhe të librave të blerjes e të shitjes, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga data 1 mars 2010. Kurse subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave  tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga data 1 korrik 2010. Për sa i përket enteve shtetërore, në vendim sanksionohet se ato janë të detyruara të paraqesin deklaratat tatimore për tatimin mbi të ardhurat personale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar, nga data 1 mars 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›