QSU, 55 për qind e të operuarve nga rrethet
Një borxh ndaj të tretëve që kap vlerën e rreth 650 milionë lekëve. Përmirësim në infrastrukturë, por gjithaq probleme të mbetura pa zgjidhje. Qendra spitalore universitare "Nënë Tereza", vijon të jetë e dyndur nga pacientët e rretheve. Plot 50% e shtrimeve dhe 55% e operacioneve që kryhen në këtë spital i përkasin kësaj kategorie të sëmurësh. Në të tilla kushte duke qenë se mbulon nevojat më madhore të popullatës, QSU nuk mund të luajë plotësisht rolin e saj si spital terciar, ku prioritet duhet t'i jepet ndërhyrjeve më të vështira. Pjesa më e madhe e operacioneve janë "të dorës së dytë", çka e çon jo në nivelin e kërkuar performancën e këtij spitali. Vendosja e lenteve dhe apendisiti janë dy ndërhyrjet më të shpeshta me 1830 raste dhe 1131 për secilën. Gjithçka u bë me dije dje nga Drejtori i QSU-së, Ilir Dashi, gjatë analizës vjetore të vitit 2009. Të pranishëm në analizë ishin edhe Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Kreu i QSU-së premtoi një sërë reformash për këtë vit. Sipas tij, janë të domosdoshme për të përmirësuar sa më shumë cilësinë e shërbimeve që ju ofrohet pacientëve. Dashi theksoi se krahas investimeve të reja që pritet, urgjencat do të jenë të parat që do t'i nënshtrohen ndryshimeve për t'ju ardhur në ndihmë pacientëve. Do të zbatohet sistemi i kontraktimit me mjekët, ndërkohë që të ardhurat dytësore do të menaxhohen më mirë. "2010 është vit kyç për reformën, që fillon me sistemin e referimit që do të jetë prioritet absolut. Këtu ka rëndësi të madhe vazhdimësia për zbatimin e sistemit të referimit, e cila do të sjellë reduktimin e mbipopullimit që ka sjellë shterimin e disa burimeve, mungesë eficence dhe mungesë të shërbimeve cilësore", tha Ilir Dashi, Drejtor i QSUT. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili theksoi se duhet të ketë një mirëmenaxhim të fondeve, ndërkohë që nuk do të përsëritet më mungesa e barnave në spitale, por natyrisht që duhet të vendosen protokollet mjekësore, tha Vasili. "T'u shmangemi sugjerimeve që e vënë publikun në krizë, e bën që ai të tentojë të kërkojë gjëra që kushtojnë gjithnjë e më shumë dhe krijojnë dhe pakënaqësira të paevitueshme. Ne duhet të synojmë që me të gjitha teknologjitë dhe medikamentet që kemi në dispozicion në qendrën spitalore, të zgjidhim maksimumin e problemeve", tha Vasili. Sipas tij, vetë QSUT duhet të bëjë rolin e saj për të ndihmuar në rajonalizimin e shërbimit.