E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, rritet çmimi për shtëpitë e të pastrehëve

 ADI SHKEMBIQeveria përcakton koston mesatare të ndërtimit nga Enti Kombëtar i Banesave. Në ndryshim nga një vit më parë, kosto mesatare është rritur me 3.2%. Sipas specialistëve të Entit kjo rritje ka ardhur për shkak të ndryshimit të kursit të euros vitin e fundit. Kjo pritet të rëndojë koston e familjeve të pastreha që përfitojnë shtëpi nga Enti i Banesave, pasi gjatë vitit 2010 do t'i blejnë ato me një çmim më të shtrenjtë. VendimiNë vendin e qeverisë përcaktohet se sipërfaqe e shfrytëzimit në qytetin e Tiranës ka një vlerë mesatare 34.2 mijë lekë për m2, ndërkohë që një vit më parë ka qenë 33.1 mijë lekë për m2. I vetmi qytet në të cilin kosto mesatare e ndërtimit ka pësuar ulje në krahasim me një vit më parë është qyteti i Burrelit ku në 2009 një metër katror sipërfaqe e shfrytëzueshme ishte 35.5 mijë lekë, ndërsa sot sipas vendimit të fundit të qeverisë është 34.7 mijë lekë. "Me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave udhëzon miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, për vitin 2010, në masën 34 668 (tridhjetë e katër mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi. Vlerat mesatare të banesave në tregun e lirë nuk mund të përdoren për t'iu referuar zonave të afërta", thuhet në vendimin e qeverisë. Vitin e kaluar kosto mesatare sipas Entit ishte 33.464 lekë. Por specialistët e Entit Kombëtar të Banesave sqarojnë se në vlerën 34.668 lekë që është kostoja e një metri katror sipërfaqe të shfrytëzueshme nuk janë përfshirë disa elementë të tjerë si rrjeti inxhinierik, projekti, studimi gjeologjik dhe sizmik, leja e ndërtimit, leja e truallit dhe shpenzimet operacionale të Entit që janë më masën 4 për qind të kostos mesatare. Banesat me kosto të ulëtEnti Kombëtar i Banesave ka përcaktuar mënyrën se si mund të përfitojnë shtëpi familjet që nuk disponojnë banesa në pronësi dhe kanë të ardhura të pamjaftueshme për të blerë një shtëpi me vlerën e tregut. Kur programi zbatohet me fondet e buxhetit të shtetit, ai ndërmerret nga Enti Kombëtar i Banesave. çmimi i shitjes së këtyre banesave përcaktohet i barabartë me vlerën totale të investimit që i takon një apartamenti + 4% të kësaj vlere, e cila shkon për financimin e aktivitetit të Entit. Familjet që trajtohen në këto banesa nëpërmjet Entit, shlyejnë vlerën e plotë të investimit për 25 vite me interes jo më të lartë se indeksi i inflacionit. Familja duhet të ketë të ardhura të mjaftueshme për të shlyer vlerën e banesës në vite. "P.sh., nëse këstet mujore që duhet të shlyejë familja pranë Entit për një apartament me sipërfaqe rreth 65 m2, janë llogaritur në masën prej 9,800 leke, familja duhet të ketë të ardhura jo më pak se 30,000 leke në muaj, por jo më shumë se 50,000 lekë në muaj", thuhet në sqarimin e Entit Kombëtar të Banesave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›