Ilir Meta: Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shmanget përgjithmonë debatit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, tha sot se “kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shmanget përgjithmonë debatit”. Në konferencën për shtyp, pas kthimit nga Takimi Jozyrtar i Vendeve Anëtarë të NATO-s mbajtur në Talin, Estoni, tha gjithashtu se çdo aktor politik duhet të marrë përgjegjësitë e tij. “Nuk dua të hyj këtu në selinë e Ministrisë së Jashtme në çështje të tilla të cilat kanë të bëjnë me politikën e përditshme të brendshme, por mund t’ju them se çdo aktor politik duhet të marrë përgjegjësitë e tij në mënyrë që të jetë kontribuues dhe jo pengues apo frenues në këto procese të mëdha pozitive që po përjeton Shqipëria, pra në këto procese integruese”, tha Meta. I pyetur për lëvizjet e ambasadorëve shqiptar, kreu i diplomacisë shqiptare tha se çdo gjë bëhet konform me ligjin e shërbimit të jashtëm dhe natyrisht që sipas këtij ligji ka një mandat të përcaktuar të Ambasadorëve dhe kjo është një gjë krejtësisht normale.