E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, del në shitje djathë me amidon

Aksion, tregjet ushqimore, gjobiten 2 subjekte

Inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë kanë nisur një aksion për verifikimin higjieno-sanitar të produkteve bulmetore që shiten në tregjet e vendit. Kjo iniciativë ka ardhur si pasojë e konstatimit të një numri të konsiderueshëm të personave të helmuar, për shkak të përdorimit të produkteve ushqimore të pakontrolluara. Raste të tilla janë evidentuar sidomos me çeljen e sezonit veror, periudhë kur kujdesi që u duhet kushtuar produkteve ushqimore si vaji i ullirit, djathi, gjalpi dhe qumështi duhen ruajtur në kushtet e kërkuara. Një ekip i përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë Ushqimore, Inspektoratit të Sigurisë në Drejtorinë e Tiranës, sektorit të Higjienës nga Ministria e Shëndetësisë, ushtruan kontrollin e parë në tregun ushqimor pranë ish–uzinës “Dinamo” në kryeqytet. Në përfundim të këtij vëzhgimi rezultoi se dy subjekte tregtuese të bulmetit kishin probleme me nënproduktin e djathit, i cili kishte përmbajtje amidoni. Masat që u morën ndaj tyre ishin gjoba monetare. Pothuajse të gjithë prodhuesve dhe tregtarëve të tyre u është kërkuar që të vetëdeklarojnë në dokumentet e shoqërimit, përdorimin e amidonit në teknologjinë e prodhimit, detyrim ligjor ky për të mbrojtur konsumatorin nga falsiteti.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›