E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: “PS-ja duhet të luftojë me të gjitha mënyrat e saj në Parlament”

Ish-kreu i Parlamentit: “Palët politike po përpiqen të fitojnë kohë me vendimet e tyre”

Eneida Jaçaj

Socialisti i devotshëm, Servet Pëllumbi, ka kritikuar vendimin e Partisë Socialiste për të mos votuar asnjë ligj në Parlament që kërkon shumicë cilësore. Ai theksoi se situata politike në vend është tepër kritike dhe se PS-ja duhet të luftojë fuqishëm me të gjitha mënyrat në Parlament. Ish-kreu i Parlamentit, Pëllumbi, komentin mbi situatën politike e ka bërë pas një takimi që pati dje me një tjetër figurë të shquar nga PS-ja, shkrimtarin Dritëro Agolli. Ai tha se edhe në takimin miqësor me shkrimtarin Agolli diskutoi mbi situatën politike në vend dhe ndanë së bashku shqetësimet rreth saj.
Ligjet
Mbi nismën më të fundit të PS-së për të mos votuar asnjë ligj në Kuvend, si ish-kryetar Parlamenti, Pëllumbi vlerëson se opozita e ka vendin në Parlament dhe se miratimi i ligjeve është përgjegjësi për këdo ligjvënës. “Mendimi im për këtë çështje është se forca më e madhe, PS-ja, është në Parlament, ka 64 deputetë dhe PS-ja duhet të bëjë një lojë parlamentare me të gjitha format dhe të gjitha mënyrat. Nuk përjashtoj as edhe largimin nga votimi për raste të veçanta, por gjithsesi, mendoj se lufta në institucione, lufta në Parlament duhet të konsiderohet fronti kryesor”, - theksoi Pëllumbi. Socialisti Pëllumbi vlerësoi gjithashtu se të dyja palët po përpiqen të fitojnë kohë me vendimet që marrin. “Situata politike në vend është kritike, por unë mendoj se të gjitha këto po bëhen tani për të shtyrë kohën. Dhe, në radhë të parë, kërkon të fitojë kohë kryeministri, maxhoranca të kalojë pushimet, të kalojë gushtin që është pushim politik jo vetëm për ne, por edhe për Europën, pastaj vjen vjeshta dhe pastaj, me të ardhur, me të parë. Këtë po bën dhe Presidenti”, - u shpreh Pëllumbi.
Takimi
Pëllumbi dhe Agolli, si dy socialistë të vjetër, duket se kanë shprehur rezervat e tyre mbi këtë situatë të tendosur politike që është krijuar. “Do të thosha se kjo është një vizitë miqësore për njerëz si Agolli dhe unë që kemi lidhur ngushtë jetën politike me Partinë Socialiste. Doemos që kemi diskutuar dhe për çështjen e mosvotimit të ligjeve. Kemi qenë themelues të PS-së dhe shqetësohemi për aspekte të veçanta që ne mendojmë se nuk janë në atë nivel që kërkon koha. Në këtë kuptim, mbase zoti Agolli ka shprehur ndonjë mendim ndryshe, dhe unë mendoj se këto vërejtje të Dritëroit duhet të dëgjohen me vëmendje nga lidershpi i PS-së”, - tha Pëllumbi.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›