Pëllumbi: Polemikat e mia me Meidanin
"E vërteta e mbështetjes time për Edi Ramën" Pjesë e marrë nga pjesa e tretë "Politikanë të Tranzicionit" POLITIKANË TË TRANZICIONIT MODELI "PËLLUMBI" Dy fjalë për oponentët e mi Në emisionin Fakt të NTV-së më 15 qershor 2007, në të cilin ishte ftuar P. Koçi për të komentuar një të ashtuquajtur "lëvizje të re" brenda PS-së, u përdor për herë të parë një koncept që më befasoi jo pak. Duke folur për Edi Ramën, kryetarin aktual të PS-së, Koçi tha se ai "nuk është pasues i Nanos, por i Servet Pëllumbit", duke shtuar më pas edhe se "Rama zbaton modelin politik të Servet Pëllumbit". Me sa duket, me deklarime të tilla, P. Koçi synon që "me një gur të vrasë dy zogj": zotin Rama, që flet për një politike të re dhe për reformim të thellë të PS-së, ta paraqesë të vjetruar, ndërsa S. Pëllumbin si të pareformuar, si përfaqësues të "modelit marksist" në PS. Tri-katër ditë më parë pata lexuar në gazetën Sot një intervistë me titull "Lëmoshat e Ramës" të deputetit T. Dedja, në të cilën edhe ai, duke kritikuar, ose më saktë duke sharë Ramën, shtronte pyetjen retorike: pse hesht autori i librit Edhe politika do moral? Këtë libër unë ia paskam dhënë me autograf dhe "miku im" e ruajtka me kujdes në bibliotekën e vet! Duke e quajtur heshtjen time - për atë që ai e quan "drejtim skandaloz" të PS-së nga zoti Rama - si të pamoralshme, Dedja vlerëson si të moralshme gjithfarë sharjesh dhe pakënaqësish personale në adresë të zotit Rama, me të cilin, para grindjes për postin e kryetarit të PS-së së Elbasanit, kishte marrëdhënie shumë të mira. Kuptohet, nuk kam ndonjë dëshirë të polemizoj me asnjërin prej këtyre të dyve që përmenda. Por nuk ka se si të mos më tërheqë vëmendjen fakti që të dy këta deputetë socialistë, mbështetës të ambicieve të Nanos për president, mendojnë se duke më shpallur mua si mbështetës të Ramës - që për ta qenka baras me servilizmin, d.m.th. me një moral te dobët - së pari, i zhvlerësojnë kritikat e mia parimore të bëra në vite në adresë të Nanos dhe, së dyti, i paraprijnë kandidimit tim të mundshëm për postin e presidentit, që ka filluar të përflitet në media. Më duhet të sqaroj se jo vetëm që nuk kam vetëkandiduar për këtë post, por as nuk ia kam kërkuar ndokujt një favor të tillë. Edhe nëse emri im del ndër emrat konsensualë, e them me bindje se nuk shpresoj në një mbështetje të Ramës, të cilit, tani "që është mbi pemë", i interesojnë "të tjera profile" në postin e presidentit. Prandaj them se kemi të bëjmë me një logjikë të rëndomtë e keqdashëse, kur thuhet: "Veterani i PSsë, Pëllumbi, mbështet reformat e Ramës, që ky i fundit ta bëjë president". Nënteksti është i qartë: mos gaboni ju socialistë e mos e merrni për parimore mbështetjen që zoti Pëllumbi i jep kryetarit të tanishëm të PS-së; mos gaboni ju deputetë e ta mbështetni zotin Pëllumbi për president! Dhe, me apo pa marrëveshje, duket se ata synojnë të godasin në atë që në opinionin e përgjithshëm njihet si pika ime më e fortë: pikërisht në fushën e politikës së moralshme, të ndershmërisë, të parimësisë dhe të mendimit ndryshe, të mospajtimit me arrivizmin dhe arrivistët, të angazhimit për të çmitizuar "liderët e përjetshëm", të cilët kujtojnë se çfarëdo që të bëjnë, pas do t'u shkojë historia! "Shikoni, o njerëz, - duan të thonë ata, - edhe ky parimori dhe i moralshmi qenka korruptuar nga Rama, se do ta propozuaka për president në këmbim të mbështetjes së mëtejshme për të!" Të jetë kjo një lloj fushate? Dhe për se? Për kë? Mënyra se si unë i kam shtruar mospajtimet parimore me Nanon e të tjerë në PS - në fillim në rrugë institucionale në forumet e partisë e më pas edhe publikisht - dikujt mund t'i duket si "iluminizëm" apo vetëm si "pastrim ndërgjegjeje", ndërsa realisht është e vetmja e mundshme për një intelektual të angazhuar në një parti politike, që nuk dëshiron të përfshihet në luftën e klaneve, të pazareve për karrierë apo për përfitime ekonomike të pista. Parimin nga i cili jam udhëhequr për mbrojtjen e PS-së dhe mbi bazën e të cilit kam zhvilluar mendimin politik kritik, do të kisha dëshirë ta shprehja me fjalën e urtë popullore: "Nuk përdhoset e nuk shkatërrohet kisha pse nuk të pëlqen prifti". Lajthitje, keqdashje apo të dyja bashkë? Rrethana të tilla më nxitën që ta analizoj këtë si dukuri, por pa u marrë me personat konkretë, të cilët i respektoj për kontributet që kanë dhënë në PS, për shpirtin kritik dhe të iniciativës politike që shfaqin herë pas here. Rastin e dhënë jam i prirë ta quaj një lajthitje të tyre, sepse nuk më rezulton që të jetë pasojë e ndonjë mosnjohjeje të karakterit tim apo reagim ndaj qëndrimeve dhe kontributeve modeste që jam mundur të jap për politikën shqiptare dhe për PS-në. Gjithsesi, jo vetëm për zotërinjtë Koçi dhe Dede, do të doja të analizoja shkurtimisht "historinë e mbështetjes", sipas tyre të pamoralshme, që i paskam dhënë zotit Rama. Pas dorëheqjes së Nanos në shtator 2005, lindi problemi i zgjedhjes së një kryetari të ri. Vetë ish-kryetari, jo vetëm që nuk tregoi asnjë interes për këtë, por u përpoq ta pengonte e ta shtynte sa më gjatë në kohë, duke dhënë edhe mesazhe përçarëse. KPD-ja dhe kryesia e PS-së ngritën një komision të posaçëm për të realizuar një varg ndryshimesh statutore dhe përcaktuan datën e mbledhjes së kongresit të jashtëzakonshëm, që do të pasohej edhe nga një kongres zgjedhor. Në krye të këtij komisioni, KPD-ja më caktoi mua. Ndërkaq po flitej për kandidaturat e mundshme për t'u zgjedhur në krye të PS-së. Z. Rama ishte i pari që shprehu një ambicie të tillë, duke dashur, me sa dukej, që të realizonte diçka që e kishte provuar, por që nuk pati sukses në kongresin e tretë (dhjetor 2003). Më pas, të njëjtën gjë bëri edhe zoti Meidani, që po ashtu kishte kandiduar përballë Nanos dhe Ramës në dhjetor 2003. Kam pasur rastin që, në cilësinë e kryetarit të komisionit, të bisedoj për këtë çështje me anëtarë kryesie, me sekretarin e përgjithshëm, zotin Ruçi, e plot të tjerë. Tek të gjithë vura re të njëjtin preokupim: qenia për një kohë tepër të gjatë në krye të PS-së e një lideri që e kishte shumë për zemër të quhej "historik", "themelues", "i pazëvendësueshëm", "zog i vetmuar që tërheq tërë tufën" etj, kishte bërë punën e vet. Zotin Majko dhe ndonjë tjetër i kam pyetur nëse mendojnë të kandidojnë ose jo dhe kam marrë përgjigje negative Në mbledhjen e KPD-së, që shqyrtoi paketën e ndryshimeve statutore, po në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni, mbrojta "paketën" dhe polemizova me disa kolegë që mendonin se vetëm ligjërimi i fraksioneve e bënte PS-në moderne. Ndër ta ishte dhe njëri prej kandidatëve të mundshëm për kryetar, zoti Meidani. Madje më habiste këmbëngulja e tij jo vetëm për fraksionet, por dhe për një formë drejtimi të partisë me katër bashkëkryetarë. Jo vetëm nga unë dhe komisioni që kryesoja, por dhe nga shumë anëtare të KPD-së u mbrojt teza sipas së cilës, sot që jemi në opozitë, ligjërimi i fraksioneve do të ishte i dëm dëmshëm, sepse fraksionet e copëtojnë partinë, e zhytin në luftëra të brendshme duke krijuar "opozita" brenda opozitës, rreshtime të një pale për të zhbërë palën tjetër. Fraksionet, shtova unë, nuk janë formë e përhershme e qenies së partive politike, por "valvula shkarkimi" të tensioneve politike në situata të caktuara. Zoti Meidani nxitoi ta quante këtë si "tezë marksiste", si për të aktualizuar një "akuzë" të hershme që më ishte bërë nga Berisha pas referendumit për Kushtetutën e 6 nëntorit 1994, e cila më pas u amplifikua jo pak edhe nga disa zëra në PS. Ndërkaq, zoti Rama, që në platformën e vet të dhjetorit 2003 ishte shprehur në favor të fraksioneve, duket se hoqi dorë duke pranuar arsyetimet e bëra në mbledhjen e KPD-së. Kjo iu llogarit si diçka negative nga ata që filluan ta quanin veten "meidanistë". Këtu mbase zë fill edhe ndarja e "re", sipas së cilës ata që mbrojtën "paketën e ndryshimeve statutore" u quajtën mbështetës të Ramës. Ndërsa zoti Ruçi, sekretar i përgjithshëm, theksoi në kongres se ajo paketë ndryshimesh ishte e iniciuar prej tij dhe kur nuk u miratua, ai dha dorëheqjen. Kundërshtarët e Ramës në PS vazhdojnë ta quajnë atë "paketa Rama", me qëllim që ta shpallin si të paligjshme qenien e tij në krye të PS-së. Një ndarje të tillë e kam quajtur jo vetëm të papërligjur, jo vetëm joparimore e artificiale, por dhe të rrezikshme për funksionimin normal të PS-së. Sa për zotin Rama, ai nuk është "mysafir i paftuar" në PS dhe ka për të qëndruar gjatë në politikë si përfaqësues i një brezi politikanësh të pastranzicionit politik. Nga një këndvështrim i tillë, gjatë dy viteve të fundit jam përpjekur të shprehem në mbështetje të lidershipit të ri të PS-së dhe sidomos të reformave që po realizohen aty, duke pasur në themel zbatimin e parimit "një anëtar, një votë". Ndërkohë, nuk kam qenë aq aktiv në mbledhjet e KPD-së dhe as në dy kongreset e fundit. Edhe kontaktet me lidershipin e ri i kam pasur shumë të rralla; mendimet e mia për politikën dhe për PS-në i kam bërë publike nëpërmjet intervistave dhe tri librave të botuara dy vitet e fundit. Partitë politike shqiptare, përfshi dhe PS-në, i kam parë kryesisht nga pozitat e një studiuesi, nga pozitat e njërit prej drejtuesve të Institutit të Sociologjisë, që po zhvillon një veprimtari shkencore intensive dhe të larmishme. Por megjithatë nuk kanë munguar as analizat kritike të punëve në PS dhe as vërejtjet dhe sugjerimet në adresë të kryetarit të PS-së. Për konkretizim po përmend shkarazi ndonjë prej tyre. Kështu, kur jam pyetur nga gazetarët për vlerësimin e drejtimit të PS-së nga Edi Rama, jam shprehur: "Mendoj se duhet vepruar më shpejt për të vënë në lëvizje ide e nisma konkrete, për të realizuar një konceptim ndryshe të strukturave të tilla, si kryesia e PS-së, grupi parlamentar dhe KPD-ja, për të mos i parë edhe më tej si struktura që veprojnë kryesisht nëpërmjet mbledhjeve të normuara statutore" (Korrieri, 9 dhjetor 2005). "Nëse do të flisja për pika të dobëta të z. Rama, që natyrshëm janë të pranishme në çdo zhvillim e drejtim politik, do të thosha se, si të tilla për z. Rama kanë qenë mungesa e një njohjeje të thellë të PS-së, konfondimi i drejtimit të një force politike me drejtimin administrativ etj" (Panorama, 30 tetor 2006). Edhe sot mendoj se kam pasur të drejtë. ------------------------------------------Servet Pëllumbi: Berisha si Makiaveli Pjesë e marrë nga pjesa e tretë "Politikanë të Tranzicionit" "LOJA E SHAHUT" E BERISHËS Kur politika kuptohet si lojë Disa ditë pas zgjedhjes së presidentit (20 korrik 2007), njëri nga drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike, edhe pse mund të ketë pasur tjetër mendim, do të shkruante: "Ka qenë një lojë shahu jashtëzakonisht e vështirë, por vetëm një politikan i profilit të Berishës mund ta nxirrte me sukses gjithë këtë. Unë them se është meritë totalisht personale e tij" (Standard, 4. 8. 2007). Kuptohet, bëhet fjalë për kuptimin e politikës si lojë, në rastin e dhënë për një lojë-pazar, që nuk ka të bëjë me lojën e vërtetë e fisnike të shahut, me pafundësi variantesh dhe me hijeshi e rregulla të rrepta lëvizjesh, zbatimi i të cilave nuk e pengon krijimtarinë dhe shkathtësinë e lojtarëve në një garë që vërtet ka të humbur e të fituar, por megjithatë palët respektojnë etikën, respektojnë njëri- tjetrin si partnerë. Pa u shitur dhe pa u blerë. Duke e analizuar nga një kënd i tillë vështrimi Berishën si politikan, nuk është e vështirë të konstatohet se për politikanë të këtij lloji, politika nuk është tjetër veçse një lojë që duhet të zhvillohet vetëm sipas një parimi: të fitosh me çdo kusht e me çdo mjet mbi kundërshtarin- armik. Por, dihet se në demokraci, kur kundërshtari cilësohet dhe luftohet si armik, dëmtohet dhe humbet e tërë shoqëria, prandaj dhe hyn në gjërat që nuk lejohen. Për këtë arsye, po e them që në fillim konkluzionin se lideri i PD-së do të hyjë në historinë e pluralizmit shqiptar si përfaqësuesi më tipik i makiavelizmit në politikë, sidomos për deformimin e raporteve midis politikës dhe etikës. Ndërkohë është diçka e njohur që Makiaveli, autori i librit Princi dhe i formulimit të parimit "qëllimi justifikon mjetin", ka qenë idhulli kryesor për plejada të tëra politikanësh të së kaluarës. Me sa duket, i tillë vazhdon të jetë ai edhe për kryeministrin tonë kardiolog, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike dhe president i vendit në vitet 1992-1997, që ka treguar në shumë raste se nuk do që ta kuptojë se qëllimi nuk justifikon çdo mjet. Në disa nga veprat e tija kryesore, e sidomos te Princi, Makiaveli përpunoi deri në detaje artin e veçantë politik për të krijuar një pushtet shtetëror të fortë, duke përligjur përdorimin e çdo mjeti, të çdo loje e hileje, pa marrë parasysh asnjë lloj parimi apo ndalese morale. Për interesat e pushtetit, drejtuesi, sipas tij, e ka të ligjëruar që të jetë njëherësh edhe "luan", edhe "dhelpër", të dijë të përdorë me përsosmëri si dinakërinë, ashtu dhe forcën, të mos i qëndrojë fjalës së dhënë, të përdorë pa ngurrim herë lajkatimet dhe herë kërcënimet, herë metaforat tingëlluese dhe herë mashtrimin më të rëndomtë. Për Makiavelin, vlera më e lartë është pushteti dhe prandaj, në raport me të, vlerat e tjera duhet të kalojnë në plan të dytë apo edhe mund të injorohen fare. Në këtë mënyrë, ai i nxori jashtë nga politika etikën dhe moralin, duke vendosur një mur të lartë midis tyre dhe duke na lënë trashëgim profilin e një tipi politikani të rrezikshëm për demokracinë, që "njeh vetëm përfitimin e pamëshirshëm dhe hileqar në politikë". Përfitime "revolucionare" nga makiavelizmi nuk nguruan të nxirrnin as "komunistët". Ato u sintetizuan në sentencën e Leninit: "Morali duhet t'u nënshtrohet plotësisht interesave të luftës klasore të proletariatit". Në këtë rast, njëlloj siç porosiste Makiaveli, morali vihej në shërbim të qëllimeve politike, të mbajtjes së pushtetit me forcë, me mjetet e diktaturës dhe me çdo mjet tjetër në funksion të qëllimit. Për më tepër, vënia e "moralit komunist" tërësisht në shërbim të qëllimeve politike, çoi në shndërrimin e vetë politikës në një copëz të ideologjisë, si dhe në mohimin, në thelb, të rolit të etikës dhe të moralit në politikë. Kjo është logjika e diktaturave të çdo lloji. Ndërsa kultura demokratike ka bërë shumë hapa përpara në kapërcimin e makiavelizmit, duke gërshetuar e harmonizuar politikën me moralin, duke përcaktuar "konstantet" dhe "madhësitë e ndryshueshme" (variabël) në politikë, si dhe mënyrat alternative për të arritur rezultatet e dëshiruara. Kështu, politika hapet, fiton hapësira dhe tipare të reja. Është e vërtetë se në kushtet e demokracisë, legjitimiteti i shtetit doemos ka bazë juridike. E megjithatë legjitimiteti në kuptimin e vërtetë të fjalës është i lidhur me pranimin si qëllim me prioritet të posaçëm edhe për shtetin e lirive dhe të të drejtave të njeriut, që përbëjnë sistemin e vlerave sunduese në një shoqëri demokratike. Politika, edhe në këtë rast, nënkupton detyrimin, por hartimi dhe zbatimi i ligjeve, para të cilave janë të gjithë njëlloj, bën që të ruhet përmasa humane në politikë. Shtrohet pyetja: a e kemi arritur ne një cak të tillë lidhjeje të politikës me moralin dhe a e bën kjo politikën më të efektshme dhe shtetin të fortë e funksionues? Nëse do t'i referohemi politikës së ditës dhe protagonistëve kryesorë të saj, del se jemi ende larg. Tranzicioni politik dhe nevoja e shkëputjes nga e kaluara totalitare duket se na krijoi traditën e një politike pa ide dhe plotësisht të shkëputur nga morali. Dhe, kuptohet, nën sloganin e të qenit pragmatistë, boshllëku i krijuar filloi të mbushej me makiavelizëm. Më mirë se te çdo protagonist tjetër kryesor i politikës së tranzicionit, një dukuri të tillë e vërejmë te S. Berisha, tek i djeshmi dhe tek i sotmi. Vijon nesër