Programi dhe statuti, PS mbledh kongresin në 18 prill

Prilli do të jetë një muaj intensiv për Partinë Socialiste, e cila krahas angazhimit për të vijuar luftën për transparencën e zgjedhjeve, të dielën e tretë të këtij muaji, në datën 18 do të mbledhë edhe forumin e saj më të lartë vendimmarrës Kongresin. Asambleja Kombëtare në bazë të statutit ekzistues të partisë ka thirrur mbledhjen e Kongresit për të diskutuar dhe miratuar një axhendë me tre pika: ndryshimet statutore, ndryshimet programore dhe qëndrimet politike. Një vendim të tillë e ka bërë të ditur kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, i cili, gjithashtu ka deklaruar edhe pikat, për të cilat do të diskutojë ky forum. "Asambleja Kombëtare e PS në vazhdim të një vendimi të mëparshëm të saj vendosi që më 18 prill, në Tiranë, të thërrasë Kongresin e Partisë. Kongresi mblidhet për situatën politike dhe për probleme të tjera programore dhe statutore të PS", - tha Ruçi, i cili gjithashtu ka theksuar se tashmë paketa e ndryshimeve stautore është gati. Por, para se të mbledhë kongresin socialistët do të thërrasin edhe një herë javën që vjen Asamblenë Kombëtare, e cila do të diskutojë gjithashtu për ndryshimet që janë përgatitur për Statut dhe në Program. Nga sa mësohet në paketën e ndryshimeve statutore nuk është përfshirë propozimi për të legalizuar fraksionet apo oponencën kolektive, ndërsa janë bërë një sërë ndryshimesh për sa i përket organizimit dhe zgjedhjes së strukturave në bazë, si dhe të forumit të gruas dhe atij të rinisë socialiste.