FMN: Shqipëria gjatë 2010-ës, inflacioni 3.5%, GDP-ja 2.3 %
nertila maho
GDP-ja reale, e cila vitin e kaluar u rrit me 2.8 për qind, gjatë 2010-ës sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikohet që të rritet me 2.3 për qind. Raporti më i fundit i FMN-së, lidhur me Vëzhgimin Ekonomik Financiar Botëror “Rebalancimi i rritjes” jep edhe të dhënat statistikore për vendin tonë bashkë me parashikimet e këtij institucioni financiar për vijueshmërinë. Ky raport vjen vetëm një muaj pas publikimit të vëzhgimit që misioni i Fondit hartoi pas vizitës në Shqipëri. “Pas një reduktimi të vlerësuar të PBB-së, në tremujorin e katërt të 2009, parashikohet që rritja me norma të ulëta të rifillojë në tremujorin e parë të 2010 dhe më pas gradualisht të forcohet, me një normë vjetore të rritjes së PBB-së në intervalin 2– 2½ për qind në 2010”, thuhet në raportin e misionit të FMN-së. Parashikimet për rritjen e GDP-së, në raportin e Vëzhgimit Ekonomik Botëror, bëhen më pozitive në 5-vjeçarin e ardhshëm, ku rritja për Shqipërinë parashikohet të jetë në nivelet 5 për qind. Në raportin e prillit, ndaj vendit tonë, i kategorizuar si një ekonomi në zhvillim sëbashku dhe me vende të tjera, drejtohet thirrja për më shumë kujdes në aspektin e politikave ekonomike që zbatohen. Ulja e borxhit, kujdesi ndaj deficitit buxhetor dhe ulja e papunësisë, janë disa nga pikat që FMN thekson se vendet me ekonomi në zhvillim duhet të kenë parasysh. Lidhur me panoramën e situatës në botë, raporti i FMN-së vë në dukje se ekonomia globale po ecën në kah të përmirësimit dhe në fund të këtij viti pritet një rritje pozitive prej 4% në rang global. Një pikë tjetër që prek raporti është edhe inflacioni. Për Shqipërinë, FMN-ja parashikon një inflacion në nivelet e 3.5 %, rreth 1.3 për qind më shumë se ai i vitit 2009, që ishte 2.2 për qind. Edhe në vëzhgimin e posaçëm të misionit, inflacionit në vend i kushtohej një vëmendje e veçantë. “Inflacioni bazë pritet të mbetet nën kontroll dhe inflacioni vjetor parashikohet në 3.4 për qind në 2010 dhe 3 për qind në periudhën afatmesme”, thuhet në raportin FMN-së. Sa i përket klasifikimit të Shqipërisë në aspektin e pozicionimit të jashtëm, në lidhje me borxhet, vendi ynë klasifikohet si një debitor neto çka jep idenë e një borxhi të lartë publik. E në këtë pikë “refreni” i FMN-së në çdo raport specifik apo të përgjithshëm për Shqipërinë është ulja e nivelit të borxhit deri në 50%.